LAJMI I FUNDIT:

Thaçi: Do t’i marrim të gjitha masat që të ruhet tërësia territoriale e Kosovës

Thaçi: Do t’i marrim të gjitha masat që të ruhet tërësia territoriale e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka mbajtur të enjten mbledhjen e saj në qytetin e Mitrovicës - ku pika kryesore e rendit të ditës ishte shqyrtimi i gjendjes së sigurisë në këtë komunë dhe plani i Qeverisë për Mitrovicën.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se qeveria e tij do të marrë të gjitha masat që të ruhet tërësia territoriale e Kosovës dhe institucionet e Kosovës të kenë shtrirje në të gjithë territorin e vendit. Ai kërkoi nga serbët e Kosovës sidomos nga ata të pjesës veriore të Kosovës që të integrohen në shoqërinë kosovare dhe të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës.

Këto deklarata kryeministri Thaçi i bëri në një mbledhje të qeverisë e cila u mbajt në pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës. Qëllimi i mbajtjes së mbledhjes së qeverisë në Mitrovicë sipas kryeministrit Thaçi, është që të dëshmohet se institucionet duhet të funksionojë në të gjitha rajonet e vendit dhe të jenë sa më afër qytetarit.

Thaçi, tha se gjendja e sigurisë në Kosovë në përgjithësi është e qetë, mirëpo, pranoi se në pjesën veriore të Mitrovicës akoma ka probleme.


Dy pikat doganore në kufirin verior me Serbinë, akoma janë jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës. Ato u dogjën nga serbët lokalë gjatë një proteste kundër pavarësisë së Kosovës. Në këto dy pika kufitare janë të vendosura forcat paqeruajtëse, mirëpo ato nuk janë të obliguara që të kontrollojnë mallrat që hyjnë nga Serbia në Kosovë.

Në këtë kuadër sipas udhëheqësve politik kosovarë nga këto dy pika kufitare po zhvillohet kontrabandë e paparë dhe dëmet që i janë shkaktuar buxhetit të Kosovës janë mbi 40 milionë euro.

Kryeministri Thaçi tha se në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtar në Kosovë shumë shpejtë në këto dy pika kufitare do të vendoset sërish Shërbimi Doganor i Kosovës. /D-Welle/Telegrafi/