LAJMI I FUNDIT:

Të vërtetat dhe profecitë

Meqë po u drejtohem, kam për obligim t’ju bëj me dije kush po ju drejtohet. Tashmë e keni lexuar: “U ikën moleri”. Kështu thanë mediet për të përshkruar dorëheqjen time nga detyrat dhe përgjegjësitë në Lëvizjen Vetëvendosje!. Moler është ai njeri që punë të vetme e ka ngjyrosjen, por që edhe qëllim të vetëm e ka ngjyrosjen. Unë as e kisha punë të vetme ngjyrosjen, e as qëllim madje. Unë dhe Durimi e ngjyrosëm me të kuqe atë që nuk skuqej, që vidhte, që e shkatërroi UP-në, që i bleu çmime UP-së e që e thelloi në borxhe.

Unë dhe Durimi e bëmë atë që bëmë, ashtu që ju të mund të merrnit vesh se çka po ndodh në UP. Dhe, ju e morët vesh. Ne ia drejtuam sado pak vëmendjen medias drejt zyrës së Rektoratit ku vjedhja ishte industri; aty ku korrupsioni rrezikonte të ardhmen e vendit duke shkatërruar bartësin kryesor të arsimit të lartë në Kosovë: Universitetin e Prishtinës. Ne nuk ishim aspak molerë. Ne ishim aktivistë të pastër politikë. E thamë të vërtetën, në mënyrën më të sinqertë, ashtu të vrazhdtë siç ishte, ani pse s’ju pëlqeu atëkohë, por ju pëlqen sot, se e demaskuam krimin ndaj shoqërisë sonë.


Pa dashur t’i jap materiale SHIK-ut dhe dashakeqëve të popullit të Kosovës, ju them thjesht: dhash dorëheqje, sepse nuk pajtohesha me çështje organizative (të brendshme) të Lëvizjes Vetëvendosje!. (dhash dorëheqje edhe nga pozita e deputetit të Parlamentit të Studentëve, ai vend i takon SKV-së dhe jo mua). Nuk jam i bindur që duhet ndjekur ato rrugë organizative për të përmbushur plotësisht atë program. Por, ato me të cilat nuk pajtohem, nuk e rrezikojnë ende programin politik të Lëvizjes e as konceptet themelore të saj. Prandaj, po të thosha gjëra, SHIK-u do t’i keqpërdorte, jo sepse e do Kosovën, por sepse e urren Lëvizjen.

E rëndësishme është që unë (dhe Lëvizja) të vazhdoj të besoj në të drejtën për vetëvendosje të popullit të Kosovës; Të drejtën për vetëvendosje të jashtme (bashkimin me Shqipërinë), të drejtën për vetëvendosje të brendshme (administrimin si t’ia dojë qejfi popullit me resurset natyrore dhe pronat publike). Pra, unë mbetem njëfarë aktivisti i çështjes së vetëvendosjes, veçse në ndonjë formë tjetër.

Kam pasur mundësinë që kohëve të fundit të përcjell mediet, deklaratat, shkrimet e qëndrimet që ndryshojnë çdo ditë. Le të flasim thjesht, qartë, të vërtetën siç na shfaqet dhe siç e dimë. Po të ishin në interesin tonë, siç u tha kohëve të fundit, ne do t’i kërkonim negociatat apo jo? Do t’i kishim kërkuar qysh moti. Por, çdo herë ato na janë imponuar. Na janë imponuar sepse ishin të dëmshme për ne. Ne kemi të drejtën për vetëvendosje të përcaktuar në ligjin ndërkombëtar, në rezolutat e OKB-së. Na u dha e drejtë në njëfarë forme edhe nga GJND-ja, kur u tha se pavarësia jonë nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Ne s’duhet të negociojmë, ne duhet ta ushtrojmë të drejtën tonë. Por, neve na bëhet trysni, ashtu që të heqim dorë nga e drejta jonë, t’u hyjmë pazareve dhe të falim territor. Kaq puna, po hymë digjemi ne.

Njëjtë siç nuk arrihet realizimi duke e mbajtur fshehur aspiratën kombëtare për bashkim, njësoj aspiratat ekonomike s’mund të mbahen fshehur. Jo “nuk e duam këtë lloj të privatizimit”, por “nuk e duam fare privatizimin”. Për dy arsye:

1. Sepse ndërmarrjet publike të Kosovës janë krijuar me punën, djersën, e edhe me gjakun e popullit të Kosovës nën Jugosllavinë shtypëse. Pra, sepse është e drejtë e jona t’i kemi nën pronësinë tonë ato që i krijuam vetë. Pasuria e Kosovës është e popullit të saj. Është e drejtë e popullit të Kosovës të administrojë si t’ia ka qejfi me pasurinë e tij.

2. Sepse ka një logjikë të thjeshtë që më thotë se ajo që është në duart e mija ka mundësi të më sjellë fitime mua, ndërkaq ajo e tjetrit do t’i sjellë fitime vetëm atij. Pasuritë ekonomike tonat, po të jenë në duart tona, në mos funksionofshin tani, dikur mund të arrijmë t’i funksionalizojmë e mbase na sjellin ndonjë fitim. Por, po qenë në duart e privatëve, fitime për ne s’do të ketë kurrë. Është e pandershme të më thuash që s’ka shpresa për këto ndërmarrje. Si nuk paska shpresa për to e paska kaq shumë të interesuar t’i blejnë ato? Kush qenkan këta budallenj turq, francezë, gjermanë e amerikanë që po dashkan të blejnë ndërmarrje të pashpresa?

Duke qenë se me prejardhje jam nga Skenderaj, kam shumë kushërinj e të afërm të afërt me PDK-në. Tregimet e kushërinjve për raportet në PDK mu desh t’i harmonizoja me deklaratat e fundit të zyrtarëve të saj dhe voila: Në PDK më thanë se është krijuar një fraksion i padukshëm që ende s’do ta tregojë fuqinë e vet. Z. Jakup Krasniqi dhe z. Fatmir Limaj paskan diku nja 12-13 deputetë (ka mundësi që të bëjnë më shumë) në një grup që nuk shfaqet ende si grup brenda PDK-së. Këta planifikojnë që në shtator ta provokojnë ndarjen në PDK dhe të faktorizohen tej mase. Pa këtë grup është e qartë që kryeministri Hashim Thaqi as që mund t’i mendojë negociatat. Madje ky grup paska marrë garanci nga krerë të AAK-së se ata nuk hyjnë në koalicion pa ta. Koalicioni i shtatorit do të jetë mes tre grupeve politike, që me hutinë që do të krijojë në opinion fraksioni – Krasniqi/Limaj, do të duken mjaft të fortë dhe të përgatitur për t’iu rrekur ndarjes së re të ministrive, negociatave për veriun, dhe faljes së pasurive publike.

Përballë kësaj situate LDK-ja ka shumë mundësi të rrëmbehet nga histeria e mungesës së pjesëmarrjes dhe ta ngjyejë sado pak. Ose-ose, do të bëjë atë që di më së miri që nga vitet 1990, ta ruajë pragun (në këtë rast, pragun zgjedhor të zgjedhjeve të ardhshme).

E sa për Lëvizjen Vetëvendosje!, nuk po them asgjë, sepse besoj e kemi të qartë të gjithë. Nuk do të përfshihen në negociata e as në koalicione, jo kështu siç i njoh unë. Vetëm një gjë mbetet të shihet: a do t’i shfrytëzojnë vërtetë të gjitha mjetet jashtë ndërtesave institucionale, siç thoshim dikur: “me njërën dorë në institucione e me krejt trupin jashtë”?