LAJMI I FUNDIT:

Tjetri në prozën shqipe

Tjetri në prozën shqipe

Nga: Flamur Maloku

Tjetri, situata tekstologjike

Koncepti i tjetrit në letërsinë shqipe, diskursi për tjetrin në letërsinë shqipe, ose për papraninë e pranishme, një përqasje rastësore e sugjerimit të Umberto Ecos, është një nga piketat moderne dhe postmoderne si optikë verifikimi, ku tashmë duhet të niset studimi i letërsisë shqipe, për t’i hetuar hapësirat e nëntekstit.


Termi Tjetri si ideologji dhe prani, para së gjithash, është kërkimi i diçkaje që deri më tani e kemi marrë si të mirëqenë, të rrokshëm në situatën tekstologjike, megjithatë pa hetuar më tutje se ku është realisht dhe, mbi të gjitha, pa qartësuar situatën e pranisë së tij, si një nga aspektet më të ndërlikuara të ligjërimit letrar, ndonëse ka qenë i pranishëm gjithherë. Tjetri si ideologji në letërsinë shqipe, gjithnjë në shenjim të kamerës verifikuese, jo të një simboli a metafore që vetëm sa do ta ndërlikonte vorbullën e shikimit të letërsisë me anë të letërsisë, gjithnjë brenda letërsisë, ndërkaq është bota tjetër që gjendet brenda dhe jashtë një teksti letrar, pra edhe të një letërsie. Tjetri gjerë më tani është një koncept më tepër i përfoluar sesa i sqaruar në shenjëzimin e vetë, ku madje as vetë teoritë letrare, nuk është se të japin dorë për të mbërritur diku, në një përfundim adekuat. Megjithatë, për të pasur një ide, sado përciptazi, për atë që përfaqëson koncepti i Tjetrit në letërsi, po përmendim këtu një pohim të Ernesto Sabatos: Ndoshta, ashtu siç thoshte Kirkegardi, ngaqë arrijmë universalitetin duke gërmuar unin tonë, falë kësaj dialektike ekzistenciale nisi të dilte në pah ekzistenca e Tjetrit, sa më shumë që njeriu dukej se zhytej në humnerat e veta. Cilado qoftë arsyeja, epoka jonë ka qenë ajo e zbulimit të Tjetrit (2015: 101, në librin Shkrimtari dhe fantazmat e tij).

Këto mendime hedhin dritë në përpjekjen për të depërtuar në misterin që bart termi dhe hapësira e tjetrit, si një situatë bashkëshoqëruese e letërsisë, pra edhe e letërsisë shqipe. Pra, deri më tani vetëm sa është përcaktuar termi mbi tjetrin, mbi gjasat se ku është si prani që duhet evidentuar, duke lënë kështu jo pak dritëhije në aspektet e hetimit të pranisë së tij, si një prani e pashmangshme.

Tjetri është brenda tekstit, pra edhe të gjithë letërsisë si univers letrar, që rrallë rastis të përputhet edhe me praninë e vlerës letrare. Tjetri, përveçse kaq sa përmendëm, është edhe jashtë hapësirës së tekstit, është konteksti i ndërlidhjes së fatit të autorit, të librit dhe të gjithë letërsisë, tashmë si hulumtim i gjasave dhe rrethanave që e mundësuan një tekst, që e pranuan ose mohuan, që e zbuluan në kohë ose me vonesë si model vlere, e cila shoqëron fatin e veprës letrare.

