LAJMI I FUNDIT:

The Storyteller mbyllet në Londër

The Storyteller mbyllet në Londër

Turneu i koncerteve të projektit The Storyteller është mbyllur me sukses me performancën e dhënë në kryeqytetin britanik Londër. The Storyteller është bashkëprodhim mes Ulhaf Arts nga Britania e Madhe dhe Dam Festivali nga Kosova.

The Storyteller mund të cilësohet si udhëtim magjik nëpër tregime historike, heroike dhe gazmore të marra nga libri i shenjtë Kurani dhe të gërshetuara me muzikën klasike.

Muzika për këtë performancë e inspiruar nga këto tregime është krijuar nga tre kompozitorë kosovarë, Visar Kuçi, Dafina Zeqiri dhe Armend Xhaferi, derisa tregimet janë shkruar nga aktorja libaneze e nominuar për çmimin BAFTA, Alia Al Zougbi.

Ansambli i formuar posaçërisht për këtë projekt përbëhet nga artistë të tre vendeve, së këndejmi nga Kosova në rolin e interpretuesve janë paraqitur violinisti Visar Kuçi, kitaristi Armend Xhaferi dhe tenori Riad Ymeri, nga Britania e Madhe pianistja Rosalind Parker dhe flautistja Holly Jones, derisa nga Libani aktorja Alia Al Zougbi.


Xhaz muzikanti i njohur britanik Paul Murphy njëherit edhe frontmen i grupit “The Destroyers” e ka pëlqyer këtë projekt e sidomos paraqitjen e artistëve kosovarë në të. Derisa drejtoresha gjeneralë e Kompanisë Operistike të Birminghan-it, Jean Nicholson, e cila ka prodhuar shfaqjet më masive operistike së bashku me regjisorin e famshëm Graham Vick, projektin The Storyteller e ka cilësuar si unik në veten e tij.

Aktorja Alia Al Zougbi, e cila përveç paraqitjes në performancë edhe ka shkruar tekstet për këtë projekti, ka thënë se në projekt ajo është ndier shumë e lumtur që është pjesë e kësaj dhe ka pasur rastin të punojë me artistë kaq profesionistë nga Kosova.

The Storyteler për herë të parë është prezantuar në edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikantëve të Rinj- DAM, në muajin mars në Prishtine. Prej atëherë e deri më tash projekti ka evoluar duke u shndërruar në një tërësi më vete që mund të specifikohet si shprehje e re e tregimthënies dhe gërshetimit të tregimit me muzikën bashkëkohorë. The Storyteller do të vazhdoje rrugëtimin në Danimarkë dhe Holandë në muajin tetor. /Telegrafi/