LAJMI I FUNDIT:

Veteranët kërkojnë dorëheqjen e Pollos

Veteranët kërkojnë dorëheqjen e Pollos

Kryesitë e Komitetit të Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare, Kryesia e Organizatës së Dëshmorëve dhe disa shoqata të tjera, reaguan të enjten për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare me anë të një deklarate. Veteranët kërkuan dorëheqjen e ministrit Genc Pollo, si ideator i këtij regjistrimi, që sipas tyre, i bie era tradhti, si dhe ndjekjen penale të atyre drejtuesve të gjendjes civile që kanë vepruar në kundërshtim me interesat kombëtare.

“Kjo mënyrë regjistrimi ka brenda një mënyrë djallëzore të qarqeve shoviniste greke, të cilat e nxisin. Realizimi i këtij lloj regjistrimi me vetëdeklarim të nxituar, do të detyrojë shqiptarët e varfër nevojtarë, që për hir të interesit ekonomik të çastit, të pranojnë mohimin e kombësisë shqiptare dhe të vetëdeklarohen si shtetas me kombësi helene, vetëm e vetëm për të përfituar punë e pension nga shteti grek”, thuhet në deklaratën e tyre të cituar nga Shekulli online.

Ata kundërshtojnë vendosmërisht regjistrimin vetëdeklarues me bazë feje dhe etnie dhe i kërkojnë presidentit të Republikës, kryetares së Parlamentit dhe kryeministrit Sali Berisha që të anulohet ligji i tanishëm i gjendjes civile dhe të ndryshohet formulari i përgatitur për këtë lloj regjistrimi.

“Njëkohësisht kërkojmë dorëheqjen e ministrit Genc Pollo, si ideator i këtij regjistrimi që bie era tradhti, si dhe ndjekjen penale të atyre drejtuesve të gjendjes civile që kanë vepruar në kundërshtim me interesat kombëtare të vendit, duke plotësuar kërkesat e qytetarëve shqiptarë për tjetërsimin e etnisë", thuhet ndër të tjera në deklaratë. /Telegrafi/