LAJMI I FUNDIT:

Stigmatizimi ndaj personave që jetojnë me HIV/AIDS në Kosovë

Sot në botë AIDS-i paraqet një ndër problemet më të mëdha dhe prioritare për shëndetësinë botërore. AIDS-i vazhdon të jetë njëra nder sëmundjet më vdekjeprurëse që ka njohur njerëzimi gjatë gjithë ekzistencës së tij.

AIDS-i është një sëmundje e cila është stigmatizuar dhe diskriminuar në nivele të ndryshme. Stigmatizimi ndaj personave me HIV/AIDS është universal, merr forma të ndryshme dhe ndryshon nga shoqëri të ndryshme, duke marrë parasysh shumë faktorë si: nivelin epidemiologjik të HIV/AIDS-it në vendin e caktuar, paragjykimet e kulturave të caktuara etj. Është konstatuar se stigmatizimi ndaj personave që jetojnë më HIV/AIDS mund të shprehet në forma të ndryshme. Format më të shpeshta janë: shmangia ose refuzimi i këtyre personave, diskriminimi i tyre, dhuna fizike dhe psikologjike, izolimi klinik/mjekësor ose shtëpiak etj.


Manifestimi i stigmatizimit i referohet formës, llojit dhe mënyrës më të cilën stigmatizimi është njohur, identifikuar dhe projektuar. Ekzistojnë dy forma bazë të manifestimit të stigmatizimit: (1). stigmatizimi i institucionalizuar dhe (2). stigmatizimi individual. Stigmatizimi i institucionalizuar është situata kur një institucion – të tilla si spitale apo institucione tjera që merren me forma të ndryshme të përkujdesjes shëndetësore – e praktikojnë stigmatizimin qoftë në mënyrë aktive ose atë pasive. Kurse, stigmatizimi i individualizuar është situata kur qëndrimet e stigmatizuara janë të drejtuara drejt një individi. Stigmatizimi i individualizuar është i dyfishuar në atë që mund të bëhet nga një person ose një grup personash që i drejtohet një individi bazuar mbi qëndrime dhe perceptime negative shoqërore.

HIV/AIDS-i ka shumë efekte shëndetësore, por disa prej efekteve më të thella janë në shëndetin psikologjik dhe mendor të njerëzit që jetojnë me HIV/AIDS, partnerët e tyre dhe anëtarët e familjes. Partnerët hasin në shumë vështirësi në aspektin emocional, atë të përkujdesjes dhe në funksionimin seksual. Anëtarët e familjes po ashtu janë të afektuar në shumë aspekte, përfshirë atë emocional, të përkujdesjes etj.

Diagnostikimi me HIV e rrit tensionin dhe ndjeshmërinë psiko-sociale të personave që jetojnë me HIV/AIDS. Diagnostikimi me HIV është një situatë psiko-traumatike, që sjell reagime psiko-emocionale si: shok, hidhërim, mendime për vetëvrasje, frikë, humbje, mjerim, ndjenjë e fajit, depresion, vetë-vlerësim i ulët etj. Kur njerëzit e kuptojnë se janë të infektuar me HIV, reagimet e tyre priren të ndjekin një seri të stadeve – stadet e reaksionit ndaj HIV statusit pozitiv – megjithëse këto stade nuk janë të pandryshueshme. Këto stade reaguese janë:

– Stadi i parë është shoku, mohimi, dhe zemërimi. Njerëzit mund të ndjehen fajtor për infeksionin e tyre, ose të inatosur me ata që besojnë se i kanë infektuar.
– Stadi i dytë është tërheqja: ata hasin në stigmatizimin që lidhet me HIV/AIDS-in dhe shqetësohen rreth asaj se si të tjerët do të reagojnë ndaj gjendjes së tyre.
– Stadi i tretë karakterizohet me kujdes për të tjerët për t’iu treguar në lidhje me HIV statusin e tyre.
– Në stadin e katërt njerëzit mund të shikojnë nga të tjerët që janë në të njëjtën situatë që të marrin mbështetje dhe t’i diskutojnë problemet e njëjta me të cilat ata ballafaqohen.
– Në disa raste, një stadin e pestë personat e infektuar mund ta shohin veten e tyre si të veçantë ose të ndryshëm. Kjo sjellje – me raste – ndiqet nga sjellje altruiste ose pranimi i statusit të tyre të infektuar.

Hulumtimet e zhvilluara deri më tani tregojnë se në Kosovë ka shkallë të lartë të stigmatizimit ndaj personave që jetojnë me HIV/AIDS. Hulumtimi ‘Njohuritë, Pikëpamjet dhe Shprehitë e të Rinjve ndaj Shëndetit Seksual dhe Riprodhues’ ka treguar se në mesin e të rinjve kosovarë të moshës 14–19 vjeçare, njohuritë mbi infeksionet seksualisht të transmetueshme dhe HIV/AIDS-i ishin të pamjaftueshme dhe se personat HIV pozitiv janë shumë të stigmatizuar. Sipas këtij studimi në 43.7% të familjeve te të anketuarve nuk flitet kurrë mbi tema intime dhe probleme të shëndetit seksual apo riprodhues. Një bisedë e këtillë në këto familje konsiderohet turp.