Tjetri si ideologji, një nocion që kërkon të shprehë një semantikë, një domethënie të dyfishtë, të pranisë dhe të zgjerimit të komunikimit me letërsinë, në këtë mjegullësi trajtimesh, mungese të një ideje teorike që e kthjellon vetë termin dhe hapësirën që ka, dhe shumë më tepër të llafollo­gjemës mbi të, pa mbërritur ende të përcaktueshmëria e plotë, e cila endet si një hapësirë: A – Fiktive, sepse ligjërimi letrar me të gjithë ngjyrat e veta artistike, gati është hetuar në të gjitha optikat kritike, studimore, eseistike, gjuhësore dhe semiotike, përmes metatekstesh të secilës lami të verifikimit letrar, duke krijuar kështu një vështirësi të studimeve. B – Reale, sepse diskursi i letërsisë së krahasuar, përmes konceptit të Tjetrit në letërsi, do ta rimerrte fushëpamjen e vet, tashmë edhe në letërsinë shqipe, ku më tepër është folur teorikisht, me anë të hipotezave që tashmë do të duhet të argumentohen, se çfarë është, pa hetuar praninë e tjetrit, që ndërkohë zgjeron hapësirat e komunikimit me letërsinë, kryesisht me pjesën e mbetur në hije, për shkak të lënies në harresë të tjetrit, ose të marrjes në konsideratë, si prani vetëm të idesë fillestare mbi të.

Tjetri në letërsinë shqipe

Pas një përpjekje për të kuptuar Tjetrin si koncept, tani vjen në radhë edhe puna më e vështirë, hetimi dhe zbulimi i tjetrit në disa nga veprat e letërsisë bashkëkohore shqipe. Për t’i shmangur keqkuptimet dhe për të hyrë në marrëdhënie me arealet e letërsisë shqipe, të rrafsheve bashkëkohore, do të ndalemi në hulumtimin e Tjetrit në tri vepra të tre autorëve të spikatur të letërsisë shqipe, Kadare, Pashku dhe Trebeshina, duke u marrë me Tjetrin, si prani dhe shpalim, si shenjëzim etik dhe estetik.

Tjetri në prozën e Trebeshinës

Koncepti i tjetrit në prozën “Odin Mondvalsen” të Kasëm Trebeshinës, që dikush e quan roman, e të tjerë novelë, mund të zbërthehet kryesisht nëpërmjet personazhit kryesor. Si shenjë të parë të këtij tjetërsimi/tëhuajësimi, pra si tjetri që na e zbulon praninë e tjetrit në këtë tekst, mund të veçojmë origjinën e tij: “Po, zotni, jam danez, ngaqë gjyshi im ka qenë italian dhe u martua me një franceze, ndërsa nëna e Odinit u martua me një danez”. Në lidhje me këtë prozë, moderne në shpalim dhe strukturë, tjetri është i hapur, madje shqiptohet rast pas rasti, nëpër episodet e veprës, në marrëdhënie me mjedisin dhe personazhet e rastësishëm, si për të dëshmuar se tjetri, ose ana tjetër e medaljes së materies letrare, në këtë tekst dhe në një letërsi, është prani totale dhe që shqiptohet me një adresim të përcaktuar, me shumë gjasë të mishëruar në hapësirën e tekstit. Tjetri shpërfaqet këtu jo vetëm në pikë­pamje të identitetit personal, por edhe sa i përket kombësisë, duke qenë se, personazhi, atdhe dhe parajsë të tij quan Danimarkën, që tregon për ikjen nga vetja, me gjasë për kalimin te përsëdyti i vetë, që ose nuk ka atdhe, ose e ndërron sa herë të dojë atë.

Absurdi, paradoksi, alogjika, janë tri elemente të tjera themelore të estetikës së kësaj vepre që, përpos se shenjëzojnë surrealizmin, ashtu si edhe në disa proza të tjera të autorit, nëpërmjet të cilave autori paraqet jo shformimin e personazhit të vet, a tjetërsimin e tij, por shformimin e të gjithë shoqërisë përqark, të individit dhe komunitetit, madje diçka më tepër të mendësisë së saj, të kolektivitetit të shformësuar, që nuk ka pikën e mëshirës për qenien njerëzore. Në këtë pikëpamje, duke qenë se personazhi ka një logjikë të pastër brenda alogjikës së vet, kjo rrethanë e pazakontë, por jo pak vepruese në jetën e përditshmërisë së sistemit monist, e përveçon dukshëm, e bën të huaj kundrejt individëve që e rrethojnë, kundrejt mjedisit në të cilin gjendet, duke dëshmuar kështu shenjat e qarta të tjetrit si univers kundërvënës ndaj atij mjedisi, që ka marrë përsipër që shkatërrimin ta emërtojë zhvillim dhe përparim. Ai, në hapësirën e këtij teksti, shmanget me qëllim, distancohet nga mjedisi, dallohet nga figurat e tjera, ndihet i huaj në ide, qëllime dhe në filozofinë e të konceptuarit të realitetit, por edhe më në veçanti, të mënyrës së të menduarit, që i kundërvihet hapur dhe me ashpërsi absurdit politik, shoqëror, të sistemit monist, që ka marrë përsipër ta fshehë fytyrën e vërtetë, ndërkohë që personazhi kryesor, ose tjetri real, si botë dhe prani, përmes groteskut vetëdemaskues, shkatërron moralin fals të një kohe dhe shoqërie të indoktrinuar në shtjellat ideologjike të komunizmit.

