LAJMI I FUNDIT:

Teknika e ventilimit me Ambu balon dhe maskë

Teknika e ventilimit me Ambu balon dhe maskë
Dr. Isuf Bajrami, Specialist i mjekësisë urgjente

Prof.ass.dr. Isuf Bajrami
Specialist i mjekësisë urgjente
Qendra e Mjekësisë Urgjente-Prishtinë

Në shumicën e shërbimeve urgjente mjekësore ventilimi me AMB balon me valvule dhe maskë ka përparësi para ventilimit gojë në gojë, gojë në maskë dhe ventilim mekanik.


Para kësaj përdoren pajisje të cilat sajohen nga:

▪ baloni i cili ka veti të zgjerimit. Kjo nënkupton derisa baloni shtypet me dorë. Ajri kalon përmes valvules njëkahëshe deri te maska e pacientit. Kur shtypja ulet, balona automatikisht zgjerohet për shkak të elasticitetit. Ajri hyn nga ambienti përmes vrimës në majën tjetër të balonit ose nga rezervuari për oksigjen nëse është kyçur në balon. Në balon ekziston edhe lidhësja në të cilën mund të kyç gypi me dimenzione të mëdha për furnizim me oksigjen

▪ valvula njëdrejtimëshe e cila pas ndrydhjes së balonit lëshon ajrin kah maska, ndërsa gjatë kohës së ekspiriumit mbyllet dhe ashtu parandalon përsëri frymëmarrjen nga ajri i ekspiruar

▪ maska për fytyrë e cila është e tejdukshme dhe anatomikisht e formuar për mundësinë e përshtatjes në fytyrën e pacientit

▪ rezervuari për oksigjen mund të aktivizohet në balonin vetëzgjërues. Rezervuari për oksigjen është në formë të qeskës ose gypit të zgjeruar që vijnë në volumen për të rritur dhe fëmijë.

Balloni me valvule dhe maskë (BVM) është me qasje në madhësi të ndryshme, por te të rriturit kryesisht përdorën balonat me volumen prej 1600 ml.

Dhënia e volumenit të ajrit nga baloni me valvul dhe maskë varet nga shkathtësia e personit i cili e përdorë. Në qoftë se BVM është kyçur me oksigjen, volumeni i nevojshëm për ventilacion të pacientit mesatarisht arrin 500 ml.

Baloni me valvule dhe maskë

▪ Përdorimi i BVM nuk është aq i thjeshtë sa mendohet.
▪ Përpjekjet për fiksim të sforcuar të maskës në fytyrën e pacientit derisa në të njëjtën kohë shtrydhet baloni mund të rrezikohet ventilimi.
▪ Për këtë arsye nevojitet nëse është e mundur të jenë dy profesionistë mjekësor. Njëri person siguron fiksimin e mirë të maskës në fytyrë të pacientit derisa personi tjetër ndrydh balonin.
▪ Me rastin e ventilimit me BVM mund të përdorën edhe pajisjet bazike për sigurimin e rrugëve të frymëmarrjes siç është tubusi orofaringeal dhe nazofaringeal.
▪ Gjithashtu baloni me valvule dhe maskë mund të kyçet në tubusin endotraheal dhe në pajisje tjera alternative siç janë maska laringeale të tipeve të ndryshme.

Pajisjet

– Pajisjet mbrojtëse
– Tubusi orofaringeal ose nazofaringeal
– Aspiratori me kateter rigid ose të fortë për aspirim
– Stetoskopi
– Baloni me valvul, maskë dhe rezervuar për oksigjen
– Rezervuari i mbushur me oksigjen me rregullator të shtypjes dhe kalueshmëri (bombola për oksigjen me manometër)
– Oksimetri

Vlerësimi primar

Pacienti duhet të jetë i shtrirë në shpinë. Vlerësohet frekuenca e frymëmarrjes, volumeni i frymëmarrjes dhe ndryshimet në lëkur.

Nëse pacienti tregon elemente të mungesës së oksigjenit në inde anoksia, hipoksia) ose merr frymë me volumen të pamjaftueshëm të frymëmarrjes (hipoventilim), nevojitët të ventilohet.
Njëkohësisht nevojitet të vlerësohet cila është madhësia adekuate e balonit me valvul dhe maskë.
Para përdorimit duhet kontrolluar funksionalitetin e balonit me valvul dhe maskë.
Për ventilim efektiv patjetër duhet të sigurohet kalueshmëria e rrugëve të frymëmarrjes së pacientit.
Nëse rrugët e frymëmarrjes janë të mbyllura për shkak të rënies së gjuhës ose indeve të buta të faringsit, nevojitet të përdorim njërën prej metodave për hapjen e tyre.
Para fillimit duhet larguar /aspironi trupin e huaj ose sekretet, mukozën, gjakun dhe të ngjashme.

