LAJMI I FUNDIT:

Ujësjellësi ‘Prishtina’ vazhdon investimet ne infrastrukturë dhe rrjet

Ujësjellësi ‘Prishtina’ vazhdon investimet ne infrastrukturë dhe rrjet

Në drejtorinë e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” është mbajtur një takim midis Komunës së Prishtinës, Ujësjellësit dhe Konsulencës së Bankës Gjermane, rreth menaxhimit dhe bashkëpunimit për kryerjen e punimeve nëpër rrugët e kryeqytetit, përfshirë fazën e II-të të investimeve në vlerë prej 17 milionë euro.

KUR “Prishtina”, është duke vazhduar me investimet në infrastrukturën e rrjetit të ujësjellësit, duke u fokusuar në përmirësim të vazhdueshëm të shërbimeve ndaj të gjithë konsumatorëve në zonën e shërbimit”, në një komunikatë për media nga “KUR”Prishtina”.

Në muajin prill të këtij viti, ka filluar së implementuari faza e II e investimeve, në vlerë prej 17 milionë euro, prej tyre 11 milionë euro donacion nga Komisioni Evropian dhe 6 milionë euro kredi e butë. “Faza II përfshin, rehabilitimin e rrjetit primar, sekondar dhe terciar të rrjetit të ujit të pijshëm, rehabilitimin e kolektorëve kryesorë dhe sekondar të ujërave të zeza, rehabilitimin e Fabrikës së përpunimit të ujit në Badoc , dhe marrjes së ujit nga penda e Badocit dhe mbrojtja e burimeve të ujit, në liqenin e Batllavës dhe Badocit”, thuhet në një komunikatë për media nga KUR “Prishtina”.


Po ashtu bëhet e ditur se në këtë fazë, ka filluar së implementuari qysh nga muaji prill të këtij viti, ndrrimi i komplet rrjetit të vjetërsuar të ujësjellësit, rrjetit primar, sekondar dhe terciar,vendosja e kyçjeve të reja shtëpiake dhe vendosja e ujëmatësve , si në: Lagjen ”Velania”, ”Bregu i Diellit”, Lagja e ”Muhaxhirëve”, Lagja ”Dodona” në Prishtinë, si dhe në pjesën më të madhe të qytetit të Fushë Kosovës dhe fshatit Shkabaj.

”Përgjatë punimeve, kemi hasë edhe në shqetësimin e qytetarëve që jetojnë në rrugën ”Ferat Draga” dhe ”Hajrullah Abdullahu”në Prishtinë, për shkak të dëmtimit të asfaltit dhe moskthimit të tij ende në gjendjen e mëparshme ekzistuese. Pikërisht për këtë arsye, sot edhe u mbajt takimi mes tre palëve.

Përgjatë diskutimeve të shumta,u vendos që deri më datën 3 tetor 2014, këto 2 rrugë do të jenë të asfaltuara në tërësi, ku brenda tyre ka një rrjet të ri të ujësjellësit, asfalt të ri, dhe trotuare të reja.

Më pas, pas testimit të gypave në pjesët tjera ku është duke u punuar, gradualisht do të shtrohet edhe atje asfalt i ri”, thuhet me tej në komunikatë.

KUR”Prishtina” krahas kërkesës për kursim të ujit të pijshëm, nga konsumatorët kërkon edhe pagesa të rregullta për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit, për shkak të investimeve të shumta në infrastrukturë të rrjetit duke ndikuar direkt në furnizim më të mirë me ujë për të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit.

Borxhi i konsumatorëve ndaj KUR ”Prishtina”, është mbi 50 milion euro.

Kurse gjendja aktuale e furnizimit me ujë të pijshëm thuhet se është pothuajse e njejtë, filluar nga data 10 shkurt 2014, por me rënien e temperaturave mbi vendin tonë, reduktimet duket të jenë dukshëm më të zvogëluara se para 1-2 muajve.

Ndërsa bëhet e ditur se niveli i ujit në liqenin e Batllavës sot është -2.88m nën kuotën maksimale, ndërkaq niveli i ujit në liqenin e Badocit është -6.28m nën kuotën maksimale, dhe shihet që pas rreshjeve të fundit atmosferike, ka edhe ardhje goxha të mira në të dyja liqenet, veçmas në liqenin e Batllavës. /Telegrafi/