Tjetri në prozën e Kadaresë

Te romani “Pallati i ëndrrave”, një prozë unike e Isamail Kadaresë, që shpeshherë ka zgjuar interesin e studimeve letrare, për natyrën e vet, të ndërlikuar në adresimin e një realiteti të kohës së diktaturës, apo të një tingëllime të atmosferës të sundimit osman, koncepti i tjetrit na vjen nëpërmjet një mori personazhesh nëpunës që duket se bëhen pjesë e ngrehinës së ëndrrave, me gjasë e vendit ku mblidhen dhe analizohen ëndrrat, e një kontrolli të imtësuar të tyre, tashmë të ngritur në sistem, ku mblidheshin, sistemoheshin e përpunoheshin ëndrrat, varësisht porosive dhe urdhrave të dhënë nga shefat që kishin në dorë gjithçka dhe që po përpiqeshin të shtinin në dorë edhe ardhmërinë, bashkë me të edhe ëndrrat dhe shpirtin e njeriut.

Të ishe pjesë e kësaj strukture, të rëndë dhe mistike, fatsjellëse dhe ndjellëse e fatkobit, shndërrohet në dilemë dhe ankth, pasi duhej të hiqje dorë nga ëndrrat, iluzionet, e vërteta, pra të depersonalizoheshe deri në ind, të ikje nga vetvetja, të ishe thjesht dhe vetëm një numër i ëndrrës së mbledhur dhe analizuar deri në imtësi. Pikërisht këtu, në këtë shpërfytyrim individual dhe shoqëror, moral dhe mendor, qëndron edhe koncepti kyç i tjetrit, i të Huajit që i kundërvihet Vetes. Me veprimet dhe mosveprimet e tyre, me dëshirën e madhe për të bërë karrierë brenda pallatit të ëndrrave, e cila rezulton të jetë vetëm se një utopi e pastër. Personazhet e këtij romani shmangen nga realiteti, shmangen nga bindjet dhe idetë per­sonale, ikin nga vetja, pa e kuptuar dhe me vetëdije, krijojnë një marrëdhënie të re me strukturat shtetërore, të secilës formë të sistemeve, të shtetit që vret individualen, pra larminë e ekzistencës së qenies, i përshtaten një realiteti të ri, bindjeve të të tjerëve dhe ideve që nuk janë më të tyret, por që një ditë pikërisht ato ide edhe mund t’i veçojnë nga të tjerët, e pastaj t’i fshijnë nga kjo botë. Kjo i bën të mos jenë vetvetja, të veprojnë e mendojnë sipas një mendësie që nuk është e tyre. Tjetri në këtë vepër na vjen edhe metaforikisht, duke qenë se ngjarjet vendosen në periudhën e Perandorisë Osmane. Në një lexim të parë, të sipërfaqshëm, tjetri apo i huaji mund të identifikohet edhe si pushtues, që ka ardhur për ta ndërruar fytyrën e vendit.

