LAJMI I FUNDIT:

Universiteti në kaos

Aktualisht, Universiteti i Prishtinës (UP) ndodhet në një status tejet të papërshtatshëm, inadekuat dhe problematik, referuar standardeve unike universitare të shteteve demokrate të përparuara. Madje, në jo pak segmente, UP-ja ndodhet nën nivelin e postulateve fondamentale, të cilat, para disa dekadave, i kishte Universiteti i Kosovës, përkatësisht Universiteti Publik i Prishtinës.

Konkretisht, rekrutimi I studentëve, shumë më parë, aplikohej rigorozisht konform me normativat universitare, në harmoni me numrin e pedagogëve, me sipërfaqet e lokaleve mësimore e ndihmëse, dhe mbi të gjitha me nevojat konkrete në fushat e aktiviteteve shoqërore e ekonomike, në arsim, ekonomi, shëndetësi etj. Aktualisht, në dekadën e sprasme, fillimisht aplikohet njëfarë planifikimi i numrit e profileve të studentëve që do të pranoheshin dhe, sipas tij, shpallet konkursi publik. Gjatë zbatimit të konkursit publik, kryhet pranimi i studentëve, kryesisht përbrenda kornizave kuantitative të publikuara në konkurs. Mirëpo, pastaj praktikohen akte krejtësisht jashtë dhe kundërligjore, ashtu që nder tjera,së pakut nga sa janë pranuar studentë sipas konkursit publik, pranohen pa dhe në kundërshtim me konkursin publik!? Pranimin e pastajmë të paligjshëm e në kundërshtim me propozicionet elementare universitare e praktikon menaxhmenti universitar i dirigjuar nga struktura partiake e qeveritare, sipas listave të njëpasnjëshme të kandidatëve “meritorë” në saje të “të bëmave të prindit, të prindërve madje të ndonjë nga farefisnorët që mund të jetë edhe i parantelës së katërtë e tutje”!?


Konkretisht, në Fakultetin Ekonomik e ashtu edhe në Fakultetin Juridik të UP-së, jashtë kornizave të konkursit publik, pra jashtëligjshëm dhe absolutisht në kundërshtim me moralin publik, së pakut gjatë pesë-gjashtë vjetëve të fundit, afërsisht dy herë më shumë pranohen e janë pranuar studentë mbi numrin e kërkuar dhe për aq jashtë kapaciteteve kadrovike, teknike e hapësinore (sic). Kandidatët e preferuar të strukturave qeveritare e menaxheriale universitare të listuar pas dhe jashtë përfundimit të procedurës së konkursit publik për regjistrimin e studentëve nëpër njësitë akademike, për të qenë e keqja edhe më e madhe, kryesisht janë të niveleve të ulëta referuar sukseseve, e jo pak sish, jo që nuk kanë lexuar por nuk dinë se ç’është romani, novela, proza, poezia, tregimi… Të tillët e flasin shqipen sikundër Kunta Kinta dikur anglishten në SHBA, e për shkrimin e saj të mos flasim.

Nuk janë raste të rralla në të cilat jo pak studentë nuk dinë ç’është pika, presja, germa e madhe… Madje tekstin e vet në teste shkrimore nuk “mund“ ta lexojnë“. Studentët në fjalë, u thënçim studentë,pa dyshimnuk kanë kapacitete elementare për të qenë studentë,por çuditërisht po ata mbarojnë fakultete dhe disi prapë çuditërisht punësohen. Madje, të tillëve, shpesh herë ju krijohen dhe ju ruhen konkurset e punësimeve!

Rrjedhimisht, vijnë pasojat e ato reflektohen në ngërçet funksionale të institucioneve publike, jo rrallë herë të rëndësisë vitale për shtetin! Natyrisht, institucionet e tilla jo qe janë efikase, por kurrsesi nuk mund të jenë efikase as eficiente…

Dikur, pra para disa dekadave, pedagogët universitarë rekrutoheshin në procedurë ligjore, të rregullt e të njohur dhe të afirmuar në universitetet prestigjioze gjithandej. Edhe përparimi në grada mësimore e shkencore, si dhe në ato funksionale, aplikohej konform me kriteret dhe kërkesat universitare.Autori i këtyre rreshtave, sikundër cilido koleg i tij, është dashtë që në procedurë universitare dhjetëvjeçare, pas doktoraturës, të arrinte në thirrjen e profesorit ordinar, përkatësisht të profesorit universitar (pas doktoraturës, pesë vjet të suksesshme të docentit edhe po aq, pesë vjet të profesorit iniordinar,në mënyrë që, prapë, në konkursit e tretë pas atij për docent dhe për profesor inordinar të zgjidhej ose jo profesor ordinar). Ndërkaq sot, në raste jo të rralla, procedurat e tilla të nevojshme, të dobishme dhe absolutisht të arsyeshme, nuk përfillën, madje në jo pak raste të gjitha ato stade universitare “kalohen” ashtu që pas mbrojtjes së doktoraturës, menjëherë aplikohet zgjedhja në thirrje të profesorit universitar!

E tërë kjo “ do të mund të harrohej…” përballë praktikimit të “autorizimeve të asistentëve për mbajtje të ligjëratave, madje edhe të provimeve përfundimtare universitare! Në këtë kontekst,të mos e zëmë në gojë “privilegjimin” e jo pak personave influentë në shoqërinë politike kosovare, të cilëve“u mundësohet” oportuniteti për mbrojtje “në procedura të shkurtra” të gradave dhe shkallëve akademike! Sa i përket cilësisë së punimeve të masterëve e të doktoraturave të personave në fjalë, nuk ia vlen të zhvillohet diskurs elementar!

Gjithsesi, këto e këso lëshimesh, defektesh e parregullsi në UP-në, ka edhe në forma tjera më së të ndryshme! Mjafton t’i lëshohet një shikim shkaras i rekomandimeve të auditimit publik për vitet e sprasme të kësaj dekade dhe së andejmi vërehen shkelje ligjore jo të pakta e jo të vogla!

Lëshimet, mospërfilljet ligjore apo abuzimet ligjore të theksuara e të tilla, kryesisht janë pasojë e centralizimit universitar (për tu dirigjuar më lehtë nga strukturat partiake e qeveritare) dhe e vënies së menaxhmentëve universitare në vend,në funksion të ligjit, të kërkesave të pangopshme të titullarëve politik të caktuar për t’i favorizuar të privilegjuarit e tyre të caktuar.

Për ta tejkaluar gjendjen e tillë fare të padobishme e të paligjshme në UP-në, nder të tjera, nolens volens, do të duhej të zgjidhej rektori e rrjedhimisht prorektorët dhe bashkëpunëtorët profesional të tyre, kurrsesi sipas orekseve partizane e militante partiake, por ekskluzivisht sipas vlerave profesionale dhe integriteteve morale, mbi të gjitha, universitare.

Në këtë kontekst, në praninë e kandidatëve me thirrje të profesorëve universitarë, apriori do të duhej flakë kërkesa e cilit do aspirantë për rektor të UP-së qe nuk do t’ishte profesor universitar, profesor i plotë, i mirëfilltë.

Rrjedhimisht, rektori me bashkëpunëtorët e vetë, në radhë të parë dhe nder të tjera, do të duhej të praktikonte qe në fillim analizimin kritik të sylabusëve – planeve e programeve të njësive akademike, në mënyrë qe studentët të studionin e të mos “mësonin“ përafërsisht nga 13 lëndë në një vit akademik. Pastaj, do duhej të apikohej decentralizimi cilësor i UP-së, ashtu që ky i fundit kryesisht të ushtronte funksione reprezentative, protokolare e koordinative, si dhe të monitorimit themelor – vetëm referuar aplikimit të normave e rregullave universitare. Në anën tjetër, njësitë akademike – lexo fakultetet do të duhej të (ri)fitonin lirinë akademike institucionale e për aq edhe bazën për përgjegjësinë akademike tok me përgjegjësitë legale konkrete.