LAJMI I FUNDIT:

Të harruarit

“A do të vazhdosh të kesh ende nevojë për mua, a do të vazhdosh ende të më ushqesh mua… kur të bëhem 64 vjeç?” – Paul Mccartney

Është ndjenj; e trishtimit sa herë që provojmë ta kujtojmë vetën në situatën kur mund të jemi të varur nga përkujdesja e të tjerëve dhe zakonisht përpiqemi të injorojmë këtë ndjesi duke nxitur besimin tek vetja se kjo nuk mundë të na ndodhë neve.


Paraqitja televizive e pamjeve nga shtëpia e pleqve, me rastin e festave të Vitit të Ri, mbartë në vete ironinë e shoqërisë së sotme, derisa lotët në sytë e tyre janë veçse një grumbull i trishtimit, pikëllimit, mallit për të afërmit, braktisjes dhe vetmisë.

Nëse Pablo Casals kishte të drejtë kur thoshte: ”Unë e ndjejë se kapaciteti për t}u përkujdesur është gjëja e cila i jep jetës domethënien e sajë më të thellë”, pyetja që shtrohet është e pashmangshme> ku ndodhet shoqëria e jonë? Ku janë ata që i rritën, i shkolluan, ata që i quanin familje?

Nga e gjithë kjo mbetën disa lot;. Çdo ditë e re tek ta nuk sjell asgjë të re, përpos zhgënjim, trishtim, disfatë ndaj jetës dhe mall, shumë mall e shumë kujtime që vërtiten në kokat e tyre të lodhura e në trupat e pafuqishëm.

Prej kujt e huazuam këtë shprehi, pasi që populli ynë shquhej për tradita familjare, kujdes ndaj të moshuarve e respektit të fjalës së plakut.

Çështje që vlen të përmendet janë edhe të vendosurit në Institutin special në Shtime. Shoqëria është ajo e cila duhet t}i ketë në ndërgjegje të plotë grup individësh. Në pamundësi të shërimit e kujdesit, familjarët janë të detyruar të bëjnë zgjidhjen e fundit (do ta quaj zgjidhje ) që t}i dërgojnë në këtë institut.

Si është kujdesi ndaj tyre, sa vizitohen nga përfaqësuesit e shtetit, sa vizitohen nga vet familjarët apo janë harruar edhe nga vet familja, sepse dinamika e jetës së ngarkuar e bënë të veten dhe ata thjeshtë nuk kanë kohë të merren me ta.

Gjendjen e rëndon edhe një numër i konsideruar i ankesave për keqtrajtim apo abuzim të të vendosurve nga ana e vetë personelit.

Janë pjesë e shoqërisë. Që të jetojnë një jetë më të mirë, shoqëria nuk duhet t’ua kthej shpinën, por t’ju dal në ndihmë dhe me përpjekje të vazhdueshme për përmirësim të gjendjes, t’i vizitojë jo vetëm për Vit të Ri apo në ditën ndërkombëtare të shëndetit mendor, por edhe ditëve tjera.

Duke parë shtëpitë e pleqve, vetvetiu parashtrohet pyetja: ku do të jemi ne kur të mbërrijmë në moshë të tyre?