LAJMI I FUNDIT:

UNMIK-u kundër zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë

UNMIK-u kundër zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë

UNMIK-u përfundimisht do t'i thotë jo zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, sepse kjo paraqet shkelje të rezolutës 1244. Kjo do të jetë përgjigje ndaj kërkesës së Serbisë që në shtetin e ri të Kosovës t'i organizojë zgjedhjet e saja lokale.

Zyrtarët e UNMIK-ut janë duke përgatitur përgjigjen në letrën e ministrit serb Sllobodan Samarxhiq, i cili më herët kishte kërkuar leje nga administrata e KB për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë edhe në lokalitetet serbe në Kosovë.

"Ne jemi duke e përgatitur një përgjigje ndaj letrës së ministrit Samarxhiq. Ne do të qartësojmë se nëse Serbia vendos të organizojë zgjedhjet lokale edhe në Kosovës, kjo paraqet shkelje të rezolutës 1244 dhe nuk do të kenë kurrfarë validiteti ligjor", tha zëdhënësi i UNMIK ut, Aleksander Ivanko.

Ndërkaq sa u përket zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, UNMIK-u, do të mbajë qëndrim neutral: as nuk i përkrah e as nuk i ndihmon në organizimin e tyre. Por UNMIK u ende nuk ka qëndrim të qartë se çfarë do të bëjë nëse Beogradi megjithatë synon t’i organizojë edhe zgjedhjet lokale.


Sipas pikëpamjes së përgjithshme, pra edhe e të anëtarëve të Grupit të Kontaktit, mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe paraqet shkelje të rezolutës 1244. "Tani ne duhet t’ia kthejmë letrën ministrit Samarxhiq dhe të presim reagimin e Beogradit ndaj këtij qëndrimi", tha zëdhënësi Ivanko. /qik/telegrafi/