LAJMI I FUNDIT:

Thaçi inkurajon kthimin e serbëve

Thaçi inkurajon kthimin e serbëve

Qeveria është shprehur e vendosur se do t’i eliminojë të gjitha pengesat që i dalin përpara procesit të kthimit. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e dha këtë premtim gjatë drekës që hëngri të martën me familjen serbe Spasiq, shtëpia e së cilës ngriti themelet në një fshat afër Obiliqit.

Në Kosovë është më mirë se në Serbi. Është kjo deklaratë e Radojka Spasiq. Ajo për vite me radhë, së bashku me anëtarët tjerë të familjes, ka qenë e zhvendosur në Vërnjaçka Banjë të Serbisë.

Do të duhet të paktën një muaj që shtëpia të përfundojë. Kryeministri Hashim Thaçi, pasi ka ngrënë drekë me familjarët serbë, ka premtuar se Qeveria që ai drejton, do të mundësojë kthimin për secilin serb që dëshiron të jetojë në Kosovë.

“Familja Spasiq është një familje që u kthye për të jetuar në Kosovën e re, është shembulli më i mirë i jetës në Kosovën e këtij viti. Është familje e kthyer për të jetuar në Kosovën e re, me shtëpi të re, që sapo ka filluar, me investimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat nuk do të ndalen, por do të rriten. Kosova është vend i të gjithëve”, tha Thaçi.


Janë dhjetëra mijëra serbë të zhvendosur, që kanë lënë shtëpitë pas përfundimit të luftës. Ministria e Kthimit thotë se deri më tani janë kthyer 18 mijë persona. Këtë vit pritet kthimi i qindra familjeve serbe.

“Ajo që më bën të lumtur, është se shumë njerëz duan të kthehen dhe po lajmërohen në Ministrinë e Kthimit. Do t’u ndihmojmë në maksimum. Presim që të kthehen disa qindra familje këtë vit. Por, kurrë nuk dihet. Aktualisht, në proces të kthimit janë 45 familje”, tha ministri i Kthimit, Sasha Rashiq.

Sidoqoftë, kjo ministri thekson se për një kthim të qëndrueshëm duhen fonde të mjaftueshme, të cilat aktualisht Qeveria nuk mund t’i sigurojë. Ministrisë së Kthimit, që është përgjegjëse për kthim, këtë vit i janë ndarë vetëm 7. 5 milionë euro. /Radio Evropa e Lirë/Telegrafi/