LAJMI I FUNDIT:

Vllehët e Shqipërisë nuk janë grekë

Vllehët e Shqipërisë nuk janë grekë

Shoqata e vllehëve të Shqipërisë ka reaguar ndaj deklaratave të konsullit grek në Korçë, i cili ka thënë se vllehët e Korçës janë grekë.

Kryetari i kësaj shoqate, Vangjel Shundi, fakton me dokumente etnografike, gjuhësore dhe historike se vllehët e ardhur në Shqipëri nga Italia dhe Dakia në shekullin e dytë, sot janë vllehët apo arumunët e Shqipërisë dhe nuk kanë lidhje me popullsinë greke. Për këtë, Shundi i referohet dhe “Proklamatës së Popullit Shqiptar” botuar nga Shoqëria Shqiptare “Drita” në Bukuresht më 26 maj 1889.

Kryetari i Shoqatës së Vllehëve të Shqipërisë ka thënë se varret e vjetra në Korçë mbajnë mbishkrime në gjuhen arumune, gjuhë që ngjason shumë me atë shqipe- raporton TV Klan. Konsulli grek në deklaratat e tij, sipas Shundit, u referohet atyre varreve të reja të emigrantëve në shtetin fqinj që për shkaqe të ndryshme kanë ndryshuar identitetin, e pas vdekjes prehen në Korçë.

E sa i përket regjistrimit në bazë të etnisë dhe fesë, për Shundin formulari i INSTAT e specifikon qartë origjinën vllehe arumune, e kjo thekson ai nuk ka pse shënohet greke. Sipas botimeve të Akademisë së Shkencave minoriteti vlleh në Shqipëri shtrihet në një pjese të konsiderueshme të territorit dhe zë vendin e dytë pas popullsisë shqiptare duke shënuar rreth 139.000 banorë. /Telegrafi/