LAJMI I FUNDIT:

Tre kongresistë, fushatë diplomatike për njohjen e Kosovës

Tre kongresistë, fushatë diplomatike për njohjen e Kosovës

Tre kongresistë amerikanë kanë nisur një fushatë diplomatike për njohjen e Kosovës nëpër botë. Miku i njohur i shqiptarëve në Kongresin amerikan, Eliot Engel në bashkëpunim me dy kolegë të tij, i kanë shkruar letra kryetarëve të 25 shteteve të botës duke u kërkuar që të njohin pavarësinë e shtetit të ri.

Vendet, kryetarët e të cilave kanë marrë letrat nuk janë radhitur përkrah Serbisë në çështjen e Kosovës, por janë thjesht të pavendosura, të painformuara sa duhet, apo të pa interesuara për të marrë ndonjë anë lidhur me këtë çështje.

"Njohja e pavarësisë së Kosovës do të shtonte qëndrueshmërinë në Ballkan si dhe do të ishte një vendim i mençur strategjikisht dhe i drejtë ligjërisht", thuhet ndër të tjera në letrën e tyre të cituar nga gazeta shqiptaro-amerikane "Illyria" në New York.

Në mesin e 25 shteteve kryetarët e të cilëve kanë marrë letra janë edhe Meksika, Ekuadori, Salvadori, Guatemala, Haiti, Republika Domenikane, Xhamajka, Kili etj.


Letra i njofton kryetarët e shteteve për njohjen e Kosovës nga 60 vende (letra është dërguar përpara njohjes nga Jordania), pranimin e saj nga FMN dhe Banka Botërore dhe punën e bërë nga Nobelisti për Paqen, Martti Ahtisaari për të gjetur zgjidhjen e qëndrueshme për një konflikt të vështirë.

Letra citon fjalët e ministrit të Jashtëm Skënder Hyseni në Këshillin e Sigurimit se "në Kosovën e re nuk duhet të ketë vend për dhunë dhe urrejtje" dhe se "institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të ndërtuar një demokraci multietnike në paqe me fqinjët e saj dhe që i ndihmon bashkëpunimit, paqes dhe sigurisë së rajonit". /QiK/