LAJMI I FUNDIT:

“Triazha emergjente”, klasifikimi i sëmundjeve dhe lëndimeve sipas prioriteteve të trajtimit

“Triazha emergjente”, klasifikimi i sëmundjeve dhe lëndimeve sipas prioriteteve të trajtimit

Recension i Librit “Triazha emergjente” nga Prof.ass.Dr. Isuf H. Bajrami


Shkruan: Prof. Asoc. Dr. Faton T. Hoxha dr.sci.
Kirurg

Prof.ass.Dr. Isuf H. Bajrami e kam njohur gjatë studimeve të mjekësisë, gjatë dhe pas specializimit, gjatë punës profesionale si specialist i Mjekësisë Emergjente pranë Qendrës Emergjente të QKMF, dhe tani, Qendra e Mjekësisë Urgjente – Prishtinë.

Dorëshkrimi i Librit me titull ”Triazha Emergjente” përbëhet nga 15 kapituj me 105 faqe dhe fillon me Parathënie ku ceket Qëllimi kryesor i triazhës, që është kategorizimi i pacientit sipas urgjencës, që mundëson dhe siguron vlerësimin korrekt dhe në kohë të të gjithë pacientëve që vijnë në repartin e mjekësisë urgjente. Në mënyrë të rrjedhshme vazhdon me:

Kapitullin e 1-rë, Triazha në urgjencat paraspitalore, tregohet për historikun e triazhës, kuptimin e sistemit të triazhës, funksionet e triazhës, shkalla e triazhës, shkallorja australiane-aziatike e triazhës (ATS). Kuptimi i këtyre vendimeve është me rëndësi të madhe në përshkrimin e rolit dhe përgjegjësisë së infermieres/-it të triazhës në praktikën e përditshme, ku përshkruhen shembuj të intervenimeve infermierore për tretman primar ose fillestar gjatë triazhës.

Në Kapitullin e 2-të, Triazha australiane-aziatike (ATS), përshkruhet filozofia e cila mbështet përdorimin e ATS, që bazohet në vlerat e drejta dhe efikasitetin e ofrimit të shërbimit shëndetësor.

Në Kapitullin e 3-të, Komunikimi në shërbimin mjekësor urgjent, theksohet rëndësia e komunikimit në rritjen e efektivitetit dhe saktësisë së procesit të triazhës, ku ceken edhe situatat e mundshme me komunikim problematik.

Në Kapitullin e 4-të, Bazat e triazhës, jepet skema fiziologjike e indikatorëve të cilët ndihmojnë në përcaktimin e urgjencës duke shfrytëzuar shkallën aziatiko-australiane të triazhës. Teknikat e vlerësimit bazohen në pamjen e përgjithshme të të ekzaminuarit, rrugët e frymëmarrjes dhe frymëmarrjen, cirkulacioni dhe shkalla e vetëdijes. Këtu parashihen edhe faktorët e riskut për sëmundjet kronike-komorbiditetet dhe lëndimet serioze, si dhe prezantohet Triazha e gjendjeve urgjente në oftalmologji.

Në Kapitullin e 5-të, Triazha e shëndetit psikik, diskutohet për parametrat e shëndetit mental nga kategoritë e ATS për pacientë me çrregullime akute në sjellje ose sëmundje psikike.

Në Kapitullin e 6-të, Vlerësimi i dhimbjes gjatë triazhës, bëhet përcaktimi i shkallës së dhimbjes si indikator fiziologjik në vlerësimin e triazhës, që orienton në mënyrën e trajtimit të pacientit. Përshkruhet PQRST teknika e vlerësimit të dhimbjes, bëhet shkallëzimi I dhimbjes përmes shkalloreve të ndryshme si VAS (vizuale analoge scale), tabelën numerike (NRS) e cila gjithashtu është e njohur si pikëzim verbal i dhimbjes (VPS). Për fëmijë të vegjël dhe të moshuar përdoret shkallëzimi sipas Ëong-Bakerov, apo FACE- fytyra shkallëzimi.

Në Kapitullin e 7-të, Pyetje mjeko-ligjore, theksohen përgjegjësitë ligjore të personelit shëndetësorë, infermieres që lidhen me praktiken profesionale në praktiken e triazhës, ku përfshihen mbajtja e dokumentacionit, raportimi, konfidencialiteti, ruajtja e dëshmive forenzike që lidhen direkt me pacientin.

Në Kapitullin e 8-të, Veqoritë e triazhës në fatkeqësi masovike, përshkurhet rëndësia e triazhës të fatkeqësitë masovike, sistemi i pikëzimit, shenjëzimi i vendit të triazhës, kategorizimi i triazhës sipas ngjyrës ku tregohet ashpërsia e dëmtimeve dhe gjendjes të pacientit të triazhuar.

Në Kapitullin e 9-të, Shenjat dhe kartelat e triazhës, ku përmes shenjave dhe kartelave me ngjyrë të ndryshme përcaktohen shkallët e prioriteteve të lëndime dhe të trajtimeve të tyre. Përcaktohet udhëheqësi i triazhës klinike sipas kësaj renditje: Mjeku i emergjencës/ Kirurgu/ Anesteziologu/ Infermieri/shpëtimtari më me pervojë dhe me i respektuar. Konform lëndimeve duhet bërë edhe reagimet dhe tretmanët e ekipeve të triazhës. Listohen taktikat e Ndihmës së Shpejtë në vendndodhjen e ngjarjes së jashtëzakonshme. Gjithashtu ceken edhe roli i secilit anëtar i ekipit të Triazhës.

Në Kapitullin e 10-të, Qendrat e traumës, përshkruhen tri nivelet e Qendrës së Traumës, organizimi Spitalor multidiciplinarë dhe shërbimet klinike të disiplinave të ndryshme që janë në dispozicion për plotësimin e nevojave për trajtimin e pacientëve në traumë.

Në Kapitullin e 11-të, Siguria e vendit të ngjarjes, ceket që në një sistem profesional të sigurisë publike dhënia e ndihmës së parë për të gjitha viktimat duhet të jetë profesionale dhe e avancuar. Duhet ambienti i vendngjarjes të jetë i sigurt për ekipet që ofrojnë këto shërbime. Përshkruhen procedurat e procesit trehapësh në vlerësimin e parë (ABC) të pacientit.

Në Kapitullin e 12-të, Triazha në ambientet e vështira dhe konflikte të armatosura, përshkruhen sfidat e ekipeve shpëtimtare për kujdesin e viktimave në mjediset e vështira dhe konfliktet e armatosura, ku rezikshmëria e ekipeve punuese është në nivel shumë të lartë.

Në Kapitullin e 13-të, Skenarët e triazhës, përshkruhen Objektivat e Triazhës, përkufizimet, parimet, nivelet dhe llojet e triazhës.

Në Kapitullin e 14-të, Programi edukativ për trajnime edukative për punonjës që zbatojnë triazhën në veprimtarinë në shërbimet emergjente mjekësore, përfshinë edukimin dhe ushtrimin plotësues të përfitimit të njohurive dhe aftësive që u mundësojnë infermierëve të fitojnë dhe mbajnë kompetencat e nevojshme për triazhimin.

Në Kapitullin e 15-të, Start triazha me testim, përshkruhet triazha sipas llojit të lëndimit, të trajtimit dhe skenarët me pyetje dhe përgjigje sipas situatave.

Me këtë Libër-manual do të hedhen bazat e standardeve të triazhimit në Republikën e Kosovës, me qëllimin përfundimtar që kategoritë e standardizuara të triazhit të fillojnë të përdoren në shërbimet e mjekësisë emergjente.

Për fund mund të konkludoj se ky Libër do të jetë e mirëseardhur për personelin shëndetësorë që ballafaqohen me situate emergjente si mjekëve, infermierëve në Shërbimet emergjente civile e ushtarake si dhe qytetarëve që ballafaqohen me situate ku rrezikohet jeta dhe duhet emergjent të veprohet dhe të jepet mundësia të shpëtohet një jetë. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Arsyet e mundshme pse ju plasariten buzët dhe si t’ia bëni që të mos ju ndodhë më!

Arsyet e mundshme pse ju plasariten buzët dhe si t’ia bëni që të mos ju ndodhë më!

Shëndetësi
Kalo në kategori