LAJMI I FUNDIT:

Teatri Kombëtar i Shqipërisë në Unionin Evropian

Teatri Kombëtar i Shqipërisë në Unionin Evropian

Teatri Kombëtar i Shqipërisë është tashmë anëtar i Unionit të Teatrit Evropian Konvencional (ETC), një organizëm i themeluar në vitin 1988, që numëron 40 teatro kombëtare në 22 shtete të Evropës.

Sipas drejtorit të TKSH, Kristaq Skrami, në mbledhjen e asamblesë së ETC, më 23 maj në Dresden (Gjermani), të gjithë anëtarët votuan me unanimitet anëtarësimin me të drejta të plota të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë në këtë union.

Sipas tij, anëtarësimi i Teatrit Kombëtar të Shqipërisë në këtë organizëm të rëndësishëm evropian është fryt i punës së këtij institucioni artistik në Shqipëri, nga themelimi i tij në vitin 1945.

"Kjo ngjarje, i përket të gjithë teatrit shqiptar dhe jo vetëm atij kombëtar", – tha Skrami.


Krahas privilegjeve që ofron ky anëtarësim, për Skramin i rëndësishëm mbetet shkëmbimi i eksperiencave dhe vlerave midis teatrove evropianë.

"Ky union ka si qëllim shkrirjen e vlerave, duke ruajtur identitetin e çdo teatri", tha Skrami.

Anëtarësimi në këtë organizëm për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë nënkupton shkrirjen zyrtare të kufijve institucionalë, kulturorë dhe teatrorë evropian si dhe përfshirjen në institucionet kulturore evropiane. Ky anëtarësim nënkupton edhe promovimin e artit teatror shqiptar në Evropë, nëpërmjet projekteve të përbashkëta. /Panorama/