LAJMI I FUNDIT:

Trumpi mund ta mbajë premtimin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por kjo nuk do të jetë e lehtë

Trumpi mund ta mbajë premtimin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por kjo nuk do të jetë e lehtë
Volodymyr Zelenskyy dhe Donald Trump në Kullën “Trump” në Nju-Jork më 27 shtator 2024 (foto: Julia Demaree Nikhinson/AP)

Nga: Christopher S Chivvis / The Guardian (titulli: Can Trump keep his promise to end the war in Ukraine? It’s possible – but it won’t be easy)
Përkthimi: Telegrafi.com

Në mes të vorbullës të urdhrave ekzekutivë, emërimeve, tarifave, kërcënimeve dhe iniciativave të tjera të javëve të fundit, Donald Trump vazhdon të premtojë se do të negociojë një përfundim të shpejtë të luftës në Ukrainë, ndërsa të premten tha se për këtë çështje veçse kishte folur me Vladimir Putinin. Është gjëja e duhur për t’u bërë dhe ai ka një strategji të realizueshme, por arritja deri aty do të jetë e vështirë. Rreziku është i madh dhe, nëse dështon, lufta mund të bëhet edhe më vdekjeprurëse – veçanërisht nëse ai ndjek një strategji të neglizhencës së qëllimshme ndaj Ukrainës ose, mos e dhëntë Zoti, nëse sulmon drejtpërdrejt forcat ruse.

Lufta ka shkatërruar ekonomitë, ushtritë dhe popullsitë e të dyja vendeve. Vlerësimet e vendosin numrin e të vdekurve në qindra mijëra. Që nga pushtimi i Rusisë, popullsia e Ukrainës është zvogëluar me një të katërtën – 10 milionë njerëz. Është “një ngërç … një konflikt i zgjatur dhe i përgjakshëm” që duhet të marrë fund, pranoi së fundmi sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio.


Trumpi duhet të bindë palët kryesore që të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të arrijnë një marrëveshje. Situata tragjike me të cilën po përballet Ukraina e bën Kievin më të hapur ndaj negociatave sesa në çdo kohë – që nga dështimi i përpjekjeve të fundit në pranverën e vitit 2022. Por, palët e tjera mund të kërkojnë më shumë punë, duke filluar me Rusinë.

“Më duhet të flas me presidentin Putin”, tha Trumpi më 20 janar, kur u pyet për planin e tij për t’i dhënë fund luftës. Dhe, ka të drejtë. Kjo është e vetmja mënyrë për të ndalur gjakderdhjen. Megjithatë, për ta sjellë Moskën në tryezën e negociatave dhe për ta përfshirë seriozisht në bisedime, Trumpi ka nevojë për ndikim. Për këtë arsye, ai ka kërcënuar Rusinë me sanksione më të ashpra ekonomike dhe ka ndjekur një strategji për të tharë arkën e luftës së Putinit duke ulur çmimin e naftës. Në të njëjtën kohë, ai ka ofruar gjithashtu lehtësime nga sanksionet në këmbim të bashkëpunimit për paqen.

Është interesante që Trumpi dëshiron që Kina të luajë një rol në negociata. Kjo është një lëvizje e zgjuar. Kina ka mbështetur përpjekjet e luftës së Rusisë dhe ka ndikim mbi Kremlinin. Për më tepër, Pekini ka deklaruar se dëshiron që lufta të përfundojë. Megjithatë, kjo ide duket se është në kundërshtim me qëndrimin anti-Kinë të disa anëtarëve të administratës së Trumpit, përfshirë Rubion, kryediplomatin e tij. Vetëm për këtë arsye, plani mund të dështojë.

Trumpi do të duhet gjithashtu të bindë aleatët e ShBA-së në Evropë që të mbështesin nismën e tij për paqe – përndryshe, disa prej tyre mund ta sabotojnë përpjekjen. Shumë kryeqytete evropiane pranojnë se zgjidhja për luftën do të ishte në interesin e tyre, por e kanë mbështetur Ukrainën aq fuqishëm saqë mund të jetë e vështirë për ta të pranojnë diplomacinë – veçanërisht nëse kjo do të thotë një marrëveshje që nuk e kënaq plotësisht Ukrainën. Figurat kryesore si Kaja Kallas, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, mund të jenë gjithashtu skeptike ndaj kësaj ideje, duke gjykuar nga qëndrimet e tyre të deritanishme mbi luftën.

Nëse Trump arrin t’i sjellë të gjitha këto palë në tryezën e negociatave, ai do të duhet të përballet me një mori çështjesh të ndërlikuara.

