LAJMI I FUNDIT:

TC “Kosova C”, tani projekti diskutohet me popullatën

TC “Kosova C”, tani projekti diskutohet me popullatën

Projekti për ndërtimin e Termocentralit “Kosova C”, nuk do të kalojë pa u diskutuar së pari me popullatën e cila është e para që do të pësojë nga ndotja që të lëshojë ai.

Ministria e Energjisë dhe Minierave (MEM) ka publikuar dokumentin “Vlerësimi Strategjik Mjedisor dhe Social”, në mënyrë që të merren vërejtjet dhe sugjerimet mjedisore për ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova C” dhe hapjen e minierës së re në Sibovc.

“Qeveria e Kosovës është pajtuar që projekti të realizohet, por duke i marrë parasysh të gjitha aspektet mjedisore dhe sociale.Raporti është bërë në dy faza. Në fazën e parë janë anketuar me 1580 ekonomi familjare. Projekti paraqet opsione të ndryshme për lokacionin e projektit “Kosova C”, ndërtimit të kapaciteteve, dhe anën mjedisore, duke përfshirë teknologjinë më të avancuar”, tha në një konferencë për media ministrja e Energjetikës dhe Minierave, Justina Pula.

Sipas saj, Kosova është duke zhvilluar parimet e qeverisjes së mirë, transparencës dhe pajtueshmërisë me standardet ndërkombëtare mjedisore dhe sociale, ndërsa procesi është në pajtim edhe me direktivën e Komisionit Evropian mbi vlerësimin strategjik mjedisor të planeve dhe programeve dhe me politikat dhe procedurat e masave mbrojtëse të Bankës Botërore.


Mahir Yagcilar, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se synimet e draft dokumentit janë që të finalizohet me standardet evropiane të mjedisit si dhe të bëhet përfshirja e gjithë shoqërisë në debat.

Përfaqësuesi i Bankës Botërore, Ranjit Nayak, pohoi se projekti “Kosova C”, është lidhur me çështjet mjedisore dhe është tejet i rëndësishëm për të adresuar problemet mjedisore, meqenëse mjedisi është shumë i rëndësishëm si për zhvillimin ekonomik ashtu edhe social.

“Ne jemi këtu që të mbështesim qeverinë, në mënyrë që qeveria të marrë vendime për energjinë, që Kosova të ketë energji të mjaftueshme të ripërtëritshme. Kosova duhet t’i plotësojë standardet evropiane mjedisore.

Ky është drafti i parë dhe përcakton debatin, në të cilin shoqëria civile dhe qytetarët do të kenë mundësi të kyçen”, tha përfaqësuesi i Bankës Botërore, Ranjit Nayak. /Telegrafi/