LAJMI I FUNDIT:

Titov: Rusia angazhohet për ripërtëritjen e bisedimeve Prishtinë-Beograd

Titov: Rusia angazhohet për ripërtëritjen e bisedimeve Prishtinë-Beograd

Zëvendës-shefi i diplomacisë ruse, Vladimir Titov, ka deklaruar të enjten në Athinë se, Rusia angazhohet që Beogradi e Prishtina të nisin bisedime të reja për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për çështjen e Kosovës.

"Ne jemi kundër pavarësisë së Kosovës, ngase ajo përbën shkeljen e ligjeve dhe parimeve ndërkombëtare dhe të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB-së”, ka thënë Titov pas takimit që ka zhvilluar në Athinë me ministren greke të Punëve të Jashtme, Dora Bakoyannis, njofton agjencia ruse Itar-Tas.

Diplomati rus ka thënë se Moska angazhohet për ripërtëritjen e bisedimeve në mënyrë që të gjendet një zgjedhje e pranueshme për të dyja palët. "Që disa muaj me radhë jemi duke e propozuar një ‘hartë të rrugës’, që do të ngërthente synimet e Kosovës dhe të Serbisë për të hyrë në BE, në mënyrë që të arrihet një zgjedhje stabile dhe afatgjate që do të forconte paqen dhe stabilitetin në Ballkan”, ka thënë Titov.

Sipas Titovit ende nuk është vonë që të ripërtërihen bisedimet në mes të Beogradit dhe Prishtinës, pasi që pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur shumë shtete ndërsa shumë shtete, sipas tij, kanë bërë të ditur se nuk do ta njohin atë kurrë.


"Pesëdhjetë shtete kanë thënë se nuk do ta njohin kurrë Kosovën, ndërsa atë e kanë njohur vetëm 37 shtete. Kjo do të thonë se kemi të bëjmë me një çështje shumë kontroverse”, ka thënë ai, për të shtuar se bashkësia ndërkombëtare ka qasje të ndryshme ndaj këtij problemi mirëpo edhe se, “shumica e shteteve angazhohen për respektimin e normave të së drejtës ndërkombëtare”. /Telegrafi/