Teknika e ventilimit me AMBU me një shpëtimtar

Veprimet e ventilimit me balonin me valvul dhe maskë, teknika për dy persona

1. Përdorini masat mbrojtëse.

Shpjegim: Detyrimisht bartni dorëzat dhe syzet mbrojtëse në qoftë se kemi prani të gjakut dhe sekrecione trupore me qëllim të preventives ndaj sëmundjeve ngjitëse.
Zbatimi i kësaj teknike i nënshtrohet rrezikut e madhe të ekspozimit ndaj lëngjeve trupore prandaj masat mbrojtëse janë të obliguara me rastin e ventilimit me BVM.

2. Vlerësoni cili BVM është adekuat për pacientë.

Shpjegim: Në shumicën e rasteve, mund të zgjedhën madhësi për të rritur, fëmijë ose porsalindur. Madhësia e zgjedhur gabimisht mund të shkaktoj ventilim të tepruar ose të pamjaftueshëm.

3. Kontrollo funksionalitetin e BVM.

Shpjegim: Nëse BMV ka qenë keq mirëmbajtur për një kohë të gjatë (e lakuar) mund të ndodhë që të dëmtohet që mundet seriozisht të rrezikoj ventilimin efikas të pacientit (dhënia e volumenit të pamjaftueshëm).

4. Pacientin vendosni në shpinë.

Shpjegim: Ky është pozicioni i vetëm që pacienti guxon të ventilohet me balonin me valvul dhe maskë. Vetëm në rast kur evakuimi i pacientëve të bllokuar zgjatë shumë (nga automjeti, rrënojat e të ngjashme) pacientin mund të ventilojmë në ndonjë pozicion tjetër.

5. Profesionisti shëndetësor që udhëheq këto veprime duhet të qëndroj mbi kokën e pacientit, ndërsa anëtari tjetër i ekipit anash pacientit.

Shpjegim: Ky pozicion mundëson pozitën më të mirë për hapjen e rrugëve të frymëmarrjës dhe mbajtjen e maskës në fytyrën e pacientit.

6. Hapni rrugët e frymëmarrjes.

Shpjegim: Hapni rrugët e frymëmarrjes dhe siguroni veprimet standarde me hedhje të kokës dhe ngritje të nofullës së poshtme. Te dyshimet për lëndime të unazave cervikale, zbatoni tekniken e shtyrjes së nofullës së poshtme nga përpara me stabilizim të kokës dhe qafës.

7. Kontrolloni kavitetin e gojës së pacientit dhe largoni trupin e huaj ose sekrecionet (aspironi sipas nevojës).

Shpjegim: Kontrolli i kavitetit oral është me rëndësi vendimtare. Zbatimi i frymëmarrjes artificiale te pacientët të cilët në rrugët e sipërme të frymëmarrjes kanë përmbajtje të fortë ose sekret mund të shkaktoj opstrukcion të rrugëve respiratore dhe aspirim të përmbajtjes në rrugët e poshtme të frymëmarrjes.
Për këtë arsye me rëndësi vendimtare është të largohet përmbajtja e fortë ose të aspirohet sekrecioni para vendosjes së maskës në pacient.

8. Vendosni tubusin orofaringeal ose nazofaringeal nëse keni qasje.

Shpjegim: Tubusi orofaringeal dhe nazofaringeal ndihmojnë në mbajtjen e kalueshmërisë së rrugëve të frymëmarrjes dhe lehtësojnë ventilimin. Vendosja e tubusit orofaringeal dhe nazofaringeal nuk guxon të shtyjë ventilimin prandaj është parim së pari ventilimin e pacientit me balon zgjerues valvul dhe maskë e më vonë insertimi i tubusit orofaringeal dhe nazofaringeal.

9. Personi që qëndron mbi kokë të pacientit vendos maskën në fytyrën e pacientit ashtu që pjesa e ngusht e maskës mbulon rrënjën e hundës, ndërsa pjesa e gjerë e maskës vendosët mes buzës së poshtme dhe mjekrës. Duke mbajtur maskën me forcë të fiksuar në fytyrë të pacientit, gishtërinjtë e mëdhenj i vendosim në pjesën e sipërme të maskës (pjesa e ngushtë) ndërsa gishtin e vogël, gishtin e unazës, gishtin e mesëm dhe gishtin tregues përgjatë pjesës së poshtme të mandibullës së pacientit deri te këndi i nofullës së poshtme njëkohësisht duke tërhequr atë nga lartë kah maska.

Shpjegim: Pozita e përshkruar e dorës mundëson fiksim më të mirë të maskës në fytyrë të pacientit, por personi me shuplakë të vogël mund të ketë problem gjatë ngjitjes ose fiksimit të maskës në atë mënyrë duhet ndërruar me qëllim të sigurimit të mos vije deri te rrjedhja e ajrit.

