LAJMI I FUNDIT:

Topalli përjashton deputetin socialist Balla nga seanca

Topalli përjashton deputetin socialist Balla nga seanca

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli përjashtoi të enjten nga seanca parlamentare deputetin socialist, Taulant Balla, sepse siç tha ajo, ai po shpifte për pasurimin korruptiv të ministrave dhe djalit të kryeministrit Berisha.

“Djali i Berishës thotë se ka fitim neto në aktivitetin privat 200 mijë euro, por nuk thotë as kompaninë, as objektin e pasurinë por si ndërmjetës ka fituar 200 mijë euro. Por unë pyes, a janë këto para të pastra apo të pista, më thoni se kush sekser fiton 200 mijë euro?”, tha Balla.

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani tha se deputeti socialist ka tejkaluar masën me fyerjet që bën dhe se vendimi për përjashtim nga seanca ishte i merituar. "Ka mbi një vit e gjysmë që fyen këdo këtu, me fjalë të pista, hedh baltë mbi familjet tona të nderuara", tha Nishani.

Grupi parlamentar socialist reagoi ashpër duke e akuzuar Topallin për veprime arbitrare. Deputeti socialist Erjon Braçe akuzoi kryetaren e parlamentit për abuzim me detyrën dhe kërkoi 30 minuta pushim në mënyrë që Grupi parlamentar socialist të vendosë për qëndrimin që do të mbajë. /Telegrafi/