LAJMI I FUNDIT:

Unë besoj

Unë besoj në mundësinë e ndërrimit të gjendjes së subjektit. Sepse sa herë mendon se njohjen që e ke mund ta zhvendosësh në një gjendje tjetër të re, atëherë nis një përvojë e re. Ky është momenti kur s’ka ekzistencë të dy mundësive, por, kur jeta jote më pastaj bëhet një ngjarje, domethënë s’ka dy njohje për një realitet. Ky do të ishte kritiku logjik i rendit të gjërave, përfaqësuesi i devotshëm i aksionit, përjashtuesi mekanik i organizimit të jetës.

S’ka popull që mund të mos jetë subjekt i zhvillimit të mundësisë dhe forcave të veta. Sepse, si i tillë, populli është i rëndësishëm sepse është i madh si koncept dhe i gjatë në kohë, e i rëndë në tokën e vet. Asnjë shoqëri s’mund të mos jetë zhvilluese për vete. Ky s’është mësim që thuhet vetëm sot. Bindja e patundur, besimi i plotë dhe dashuria për vendin, i bën njerëzit më të përgjegjshëm karshi gjendjes që është edhe ndryshimeve që mund të vinë.


Çka, si, dhe sa jemi të lirë të zhvillohemi në aftësitë e tona? Çka kemi dashur më shumë se sa ajo që tokën tonë, vend të shpirtit, ta zotërojmë vet. Katërmbëdhjetë vite pas çlirimit të vendit jeta e një qytetari është rënduar duke u zgjeruar në shumë fronte. Sot, më shumë se kurrë, nëse e kemi dashur tokën shumë, atëherë duhet edhe më shumë. Prandaj, ne kemi ardhur që ta flakim tej turpin që s’e kemi bërë shumica. Ne s’mund të bëjmë më shumë se sa të bashkojmë forcën fizike me shpirtërore. Shpirti ynë i pastër tregon madhështinë për një rilindje të madhe.

E çka ne mund të ofrojmë për të rrëzuar këtë pushtet. Asgjë më tepër se atë që bëjmë në jetën e përditshme, mundin dhe djersën. Kërkesa është: të besojmë. Fuqia e lëvizjes matet me mendjen tonë dhe sa i qëndron kërbaçit kurrizi yt.

Dhe, jo që s’kemi qenë aktivë këtyre viteve të ekzistimit, por, tani duhet të japim dyfishin e saj. Të gjitha problemet që i kemi pasur, i kemi trajtuar në mënyrën më të mirë të mundshme, edhe pse disa i kanë parë si të pazgjidhshme. Formulimi dhe qëndrimi parimor na ka ndihmuar të kemi një rritje të vazhdueshme e të qëndrueshme.

Pushteti po përdor çdo metodë të tij të fundit për të qëndruar në vendin që nuk e ka pasë asnjëherë. Qysh edhe thotë populli: “Kali po e qet shkelmin e fundit”. Me sjelljen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, regjimi tenton të bëjë kapërcimin e keq. ama të fundit, për t’i dhënë vetes edhe pak jetë në saje të mbështetjes jo parimore nga jashtë. Por ne, secili, veç e veç duhet ta godasim pushtetin aty ku nuk e pret, aty ku i duket se është më fortë e sa më shumë ku është më dobët. Dhe, ne s’bëjmë asgjë të keqe: mbrojmë shtëpinë tonë, të dashurit tanë, sepse besojmë në një respekt që e kemi edhe për veten. Sepse, ne jemi të vërtetit, s’jemi një arsye false. Burra e gra, vajza e djem, duhet të punojmë kundër regjimit sikur asnjëherë. S’do të jemi humbës. Për ne as që bëhet mend humbja.

Një burrë apo një grua nuk duhet ta mendojë humbjen përballë regjimit. Frika që gjithkush e ka, është domosdomërisht pjesë e luftës. Është njëjtë një trim/neshë që lufton pa frikë, dhe një trim/neshë që lufton njëjtë, por ka frikë më shumë se sa i pari. Ne s’duhet frikësuar nga ajo që shohim. Dhe përderisa pamja e regjimit bëhet e qartë, frika s’duhet t’ia marrë nderin trimit.

A kemi shitur idealet tona? A kemi shitur besimin tonë? A kemi lëkundur qëndrimet tona? A kemi devijuar rrugën tonë?

Sot si asnjëherë më parë idealet tona janë bërë më të pakapërcyeshme. Besimi ynë në programin tonë veçse është rritur. Qëndrimet i kemi po ato që i kemi pasur më parë, por, vetëm të zgjeruara e më të kompletuara. Këto janë dëshmi që rruga jonë e drejtë, është edhe fati ynë. Dhe, sa herë përsëritemi, aq më shumë ngulitemi në mendjet dhe zemrat e njerëzve. Kjo është arsyeja që njerëzit do të na shohin si një shërbim kombëtar.

Ajo që sot përjetojmë është një e keqe e madhe. S’kemi arsye pse mos t’i kundërvihemi. ;bështetja duhet të jetë pa kushte dhe me besnikëri, pa arsyetim dhe pa ndonjë rezervë, pa ndonjë ndjenjë të dobësisë apo pasigurisë. Të dyja bashkë, pa ndonjë përjashtim, edhe fatkeqësia edhe fatbardhësia duhet të na bëjnë bashkë, më rezistentë. Ne themi diçka, që të tjerët jo që s’mund ta thonë, por edhe s’mund ta bëjnë. Për këtë arsye kjo kohë është e rrallë në histori, ndaj duhet të vendosim: a duhet të mbesim qyqarë apo njerëz të aksionit sikur që ishim.

Ky është momenti ynë – kështu duhet të themi; shpresa jonë e vetme – ngadhënjimi ynë i madh. Të gjitha forcat e mëdha bëhen si asnjëherë më parë të vogla. Kjo është kur të gjithë potencialin që e kemi e fusim në funksion.

Ne e kemi parë rritjen tonë. S’ka qenë ëndërr. Ka qenë punë. Ne e kemi ndarë bashkë gëzimin edhe pikëllimin. Sepse, s’kemi menduar ndryshe. Për këtë arsye ne kemi besnikërinë ndaj programit si një virtyt. Dhe, ne duhet të qëndrojmë bashkë sërish, deri kur një mot i mirë të ngrohë çdo zemër të qytetarit.

Mund të dëgjosh këngën që po vjen, se e ardhmja nuk i përket askujt pos nesh. Ky ndryshim i besimit nuk mund të na kushtojë më shumë se sa që kemi përjetuar më parë.

Unë besoj që dëshpërimin tonë mund ta kthejmë në një shpresë të madhe.

Unë besoj që vetëm aksioni për drejtësi, zhvillim dhe mirëqenie ka me qenë rruga e vetme për ne.

Çdo lagje e fshatit apo qytetit, çdo qytezë apo qytet, duhet të bashkohet në shpresën tonë. Këta burra e gra që do të na bashkohen janë njerëzit më të mirë të historisë së re që do ta bëjmë.