Teknika e ventilimit me dy shpëtimtarë

10. Personi tjetër që ndihmon fillon ngadalë të ndrydh balonin duke vazhduar të arrij numrin e dëshiruara të frymëmarrjes në minutë. Nevojitet të fryhet ajër në mushkëri minimalisht 1 në 5 sekonda te të rriturit.

Shpjegim: Është shumë me rëndësi që me balon të mos fryhet tepër ose shpejtë. Balonit i nevoitet kohë që prapë të fryhet, ndërsa pacientit të nxjerr frymën ose ekspirojë para se ajri përsëri të fryhet. Shtypja e tepruar në balon mund të shkaktoj rritje të shtypjes në rrugët e sipërme respiratorë. Me shtypje të lartë të frymëdhënies dhe maska e shtypur në fytyrë të pacientit kemi një besueshmëri të lartë që ajri do të hynë në ezofag e mandej në lukth, që rritë rrezikun për vjellje dhe aspirim eventual të përmbajtjes gastrike.

11. BVM sa më shpejtë duhet të lidhet me bombolën e oksigjenit dhe të zbatohet rrjedhje më e lartë (15 lit/min).

Shpjegim: Lidhja e BVM në rrjedhjen e oksigjenit është e rëndësishme, por jo aq e rëndësishme sikur ventilimi i pacientit. Lidhja e BVM me bombol me oksigjen nuk guxon të shtyjë ventilacionin ashtu që në fillim ai mund të filloj pa oksigjen shtesë. Pasi që rrugët e frymëmarrjes janë hapur dhe siguruar dhe është filluar me ventilim nevojitet sa më shpejtë të jet e mundur të lidhet BVM me bombolën e oksigjenit. Ventilimi me BVM me sigurim të rrjedhjes maksimale të oksigjenit shumë zvogëlon volumenin e nevojshëm të ajrit të ekspiruar. Kjo është posaçërisht e rëndësishme kur ventilohen personat e rritur. Në këtë mënyrë njëkohësisht shpejtë zgjidhet hipoksia.
Kontrolloni se BVM a është kyçur drejt me lidhësen e bombolës së oksigjenit.

12. Observoni ngritjen e kafazit të kraharorit me rastin e çdo ventilimi.

Shpjegim: Me rastin e çdo frymëdhënie, duhet shikuar ngritjen e kafazit të kraharorit, që ndihmon në vlerësimin e rregullaritetit të ventilimit.

13. Keni kujdes në rezistencë e cila lajmërohet me rastin e ndrydhjes së balonit.

Shpjegim: Normalisht ndieni rezistencë të lehtë gjatë kohës së ndrydhjes së balonit, por paraqitja e rezistencës së fortë e cila kërkon shtypje të fortë të balonit na orienton në paraqitjen e opstrukcionit në rrugët e frymëmarrjes.

14. Në qoftë se me rastin e ventilimit mungon ngritja e kafazit të kraharorit, është e mundur që rrugët e frymëmarrjes janë të mbyllura.

Shpjegim: Përpjekjet që rrugët e frymëmarrjes të mbyllura me forcë të ventilohen mundet vetëm të keqësojnë opstrukcionin ekzistues. Për këtë arsye para çdo frymëdhënie duhet të konstatohet kalueshmëria e rrugëve të frymëmarrjes dhe nga to të largohet përmbajtja e huaj.

15. Gjatë tërë kohës së ventilimit nevojitet të përcillet gjendja e rrugëve respiratorë të pacientit, niveli i vetëdijes dhe përpjekjet gjatë frymëmarrjes. Nevojitet të auskultohet kafazi i kraharorit.

16. Dokumentacioni.

Shpjegim: Me rëndësi vendimtare është të evidentohet e gjithë ajo që është bërë dhe është vërejtur me qëllim të fitimit të një pasqyre për rrjedhjen e ngjarjeve.

Vlerësimi sekondar

Gjatë ventilimit është e domosdoshme të monitorohet vazhdimisht ngritja e gjoksit të pacientit dhe rezistenca e cila lajmërohet me rastin e frymëdhënies.
Nëse pacienti përgjigjet ndaj frymëmarrjes spontane, vlerësoni efektivitetin e frymëmarrjes.
Tubusin orofaringeal ose nazofaringeal të vendosni sa më parë që është e mundur, me qëllim të sigurimit të ventilimit adekuat.
Kërkoni shenjat e vjelljes ose sekreteve gjatë kohës së ventilimit dhe sipas nevojës aspironi.

