LAJMI I FUNDIT:

Treguesi i ndjesisë ekonomike në Shqipëri, rritet besimi për bizneset por ulet për konsumatorët

Treguesi i ndjesisë ekonomike në Shqipëri, rritet besimi për bizneset por ulet për konsumatorët

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) i matur nga Banka e Shqipërisë u rrit me 3.9 pikë në muajin maj, duke vijuar prirjen e rritjes prej shtatë muajsh.

Sipas Bankës së Shqipërisë, niveli aktual i këtij treguesi është më i larti i regjistruar ndonjëherë dhe qëndron 18.6 pikë mbi mesataren historike.

Rritja e treguesit të agreguar reflekton sidomos rritjen mjaft të lartë të besimit në sektorin e shërbimeve, por edhe në sektorët e industrisë, të ndërtimit dhe të tregtisë. Nga ana tjetër, besimi konsumator ka regjistruar rënie të lehtë këtë muaj.


Treguesi i besimit në shërbime u rrit me 11 pikë përqindje në maj, duke regjistruar vlerën më të lartë historike. Niveli i këtij treguesi qëndron aktualisht 29 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Kontributin kryesor në rritje e dhanë vlerësimet optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre. Edhe komponenti i dytë, niveli i kërkesës, është vlerësuar me rritje këtë muaj.

Gjithashtu, vlerësimi për situatën aktuale dhe pritjet e bizneseve për nivelin e punësimit janë me rritje. Pritjet e tyre për ecurinë e çmimeve në të ardhmen janë rritur në krahasim me një muaj më parë.

Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 5.3 pikë përqindje në muajin maj, duke shënuar edhe këtë muaj vlerën më të lartë historike. Aktualisht, ai qëndron 34.5 pikë përqindje mbi nivelin e mesatares afatgjatë.

Rritja e treguesit reflekton vlerësimet optimiste të aktivitetit aktual ndërtues dhe të nivelit të porosive aktuale. Pritjet për punësimin dhe për çmimet në të ardhmen kanë regjistruar rënie në krahasim me një muaj më parë.

Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 2.6 pikë përqindje në muajin maj, i ndikuar pozitivisht nga vlerësimet në rritje për prodhimin aktual. Vlera e këtij treguesi aktualisht qëndron në nivelin më të lartë historik, rreth 19 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Megjithatë, kontratat porositëse janë vlerësuar me rënie këtë muaj. Gjithashtu, pritjet e bizneseve të industrisë për prodhimin dhe për punësimin në të ardhmen janë në ulje. Pritjet e tyre për çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë mbetur pothuaj të pandryshuara nga muaji i mëparshëm.

Treguesi i besimit në tregti regjistroi rritje të lehtë me 1.6 pikë përqindje në muajin maj. Niveli aktual i TBT-së qëndron 14 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Rritja e treguesit këtë muaj ishte kombinim i rritjes së vlerësimeve mbi ecurinë aktuale të biznesit dhe rënies në një masë më të ulët të pritjeve për punësimin. Pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan me rënie këtë muaj.

Treguesi i besimit konsumator regjistroi rënie të lehtë me 0.6 pikë, pas shtatë muajsh rritjeje. Niveli i tij aktual qëndron 0.3 pikë përqindje mbi nivelin e mesatares historike. Ndryshimi i treguesit këtë muaj reflektoi lëvizje në kahe të ndryshme të komponentëve përbërës.

Blerjet në shuma të mëdha dhe pritjet për situatën financiare në të ardhmen u vlerësuan në rënie, ndërsa pritjet për situatën e përgjithshme ekonomike ishin më optimiste. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
MKRS: Komuna s’mori leje për punimet në zonën ku ka asete kulturore

MKRS: Komuna s’mori leje për punimet në zonën ku ka asete kulturore

Lajme
Serbia ankohet pse anëtarë të NATO-s po e armatosin Ushtrinë e Kosovës

Serbia ankohet pse anëtarë të NATO-s po e armatosin Ushtrinë e Kosovës

Lajme
Gjykata e kthen në punë Ridvan Berishën, e detyron RTK-në t’ia paguajë mbi 28 mijë euro

Gjykata e kthen në punë Ridvan Berishën, e detyron RTK-në t’ia paguajë mbi 28 mijë euro

Drejtësi
Zhgënjim me rezultatin, Haradinaj: Na kushtoi e vërteta e rëndë që e thamë për Kurtin

Zhgënjim me rezultatin, Haradinaj: Na kushtoi e vërteta e rëndë që e thamë për Kurtin

Politikë
Ramabaja: Sami Kurteshi s’flet kot, Prokuroria duhet të hetojë deklaratën e tij

Ramabaja: Sami Kurteshi s’flet kot, Prokuroria duhet të hetojë deklaratën e tij

Politikë
Në Pejë do të ndërtohet fabrika e parë për prodhimin e municioneve, me mbështetje amerikane

Në Pejë do të ndërtohet fabrika e parë për prodhimin e municioneve, me mbështetje amerikane

Lajme
Kalo në kategori