LAJMI I FUNDIT:

Të mërkurën hapet panairi i librit në Prishtinë

Të mërkurën hapet panairi i librit në Prishtinë

Adhuruesit e librit në vend do të mund t’i plotësojnë vitrinat e tyre me librat më të rinj, nga se në panairin e njëmbëdhjetë që pritet të mbahet nga 3 deri më 7 qershor në Prishtinë do të ketë zbritje deri 20 për qind.

Drejtuesit e Shoqatës së botuesve të Kosovës pohojnë se këtë vit interesimi i shtëpive botuese për pjesëmarrje ka qenë më i madh.

Ndonëse nuk do të ketë ndonjë shkrimtar më famë mysafir në këtë edicion, organizatorët paralajmërojnë se do të ketë shumë risi. Madje disa shtëpi botuese do të organizojnë lojëra shpërblyese për t’i stimuluar qytetarët.

Pritet që në këtë panair të prezantohen më shumë se dy mijë tituj të rinj.


Panairi i Librit këtë vit nuk është mbajtur si zakonisht në maj, pasi që sipas drejtueseve të Shoqatës së botuesve të Kosovës, në fillim të muajit jepen rrogat dhe ata presin më shumë shitje.

Panairi do të hapet nga presidenti Fatmir Sejdiu të mërkurën në mbrëmje. /ktv/