LAJMI I FUNDIT:

U ri-akredituan shtatë laboratorë të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë

U ri-akredituan shtatë laboratorë të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë

Në një ceremoni të mbajtur sot në ambientet e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë (AKF), u shënua ri-akreditimi i 7 laboratorëve forenzikë me gjithsej 47 metoda shkencore të hulumtimit. Ky proces përfshin për herë të parë edhe akreditimin e laboratorit për ekzaminimin e kompjuterëve, një hap kyç në hetimin e krimeve kibernetike dhe aktiviteteve ilegale.

Në ceremoni morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ushtruesi i detyrës së drejtorit të AKF-së, Ilir Kukaj, dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit të Akreditimit në MINT, Irfan Lipovica.

Ministri Sveçla theksoi se ky vit po përmbyllet me rezultate të shkëlqyera për AKF-në, duke përfshirë rritjen e numrit të ekspertizave forenzike. Në vitin 2024 janë kryer 5,318 raste me mbi 143,067 dëshmi materiale, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2019, kur u realizuan 4,461 raste. Ai e cilësoi këtë arritje si dëshmi të profesionalizmit të zyrtarëve të AKF-së, të cilët kanë kaluar me sukses 13 teste profesionale nga partnerët ndërkombëtarë.


“Laboratori i ekzaminimit të kompjuterëve është një arritje e veçantë që do të ndihmojë në zbardhjen e aktiviteteve ilegale përmes teknologjisë dhe do të rrisë zbulueshmërinë e rasteve,” tha Sveçla, duke vënë theksin në nevojën për të përshtatur sistemin forenzik me trendet teknologjike globale.

Gjatë fjalës së tij, ministri vuri në dukje rolin kyç të AKF-së në luftimin e grupeve kriminale dhe terroriste, duke theksuar se menaxhimi i suksesshëm i dy prej sulmeve më të mëdha terroriste në Kosovë ka qenë i mundur falë punës profesionale të ekspertëve forenzikë.

Në fjalën e saj, ministrja Rozeta Hajdari vlerësoi bashkëpunimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me AKF-në, duke theksuar rëndësinë e këtij partneriteti për zhvillimin e kapaciteteve të sigurisë në vend.

Në fund të ceremonisë, Sveçla falënderoi të gjithë të përfshirët për përkushtimin e tyre dhe nënvizoi se ri-akreditimi i laboratorëve forenzikë është një hap vendimtar për përforcimin e sundimit të ligjit dhe drejtësisë në Kosovë.