LAJMI I FUNDIT:

Takimet e Poeteshave Shqiptare në Vushtrri

Takimet e Poeteshave Shqiptare në Vushtrri

Për të njëzeteshtatën herë me radhë të premten në Vushtrri fillon Manifestimi më i madh letrar në trojet shqiptare kushtuar femrave krijuese i titulluar "Takimet e Poeteshave Shqiptare, Vushtrria 2009", i cili do të zgjatë për dy ditë radhazi.

Hajdin ISLAMI

Poezitë e përzgjedhura nga Juria e Festivalit do të recitohen nga autoret në Orën e Madhe letrare që do të fillojë në orën 20:00 në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina”.

Gjatë ditës së nesërme për poeteshat shqiptare do të organizohet një pritje edhe kryetari i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, më pastaj poeteshat diku rreth orës 11:30 do të defilojnë në qytetin e Vushtrrisë, për të vazhduar më pastaj me disa orë letrare në disa shkolla të Vushtrrisë si dhe diku rreth orës 14:30 poeteshat do të qëndrojnë për disa çaste në Prekaz.


Burime tona bëjnë me dije se në festival do të marrin pjesë edhe disa poete të njohura shqiptare të cilat e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Njoftohet se ky festival do t’i ndaj tre çmime kryesore për tri poezitë më të mira, vendi i parë do të shpërblehet me 500 euro, i dyti me 300, ndërsa vendi i tretë me 200 euro.

Gjatë dy ditëve sa do të mbahet ky manifestim është paralajmëruar se do të mbahen aktivitete të shumta kulturore. Po ashtu sot është hapur një ekspozitë nga Shoqata e Artistëve Figurativ të Vushtrrisë. Rezultatet do të shpallen të shtunën pas tribunës letrare.