LAJMI I FUNDIT:

Trump: Putin “ndoshta” është përfshirë në vrasje

Trump: Putin “ndoshta” është përfshirë në vrasje

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë në një intervistë televizive se beson që homologu i tij rus, Vladimir Putin “ndoshta” është përfshirë në vrasje dhe ka pohuar sërish se Moska ka ndërhyrë në politikën amerikane.

Trump po ashtu ka thënë se nuk e di nëse Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis është duke planifikuar të dorëhiqet, mirëpo se ai e konsideron gjeneralin si “lloj të demokratit” dhe se ai mund të largohet.

Ai i ka bërë këto komente në një intervistë të realizuar paraprakisht për emisionin televiziv 60 Minuta në CBS, e cila është transmetuar më 14 tetor.


Në mesin e çështjeve që ai ka përmendur janë edhe Koreja Veriore, përpjekjet e shpëtimit pas uraganit në SHBA, zhdukja e gazetarit saudit në Turqi, Jamal Khashoggi dhe ndryshimet klimatike.

Kur prezantuesja e CBS-së, Lesley Stahl, e ka pyetur Trumpin nëse pajtohet me njerëzit që pretendojnë se Putin ka qenë i përfshirë në vrasjet e kritikëve, ai është përgjigjur, “ndoshta po. Ndoshta”.

Nuk është bërë e qartë se në cilat vrasje Trump ka dyshuar se ka qenë i përfshirë Putini, ndonëse shumë kritikë të liderit rus janë vrarë përmes helmimeve të dyshuara dhe të tjerë në kushte të mistershme.

Megjithatë, Moska ka mohuar ndonjë lidhje.

I pyetur për ndërhyrjen ruse në sistemin politik në SHBA, Trump ka thënë se beson që Moska ka ndërhyrë, mirëpo se edhe “Kina ka ndërhyrë po ashtu”.

“Ju jeni duke shmangur plotësisht çështjen e Rusisë”, i ka thënë Stahl presidentit.

“Nuk jam duke bërë asgjë” është përgjigjur Trump.

Komuniteti amerikan i Inteligjencës dhe Këshilltari Special amerikan, Robert Mueller kanë gjetur se Rusia ka nisur fushatë për shpërndarje të propagandës në rrjetet sociale dhe ka hakuar dokumente të demokratëve në tentim të ndikimit të rezultatit zgjedhor në të mirë të Trumpit në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Moska në anën tjetër mohon çdo përfshirje.

Sa i përket Sekretarit Mattis, presidenti republikan ka thënë se ai nuk është i sigurt nëse gjenerali do të vazhdojë të mbetet në pozicionin e tij.

“Ndoshta ai do të largohet. Mendoj se ai është një lloj demokrati, nëse doni të dini të vërtetën”, ka thënë Trump.

“Mirëpo Gjenerali Mattis është njeri i mirë. Ne kalojmë për mrekulli. Ai mund të largohet. Në një moment, të gjithë largohen”, ka shtuar ai.

Mattis konsiderohet si një nga anëtarët më të pavarur në kabinetin e Trumpit, mirëpo ai po ashtu është edhe dorë e fortë në këtë administratë, e cila njihet për numër të madh të lëvizjeve në mes të zyrtarëve.

Ai është cilësuar edhe si personalitet që ka krijuar balancë kundrejt qasjeve të presidentit, pasi ka shtyrë përparë idenë e përmirësimit të marrëdhënieve me aletatët tradicionalë të SHBA-së, duke përfshirë anëtarët e NATO-s, të cilëve Trump u është drejtuar me fjalor të ashpër.

Disa liderë nga Perëndimi po ashtu kanë përshëndetuar Sekretarin Mattis për politkë të ashpër kundër Putinit, pavarësisht se Trump ka shprehur dëshirën për lidhje më të ngrohta me Moskën.

Spekulimet janë rritur për të ardhmen e Mattis si shef i Mbrojtjes, prej kur është publikuar libri i gazetarit, Boob Woodward për Shtëpinë e Bardhë të udhëhequr nga Trumpi, në të cilin thuhet se Gjenerali ka vënë në pikëpyetje vlerësimin e Trumpit, duke e krahasuar aftësinë e tij të të kuptuarit me një fëmijë 11 vjeç.

Mirëpo Mattis ka kundërshtuar se ka bërë deklaratë të tilla dhe ka mohuar vazhdimisht se është duke konsideruar largimin.

“Natyrisht se nuk mendoj të largohem”, u ka thënë ai gazetarëve në muajin shtator.

“E dua këtë vend”.

Përndryshe në mesin e të larguarve në administratën Trump janë edhe Rex Tillerson që ka mbajtur pozitën e Sekretarit të Shtetit dhe H.R. McMaster, i cili ka qenë në pozitën e Këshilltarit për Siguri Kombëtare.

Më 9 tetor, Trump ka njoftuar edhe se Nikki Haley do të largohet në fund të vitit nga pozita e ambasadores në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ende nuk është bërë publik asnjë arsye e dorëheqjes së saj.

Trump po ashtu ka dhënë shenja për ndryshime potenciale në kabinetin e tij.

“Jam duke bërë ndryshime. Kam të drejtë t’i bëjë ato. Kam njerëz që mund të angazhohen dhe do të jetë fantastike”, ka shtuar presidenti amerikan. /Rel/

Në trend Botë

Më shumë
Dronët sulmojnë një rafineri nafte, zjarr gjithashtu në një fabrikë të pajisjeve ushtarake – detaje dhe pamje të

Dronët sulmojnë një rafineri nafte, zjarr gjithashtu në një fabrikë të pajisjeve ushtarake – detaje dhe pamje të "dy shpërthimeve” në Rusi

Botë
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Botë
Zviceranët votojnë kundër zgjerimit të autostradave

Zviceranët votojnë kundër zgjerimit të autostradave

Evropa
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Amerika
Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Evropa
Putini shkarkon komandantin e lartë sepse gënjeu për përparimet ruse në luftën në Ukrainë

Putini shkarkon komandantin e lartë sepse gënjeu për përparimet ruse në luftën në Ukrainë

Botë
Kalo në kategori