Tjetri në prozën e Pashkut

Romani “Oh” i Anton Pashkut është një tekst tjetër që të jep dorë për të hetuar Tjetrin, madje që vjen në një formë më të padukshme se në dy shembujt e parë. Është e vetmja prozë e gjatë e shkrimtarit që nuk përkon me prozën fantastike që e ka konceptuar vetë shkrimtari. Hapësira e këtij romani, në narrativë dhe shpalimin estetik, është pjesë e lëvrimit modern të prozës, pra edhe e pranisë së tjetrit në aureolën e veprës. Për të hyrë më në brendësi të ligjëratës mbi shenjat e tjetrit në këtë vepër, le të shikojmë hapësirën e kësaj proze ku ndeshim dy personazhe, që më tepër po jetojnë mbarimin e jetës bashkëshortore.

Materia e romanit afron një situatë absurdi, ku ata janë larguar kaq shumë nga njëri-tjetri, sa duken si dy të huaj, që as kanë nevojë të shihen, e jo më të llafiten me njëri-tjetrin. Pra, dy personazhet e prozës që formësojnë tjetrin, tjetrin e dyfishtë, simbolin e tëhujazimit, si dhe të një tjetërsimi skajor, zënë vend në këtë tekst të pazakontë si formë dhe shpalim artistik. Në këtë situate, ata që dikur nuk pushonin, një dikur që është fshirë, më shumë ngjan me praninë e papranishme, sepse vërtet janë bashkë, në një bregdeti për pushime, por ama vetëm fizikisht, se shpirtërisht janë diku tjetër, shumë larg nga aty, pra jeta e tyre ka marrë një rrjedhë tjetër, nuk janë më për njëri-tjetrin, dikush tjetër janë në marrëdhënien e tyre. Kjo rrethanë e bjerrjes së dhëniemarrjes, normale si modernitet, në jetën bashkëshortore, por edhe personale, përpos se tregues i një dashurie të lodhur, të fshirë tashmë, më tepër shenjëzon përmasën ekzistenciale të njeriut bashkëkohor, të ndarë dhe grimcuar në copa, që as vetë nuk e di se ku kanë rënë, mbase të njeriut modern që gati i ka ndërprerë lidhjet pranë, jo vetëm lidhjen bashkëshortore, por çdo lloj marrëdhënie ndërpersonale, duke shpërfaqur dukshëm botën e njeriut pasiv, indiferent, që nuk ka asnjë interes për botën përqark, që nuk do të dijë për të. Në figurën e personazhit kryesor, përveç tjetërsimit të lidhjes, të martesës së ndryshkur, si një nëntekst më shumë, ka edhe një tjetërsim tjetër, më të largët në kohë, që zbret deri në lashtësi, një kërkim te vetja e tjetërsuar të gjurmëve të identitetit të tjetrit, si një përmasë shoqëruese e lëvrimit të letërsisë.

Velur nga jeta individuale dhe familjare, më tepër e jetuar bosh, për hir të botës dhe opinionit të tyre, nga zvetënimi i një jete shoqërore, të mbytur në idhujtari dhe zhurmërima dhe patriotizmi fals, ikën në kohën ilire, e prej aty bashkëbisedon me vetveten, me përsëdytësin e transformuar si identitet, si dëshmi ekzistence, më tepër si një ikje prej kohës së bashkëkohësisë.

Kah përkufizimi

Tjetri, si nocion dhe mëshirim në hapësirën e teksteve ku dhe u ndalëm, është vetëm një sprovë për të sjellë në vëmendje praninë e tjetrit, e sidomos për ta përfshirë në optikën e studimeve letrare si një shmangie nga një prani që nuk e vumë re. Më tej, ndaj letërsisë, secilit tekst i është shtuar edhe një dritare, Tjetri, nga mund të vështrohet dhe interpretohet shenja letrare. /Revista “Akademia”/

___________

Literatura:
Kadare, Ismail, Pallati i ëndrrave, Onufri, Tiranë, 1990.
Pashku, Anton, Oh, Rilindja, Prishtinë, 1971.
Sabato, Ernesto, Shkrimtari dhe fantazmat e tij, Pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2015.
Trebeshina, Kasëm, Odin Mondvalsen, Buzuku, Prishtinë, 2016.