LAJMI I FUNDIT:

Ta padisim Qeverinë

Disa shembuj

Këto ditë na u kumtua që KEK-u na i ka kthyer disa nga paratë e mbledhura në emër të parapagimit të RTK-së. Për këtë ndërmarrje, KEK ishte thirrur në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese e cila thërret të mos faturohen qytetarët për diçka që është e jashtëligjshme. Por, duhet t’i bëhet me dije KEK-ut se faturimi për RTK-në ka filluar në 2003. Kështu që kjo kompani secilës amvisëri dhe biznes i ka borxh diku rreth 200 euro. Në këtë kuadër, KEK-u u ka borxh qytetarëve e jo e kundërta.
Tjetra. Para disa ditësh ndodhi një skandal tjetër në RTK. Një punëtor në RTK e fyeu një gazetare të Televizionit të Dukagjinit. Rasti u përmend nja 3-4 herë dhe u harrua. Ndërkohë, Qeveria e Kosovës përsëri i ndau RTK-së rreth 5 milionë euro për vetëm gjashtë muaj shpenzime.

Është e çuditshme se si TV Dukagjini nuk bën padi ndaj punëtorit, përkatësisht RTK-së si agjencion shtetëror dhe është çudi pse Qeveria e Kosovës e ushqen me para këtë televizion derisa e ka gojën përplot luftë kundër korrupsionit. Më tej. Para disa ditësh, një koleg më tregoi që ishte dënuar nga një polic trafiku sepse i kishte skaduar afati i tabelave të regjistrimit të veturës, ndërkohë që Qeveria jonë nuk lëshon tabela të tilla.


Tashti, është e çuditshme se si i kemi me qindra avokatë anembanë Kosove e nuk iu shkon mendja të formojnë kompani ligjore ku qytetarët do të dorëzonin ankesat e tyre që i kanë me shtetin, përkatësisht, qeverisjen, dhe kështu ta padisin atë, siç është rasti me tabelat e regjistrimit (që Qeveria nuk i lëshon) dhe me RTK-në (parapagimi, buxheti dhe fyerja).

Ose, nëse është bërë gropa në rrugën e shtruar, pra të investuar nga Qeveria (qendrore ose komunale) përmes tatimeve tona dhe vetura juaj dëmtohet nga ajo gropë, atëherë është Qeveria (qendrore ose komunale) ajo që duhet të paditet.

Qytetari aktiv

Ajo për çka flitet këtu është ajo ndërmarrja që po quhet qytetari aktive ose Kosova shtet qytetar. Koncepti i qytetarisë aktive në letër dhe i qytetarit aktiv në praktikë është i vlefshëm në momentin kur qytetari, si pjesëmarrës dhe krijues i shoqërisë dhe i vlerave në të, kthehet kundër shtetit, pra kundër mënyrës së qeverisjes (pa marr parasysh nga kush udhëhiqet Qeveria). Kjo “kundër qeverisjes” nuk ka të bëj me përdorimin e pushkës por me përdorimin e ligjit, pra me padi civile e penale kundër veprimeve dhe mosveprimeve të Qeverisë.

Një qytetar i tillë aktiv tregon që është qytetari ai ose ajo që e qeveris këtë vend, këtë shtet, ndërsa Qeveria, përmes qeverisjes, është vetëm administratore. Sepse në momentin kur Qeveria qeverisë qytetarët e vet, atëherë ekziston prirja që ajo Qeveri të kalojë në regjim.

Qeveria e cila nuk punon për qytetarin, punon kundër qytetarit. Është rezultati dhe përvoja e punës ajo që na e mëson kur një Qeveri punon për ose kundër qytetarit. E, kur flitet për qytetarin, flitet për vet shtetin. Dhe anasjelltas. Pra, qytetari e ndërton shtëpinë, qytetari e rrënon shtëpinë. Të tjerat jashtë kësaj janë çështje administrative. Ajo që dua të them është se pas GJND-së vjen Dubrava. Vendimi i GJND-së, në fakt, e ka kthyer Kosovën në pikën zero, atje ku ishim nja njëzet vjet më parë. Por, tashti duhet të dihet se kush prej nesh dëshiron të ndërtojë këtë vend e kush jo.

Çështje terminologjie

Nuk dua të hyjë në përkufizimet se çka është shteti dhe çfarë do të thotë të punosh për shtetin. Jam njëri ndër ata që mendojnë se kjo dukuri ndërlidhet me bindjen individuale që quhet patriotizëm. Sido që të jetë, të gjithë e dimë që sot është vështirë të punosh për shtetin, sidomos kur kihet parasysh që kudo që shkel me këmbë dhe çfarëdo që prek me dorë, shkel dhe prek në korrupsion. Por, megjithëkëtë, nuk guxojmë t’ia kthejmë shpinën shtetit.

Nuk jam këtu të mbaj mësime nga patriotizmi. Ka disa që thonë që demokracia dhe patriotizmi nuk shkojnë bashkë. Përderisa disa mendojnë që demokracia nënkupton biznesin, pra marrëdhënien ndërnjerëzore të bazuar në para, të tjerët thonë që patriotizmi është bindje dhe vlerë qytetare që e ndërton dhe e mban shtetin, pra e ushqen. Sido që të jetë, unë kam vendosur të mos hyjë në mes, të mos ndaj drejtësi. Besoj që është përvoja mësimi më i mirë historik për gjithçka, edhe për shtetin edhe për patriotizmin.