LAJMI I FUNDIT:

“Vija e kuqe” premierë në Pejë

“Vija e kuqe” premierë në Pejë

"Vija e kuqe", shfaqje e bazuar në veprën "Karrigia e zbrazët" të Luis Humbertos, është dhënë premierë të shtunën mbrëma në skenën e Teatrit "Istref Begolli" në Pejë. Regjinë e shfaqjes e ka bërë Jeton Budima. Regjisori ka thënë se tekstin në fjalë e ka adaptuar tash e disa vjet dhe vendosi ta inskenojë në Teatrin “Istref Begolli” të Pejës, pasi ka marrë ftesën nga ky institucion.

Në shfaqjen “Vija e kuqe” luajnë treshja e aktorëve, Vedat Haxhiislami, Ardian Biba dhe Arbresha Grabovci. Aktorja Grabovci këtë shfaqje e cilësoi si një projekt të rëndësishëm për të, pasi përkrah ka pasur ish-studentët e saj. Në një pjesë të shfaqjes luan edhe vetë regjisori Jeton Budima.

Kjo duket të jetë nostalgjia që Budima ka për aktrimin. Lëvizjet e aktorëve gjatë shfaqjes janë shoqëruar me muzikë “live” nga Filonid Gjikolli. Kjo ka qenë ideja e vetë regjisorit Budima.

Muzika e gjallë vjetëve të fundit është duke zënë vend në shfaqje të ndryshme të inskenuara nëpër Kosovë duke u shndërruar kështu në një trend apo frymë të kohës. Kujtojmë këtu shfaqjen “Ëndrra e një nate vere” e Agon Myftarit apo “Çifti Martin” e Bekim Lumit.


Shfaqja “Vija e kuqe” në fillim të qershorit pritet të jepet edhe në Prishtinë. Ndërsa, regjisori shpreson që ajo të vazhdojë prezantimin edhe në vende të tjera, meqë, sipas tij, është shfaqje që ia vlen të shihet nga publiku. /ktv/