LAJMI I FUNDIT:

Thyhet barriera

Thyhet barriera

Peja dhe Sigal Prishtina do ta thyejnë barrierën shumëvjeçare, duke e nisur eksperiencën e parë ndërkombëtare me pjesëmarrje në Ligën Ballkanike. Të dyja skuadrat synojnë të bëjnë paraqitje të mira dhe të nxjerrin rezultate të favorshme në përballjet e para, verdh e zinjtë sonte ndaj KK Kozuv, respektivisht bardh e kaltrit nesër mbrëma ndaj ekipit KK Kumanovo 2009.

Më në fund, izolimit të basketbollit kosovar i erdhi fundi. Dy skuadrat kosovare: Peja dhe Sigal Prishtina do ta thyejnë barrierën shumëvjeçare, duke debutuar në arenën ndërkombëtare, përkatësisht në Ligën Ballkanike.

Verdh e zinjtë do t’ia bëjnë sefte sonte ndaj ekipit maqedonas KK Kozuv. Kampioni i Kosovës ka udhëtuar dje drejt Gjevgjelisë, ku pritet të zhvillohet ky takim historik për ta.

Sigurisht, Samir Shaptahovic me shokë do të mundohen t’ia zbardhin fytyrën qytetit të Pejës, por edhe mbarë Kosovës, me një paraqitje të denjë.


“Ekipi KK Kozuv është mjaft i fortë, njëri prej më të fuqishmëve në Maqedoni. Ne do ta bëjmë sefte, është ndeshja e parë, prandaj është edhe e vështirë. Por, mendoj se e kemi kualitetin e duhur për t’i bërë ballë kundërshtarit. Pres një lojë interesante, e pse jo ndoshta edhe ta shijojmë fitoren e parë”, ka thënë për Express kryetari i KB Pejës, Art Gashi. Kjo ndeshje do të zhvillohet sonte, duke filluar në ora 19:00.

Kurse, fituesi i Kupës dhe Superkupës së Kosovës do ta nis kampanjën nesër mbrëma, duke e vizituar ekipin KK Kumanovo 2009 në palestrën ‘Sports Hall Kumanovo’, gjithashtu në Maqedoni, duke filluar nga ora 17:30.

Për Fisnik Rugovën, kjo do të jetë mundësia e parë në karrierë që i ofrohet për ta zhvilluar një ndeshje ndërkombëtare zyrtare me bardh e kaltrit.

Njëri prej basketbollistëve më të mirë të Kosovës sot, beson se kryeqytetasit do të dalin mirë nga sfida e parë e tyre në Ligën Ballkanike.

“Është hera e parë që luajmë në arenën ndërkombëtare, jemi shumë të motivuar. Kemi punuar shumë dhe e kemi analizuar lojën e kundërshtarit. Është një lojë mjaft e fortë, por ne do të luajmë mbrojtje të fortë dhe do të hyjmë për fitore. Shpresoj që të luaj mirë në nivelin personal dhe të kem minutash”, deklaroi qendra prishtinase.

Pas hendbollit, basketbolli u bë sporti i dytë i rëndësishëm kosovar që e theu izolimin. Edhe pse Federata e Basketbollit të Kosovës ende nuk është e pranuar në FIBA, të paktën klubet e këtushme do ta kenë mundësinë t’i masin forcat me skuadrat e rajonit… /Express/Telegrafi/

Liga Ballkanike

E martë

KK Kozuv – KB Peja 19:00

E mërkurë

KK Kumanovo 2009 – KB Sigal Prishtina 17:30