LAJMI I FUNDIT:

Statusi i Kosovës – Bush flet me Napolitanon, Merkel me Putinin

Statusi i Kosovës – Bush flet me Napolitanon, Merkel me Putinin

Presidenti amerikan, George Bush, dhe homologu i tij italian, Giorgio Napolitano, kanë biseduar të martën në Washington, për një sërë çështjesh botërore, mes të cilave edhe për statusin e Kosovës.

"Kemi pohuar ngjashmërinë e pozicioneve tona rreth mënyrës se, si duhet zgjidhur çështjen e Kosovës, duke marrë parasysh në përgjithësi situatën e komplikuar në rajon”, ka deklaruar Napolitano për media, pas takimit me Bushin.

Ndërkaq Bush ka refuzuar t’i tregojë detajet e bisedës, por vetëm ka shtuar se, me Napolitanon shkurtimisht kanë diskutuar për situatën në Kosovë, Libanin dhe Afganistanin.

Ndërkaq, siç bën të ditur Deutsche Welle, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë një bisede mes tyre, kanë rënë dakord se, “hapat e mëtejshme në Kosovë do të bëhen mbas konsultave me palën ruse”.


Zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Ulrich Wilhelm, tha të martën në Berlin se, Angela Merkel kishte biseduar ditë më parë me presidentin Putin përmes linjës telefonike.

"Pozicionet mes Rusisë dhe Bashkimit Evropian për çështjen e Kosovës vazhdojnë të jenë të ndryshme, por u ra dakord që duhet të shmanget me çdo kusht acarimi i situatës dhe se, "duhet të merremi vesh për hapat e mëtejshëm", tha Wilhelm.

Gjermania edhe më parë është shprehur për mosanashkalimin e Rusisë në çështjen e Kosovës.