Vërejtje me rëndësi

▪ Në qoftë se ventilimi me BVM zbatohet nga një person është shumë vështirë të arrihet volumen i mjaftueshëm i frymëdhënies me mbajtje të njëkohshme të maskës dhe shtrydhje të balonit. Në disa raste njëri, nëse jo të dy këto veprime rrezikohen. Edhe më vështirë nëse shpëtimtari ka shuplakën e vogël ose pacienti është i madhe. Megjithatë dy persona këtë veprim mund ta zbatojnë me efikasitet.
▪ Në qoftë se nuk shihet ngritja e kafazit të kraharorit ose ndihet dalja e ajrit prej maskës, nevojitet të ndryshohet pozita e kokës së pacientit, puthitni maskën në fytyrë dhe përsëri tentoni të ventiloni.
▪ Përdorimi i BVM të pacientët me dyshim për lëndime të unazave është shumë i vështirë. Sigurimi i rrugëve të frymëmarrjes të hapura duke mbajtur kokën dhe qafen në pozicion neutral derisa njëkohësisht zbatohet ventilimi me BVM është shumë i vështirë. Përdorimi i tubusit orofaringeal ose nazofaringeal dhe zbatimi i veprimeve me dy shpëtimtarë munden ventilimin me BVM ta bëjnë shumë më të suskseshëm.
▪ Maskat e tejdukshme mundësojnë që menjëherë të vërehen nëse ka ardhur deri te grumbullimi i sekreteve ose materieve tjera në rrugë të frymëmarrjes. Në këto raste rrugët e frymëmarrjes duhet menjëherë të pastrohen manualisht duke larguar copat më të mëdha ose me aspirim. Në të kundërtën zbatimi i frymëmarrjes artificiale mund të sjell deri te aspirimi i përmbajtjes në mushkëri ose opstrukcioni i rrugëve respiratorë.
▪ Maskat nuk ju përshtaten të gjithë pacientëve që mund të shkaktojnë vështirësi gjatë ventilimit, psh. pacientët me fytyrë të vogël ose të madhe me mustaqe dhe mjekër pa proteza të dhëmbëve, të lënduarit me vendosje të qafores për imobilizim të unazave të qafës si dhe atyre me lëndime të fytyrës. Atëherë duhet me kujdes të zgjidhet maska e cila do të mundësoj ventilacion të mirë.
▪ Në qoftë se gjatë ndrydhjes së balonit zgjerues paraqitet rezistenca ose ai bëhet më i madhe është e mundur se ka ndodhur opstrukcion i rrugëve respiratorë si dhe te rritja e rezistencës në kafazin e kraharorit.
▪ Patjetër duhet kontrolluar funksionalitetin dhe higjienën e BVM.

Veçoritë te fëmijët dhe personat e moshuar

– Rrugët e frymëmarrjes në këto dy grupe të pacientëve janë të brishta dhe mundën lehtë të dëmtohen me shtypje të rritur.
– Kohëzgjatja e frymëdhënies te fëmijët dhe foshnjat është 1 deri 1.5 sekonda.
– Jepet një frymëdhënie çdo 3 sekonda.
– Duhet zgjedhur madhësinë adekuate të maskës.
– Te pacientët e moshuar duhet kujdesur që gjatë çdo ndrydhje të balonit elastik të frymë të jepet gjatë 2 sekondave.
– Balonat zgjerues vijnë në tri madhësi: 250, 450 – 500 dhe 160 – 2000ml.
– Më së paku shfrytëzohen madje edhe për reanimim të porsalindurve kur nevojitet frymëmarrje e zgjatur gjatë frymëdhënies së parë.
– Dy madhësitë më të vogla të balonave janë të pajisura me valvul me kontroll të presionit të lartë në vlerë prej 35 deri 45 mmHg e cila parandalon dëmtime të mushkërive të shëndosha me shtypje të lartë ventiluese.
– Gjatë reanimimit mund të nevojiten shtypje më të larta së zakonisht, prandaj shkyçet valvula për kontrollin e shtypjes me presion.
– Shumica e balonave elastik nuk mbështetin frymëmarrjen spontane.
– Oksigjeni kalon vetëm deri atëherë kur valvula është e hapur e kjo ndodhë derisa baloni ndrydhet. Në qoftë se baloni nuk ndrydhet, fëmija nuk do të mund të merr frymë, pasi nuk mund të gjenerojë shtypje që do të hapte valvulen.
– Maskat të cilat shfrytëzohen me BVM duhet mirë të përfshihet goja dhe hunda, pa shtypje në sy. Më të mirat janë maskat me hapësirë më të vogël.
– Duhet të jenë të tejdukshme me qëllim të mund të kontrollohet ngjyra e fëmijëve dhe mundësia e përmbajtjes së vjellur.
– Ekzistojnë maska të madhësive të ndryshme dhe formave të ndryshme: anatomike dhe rrethore. Maskat me formë rrethore, nga plastika e butë ose me tehe të fryra mundësojnë puthitje ose fiksim të mirë të i porsalinduri dhe fëmija i vogël.
– Maska anatomike e formuar mund të përdoret për fëmijë të rritur dhe adult. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori