LAJMI I FUNDIT:

Tovërlani: Me Dritën, vetëm pikë të plota

Tovërlani: Me Dritën, vetëm pikë të plota

“Fillimisht në emër të shtabit teknik dhe të futbollistëve iu kërkojmë falje kryesisë, tifozëve dhe dashamirëve të klubit të Prishtinës, për eliminimin që pësuam në garat e Kupës”, janë fjalët me të cilat numri një i bankinës bardhekaltër, Afrim Tovërlani e nisi konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes me Dritën. Trajneri i Prishtinës nuk mendon se Prishtina është turpëruar me atë humbje, por gjithsesi e pranon se ka qenë e dhimbshme.

“Nuk pajtohem më atë se është turpëruese të eliminohemi nga ajo skuadër. Pavarësisht asaj fushe është dashur të fitojmë dhe nuk dua ta justifikoj humbjen, por këso befasi kanë përjetuar edhe ekipet e mëdha si Reali, Manchesteri, Liverpooli e Bayerni dhe kanë vazhduar tutje. Pra futbolli sjell befasi dhe kështu na ndodhi edhe neve”, shtoi trajneri bardhekaltër. Kjo i kalon së kaluarës dhe ekipi prishtinas duhet të mendoj për sfidat e tjera.

“Jemi munduar të stabilizohemi pas asaj disfate me Vllazninë dhe do të presim Dritën ku na interesojnë vetëm tre pikët dhe asgjë tjetër. Mendoj se jemi të gatshëm të përballemi me një skuadër siç është Drita”, tha Tovërlani i cili përveç portierit Kushtrim Mushica nuk mund të llogarisë as në Mirsad Idrizin. Edhe mbrojtësi Viktor Kuka, ka thënë se do të shënojnë fitore dhe të mbesin në luftë për titull.

“Me fitore do të kërkojmë të mbesim në garë për titull. Po besoj shumë se do të arrijmë këtë qëllim dhe të vazhdojmë drejtë mbrojtjes së titullit”, tha Kuka. Në anën tjetër, trajneri i Dritës, Arbnor Morina, pavarësisht se në kryeqytet udhëton me disa mungesa, shpreson të arrijë rezultat pozitiv. Drita, pas marrjes nën drejtim Morina, ka treguar lojëra të mira, duke i mposhtur Ferizajn dhe Ferronikelin, Prishtina është sfida e tretë për të.


“Edhe pse vijmë me disa mungesa do të mundohem të luajmë lojë të hapur dhe për të arritur rezultat pozitiv. Me këta djem të ri do të mundohen të japin maksimumin para publikut dhe besojmë t’i kënaqim ata me lojën e treguar ”, tha Morina. Të rikujtojmë vitin e kaluar, Drita nën udhëheqjen e Morinës në stadiumin e qytetit luajti baras 0:0, se a do të arrijë ta përsërisë këtë sukses, apo tashmë kanë ndryshuar rrethanat mbetet të shihet. /Telegrafi/Zëri/