Stigmatizimi dhe diskriminimi që shoqërohen me HIV/AIDS-in janë ndër çështjet më të mëdha dhe shqetësuese për njerëzit që jetojnë me HIV/AIDS dhe familjaret e tyre. Stigmatizimi mund të përjetohet nga individët e prekur në të gjitha aspektet e jetës së tyre – në familje, vendin e punës, dhe marrëdhëniet personale dhe sociale. Stigmatizimi dhe diskriminimi janë shumë të ndikuara nga kushtet kulturore, sociale, politike dhe ekonomike të çdo komunitetit apo vendi.

Njohuritë, niveli i stigmatizimit dhe perceptimi i rrezikut në mesin e studentëve

Rezultatet nga hulumtimi tregojnë nivel jo të kënaqshëm të njohurive në mesin e studentëve lidhur me mënyrat e bartjes se HIV-it, përkatësisht keqkuptimet lidhur me mënyrat e bartjes së HIV/AIDS-it janë evidente. Një numër i vogël i pjesëmarrësve kanë njohuri se HIV-i nuk mund të bartet me përdorim të njëjtë të ulëseve të tualetit me dike që jeton me HIV/AIDS. Janë pjesëmarrësit nga Departamenti i Psikologjisë dhe Fakulteti i Mjekësisë që kanë njohuri më të sakta në lidhje me këtë pyetje, në krahasim me dy drejtimet tjera: Departamenti i Kimisë dhe Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Rezultatet e këtij hulumtimi tregojnë prezencën e pasigurisë dhe të keqkuptimit lidhur me mënyrat e bartjes së HIV-it. Është e sigurt se përhapja në masë të madhe e keqkuptimit lidhur me mënyrat e mundshme të bartjes së HIV-it shpijnë deri të frika e pabazuar e cila kufizon aktivitete të përbashkëta dhe të përditshme me personat që jetojnë me HIV, dhe inkurajon izolimin social të këtyre personave. Gjithashtu, keqkuptimet rreth transmetimit të HIV-it mund të nxisin stigmatizimin dhe diskriminimin ndaj personave që jetojnë me HIV/AIDS.

Keqkuptimet me të mëdha rreth bartjes se HIV-it ishin tek: përdorimi i përbashkët i ulëseve të tualetit, nga kontaktet e përditshme shoqërorë që i bëjmë çdo ditë (shtrëngim duarsh, përqafime), të ushqyerit nga e njëjta pjatë me personin që jeton me HIV, bartja e HIV-it nga pickimi i mushkonjave etj. Stigmatizimi ndaj personave që jetojnë me HIV/AIDS ekzisto. Sa me pak që studentët kishin informata mbi HIV/AIDS-in, niveli i stigmatizimit ishte me i lartë. Në drejtimet Psikologji dhe Mjekësi niveli i stigmatizimit ishte me i ulët, krahasuar me Drejtimet e Kimisë dhe Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike. Perceptimi i rrezikut ndaj HIV/AIDS-it në mesin e studentëve ishte shumë i ulët.

Përderisa Kosova është vend me nivel të ulët të përhapjes së HIV/AIDS-it, mirëpo me faktor evident për rritje të numrit të rasteve me HIV, ka nevojë bindëse të jetësimit të programeve parandaluese dhe masave që adresojnë nevojat e popullsisë, duke vënë theksin tek grupet e ndjeshme.

Meqë hulumtimi ka treguar se studentët nuk kanë njohuri të plota për HIV/AIDS-in, përkatësisht ekzistojnë keqkuptime lidhur me mënyrat e bartjes se HIV-it’; se në mesin e tyre ekziston nivel i lartë i stigmatizimit ndaj personave që jetojnë me HIV/AIDS; dhe perceptimi i rrezikut ndaj HIV/AIDS-it është shumë i ulët, atëherë rekomandimet për linja të veprimit janë zhvilluar në pajtim me rezultatet e hulumtimit. Ato kanë për qëllim zhvillimin e programeve parandaluese në të cilën do të përfshiheshin aktivitete të ndërlidhura kryesisht me programe të vazhdueshme të edukimit (brenda dhe jashtë institucioneve arsimore, veçanërisht nëpërmjet TV programeve dhe edukimit të moshatarëve) me qëllim të rritjes së njohurive dhe krijimit të sjelljeve mbrojtëse nga HIV-i në mesin të rinjve në Kosovë. Një vëmendje e veçante duhet kushtuar programeve për zvogëlimin e stigmatizimit dhe diskriminimit ndaj personave që jetojnë me HIV/AIDS, me qellim inkuadrimin e këtyre personave në jetën sociale.

(Ky shkrim është pjesë nga tema e Master-i me titull ‘Stigmatizimi ndaj Personave që Jetojnë me HIV/AIDS në Kosovë’. Shkrimet i janë hequr citimet)