Së pari, ekziston pyetja themelore se cili do të jetë orientimi strategjik i ardhshëm i Ukrainës: neutral, i orientuar kah Perëndimi, apo një kombinim i të dyjave. Rusia mund të mos pranojë një armëpushim nëse me këtë nënkuptohet pranimi i orientimit përfundimtar të Ukrainës drejt Perëndimit. Ukraina, nga ana tjetër, mund të kundërshtojë çdo marrëveshje që nuk i ofron shpresë për të njëjtën gjë.

Është e sigurt se Ukraina gjithashtu do të refuzojë çdo marrëveshje që nuk përfshin një lloj garancie sigurie kundër një sulmi të ardhshëm rus. Ka mënyra të ndryshme për ta siguruar këtë garanci, duke filluar nga pranimi i Ukrainës në NATO, deri te ofrimi i një force shumëkombëshe mbrojtëse, apo thjesht premtimi për të shtuar ndihmën ushtarake për Kievin nëse Rusia e sulmon sërish. Megjithatë, vendosja e opsionit më të mirë do të jetë e vështirë, pasi Evropa, ShBA-ja, Ukraina dhe Rusia nuk bien dakord mbi atë që është zgjidhja më e mirë.

Ndërkohë, disa çështje të tjera të ndërlikuara – për shembull, statusi i ukrainasve që jetojnë në territoret e pushtuara nga Rusia, statusi i vetë këtyre territoreve dhe kërkesat e kamotshme, por joreale të Rusisë për një rishikim të gjerë të arkitekturës së sigurisë evropiane – do të kërkojnë nga Trumpi një aftësi të madhe diplomatike për të arritur një marrëveshje. Mbetet e pasigurt nëse presidenti amerikan do të ketë durimin për të çuar deri në fund këtë detyrë jashtëzakonisht komplekse dhe sfiduese diplomatike.

Trumpi mund të zgjedhë në vend të kësaj një politikë të neglizhencës dashakeqe ndaj Ukrainës, veçanërisht nëse Kievi mban një qëndrim të ashpër në negociata ose nëse ai ndien se Putini po fiton luftën dhe dëshiron të shmangë lidhjen e tij me një kauzë të humbur. Në këtë rast, Trumpi mund të dënojë Rusinë për dhunën, por të mos bëjë asgjë për të ndaluar forcat e saj nga shkatërrimi i mëtejshëm i Ukrainës.

Një kërcënim edhe më i madh do të shfaqej nëse Trumpi angazhohet në negociata dhe më pas dështon përballë Putinit – për shembull, nëse Putini do të refuzonte publikisht planin e tij të paqes ose do të kryente një ofensivë të madhe gjatë negociatave. Trumpi nuk hezitoi të urdhëronte vrasjen e gjeneralit më të lartë iranian, Qassem Suleimani, në vitin 2020, dhe nuk do të ishte e paimagjinueshme që ai të përdorë forcën kundër rusëve në Ukrainë nëse kredibiliteti i tij do të vihej në dyshim. Kjo mund të çonte në një përshkallëzim të pakontrolluar mes dy fuqive bërthamore.

Nëse historia e kësaj lufte tragjike do të marrë tashmë rrugën e negociatave, kjo do të vendoset gjatë një ose dy muajve të ardhshëm. Trumpi ka parashikuar një armëpushim brenda atij afati, por kjo është e pamundur. Megjithatë, duhet të bëhet e qartë nëse administrata e re është serioze për të nisur punën e domosdoshme diplomatike për një përpjekje të suksesshme për paqe.

Të gjithë duhet të shpresojmë se janë për paqen. Është koha e duhur për t’i dhënë fund kësaj lufte – për të mirën e ShBA-së, për të mirën e Ukrainës dhe për të mirën e botës.

Në trend

Më shumë
“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin

“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin", Lladrovci thotë se i qëndron kësaj deklarate – parashikon edhe sa deputet mund t’i ketë Nisma

Lajme
Shefja e Misionit të BE-së: Deklaratat e Grenell ishin ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë, pushteti pati gjuhë negative

Shefja e Misionit të BE-së: Deklaratat e Grenell ishin ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë, pushteti pati gjuhë negative

Lajme
Shkelje procedurale, KQZ del me një sqarim për rezultatet preliminare edhe për 21 vendvotime

Shkelje procedurale, KQZ del me një sqarim për rezultatet preliminare edhe për 21 vendvotime

Lajme
KQZ del me rezultate të reja, numërohen 90.09 për qind e votave

KQZ del me rezultate të reja, numërohen 90.09 për qind e votave

Lajme
Pse qytetarët po heqin dorë nga shtetësia e Kosovës?

Pse qytetarët po heqin dorë nga shtetësia e Kosovës?

Lajme
Gjyqtari legjendar italian, Collina kërkon ndryshimin e rregullit të goditjes së penalltisë

Gjyqtari legjendar italian, Collina kërkon ndryshimin e rregullit të goditjes së penalltisë

Ndërkombëtare
Kalo në kategori