LAJMI I FUNDIT:

Sovraniteti dhe ushtrimi i tij në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm në Republikën e Kosovës

Sovraniteti (Sovran) si term së pari është përdorë në kohën e mesjetës në shtetin francez që ka nënkuptuar pushtetin absolut të mbretit në monarki dhe pushtetin absolut të popullit në demokraci. Të gjitha shtetet e botës në shekullin XXI kanë probleme apo vështirësi në ushtrimin e plotë të sovranitetit për shkak të ndryshimit dhe evoluimit të jetës në glob. Sot shtetet bashkëkohore të globit kanë probleme në shtrirjen ose ushtrimin e sovranitetit territorial, detar dhe ajror (kozmik dhe zotërimin e gjithësisë për eksplorimin dhe hulumtimet të shumta shkencore dhe ushtarake).

Sovraniteti ka një histori të gjatë teorike dhe ka filluar të elaborohet gjatë shek. XV dhe XVI së pari mes forcave politike të asaj kohe: Kisha katolike, Perandorëve Romak dhe Feudalëve, mirëpo më vonë ky nocion ka filluar të trajtohet edhe në aspektin shkencor nga disa autorë si: Zhan Bodeni, Pufendorfi, Lloku, Zhan Zhak Ruso, Hjumi etj. Zhan Bodeni: thotë se sovraniteti është pushteti më i lartë mbi qytetarët dhe shtetasit e vet, pushtet i cili nuk mund të kufizohet nga një pushtet më i lartë e as nga ligji përpos me pushtetin e perëndisë dhe të drejtës natyrore. Ndërsa Pufendorfi: sovranitetin e nënkupton si e drejtë absolute dhe pushtetin më të lartë por i cili mund të kufizohet me kushtetutë (shih librin “E drejta ndërkombëtare publike”, autor Prof.Dr. Zejnullah Gruda).


Sipas këtyre përkufizimeve Republika e Kosovës i ka të gjitha të drejtat dhe autorizimet juridike që ta shtrijë dhe ushtrojë sovranitetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës ngase si bazë ligjore ka të drejtën ndërkombëtare, Dokumentin e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Mirëpo kjo bëhet edhe më e plotfuqishme dhe legale sepse Republika e Kosovës është njohur nga më shumë se 80 shteteve të botës të cilat janë të anëtarësuara në OKB, që janë shtetet kryesore të botës të cilat kanë ndikimi të madh në jetën politike, ekonomike dhe në kontrollin e sigurisë botërore (SHBA dhe BE).

Institucionet e Republikës së Kosovës kanë dy sfida të cilat me profesionalizëm duhet të përballen dhe ta trajtojnë çështjen e sovranitetit në gjendjen faktike në veriun e Kosovës: ushtrimin e sovranitetit në aspektin e jashtëm dhe në aspektin e brendshëm.

– Ushtrimi i sovranitetit në aspektin e jashtëm: nënkupton atë se Republika e Kosovës mund të sillet me të gjitha shtetet e botës si palë kontraktuese pas pavarësimit të Kosovës më 17 Shkurt 2008. Është domosdoshmëri e kohës që të bëhet një lobim lidhur me institucionet e Republikës së Kosovës në ushtrimin e sovranitetit për shkak se Republika e Kosovës është e pavarur në aspektin e funksionimit si shtet dhe ka të gjitha elementet shtetërore: ekzistimin e territorit, popullsinë e përhershme dhe të pushtetit të sovranit.

Veriu i Kosovës njëherë e përgjithmonë duhet të inkorporohet në jetën e institucioneve tona dhe duhet punuar më shumë në këtë pjesë të Kosovës duke i bindur qytetarët serbë se Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë janë dy shtete të ndryshme të cilat mes veti mund të kenë vetëm raporte shtetërore por jo edh ndërhyrje territoriale apo shkelje të sovranitetit të njërit shtet mbi shtetin tjetër siç është rasti me Serbinë që shkel sovranitetin e Republikës së Kosovës që 12 vite prej vitit 1999 me përkrahjen e strukturave paralele në veriun e Kosovës si në aspektin financiar po ashtu edhe në atë material dhe logjistik.

Ka shumë faktorë të cilët na bëjnë të jemi të arsyeshëm që qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta shtrijë sovranitetin në tërë territorin: shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008, njohja e pavarësisë së Kosovës nga më shumë se 80 shtete të botës, garantimi i të drejtave të minoriteteve më shumë se në cilin do shtet tjetër të globit, anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë politik dhe financiar (Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, CEFTA etj), zhvillimi i kontrabandës në veri dhe nxjerrja e vendimit të qeverisë për masat e reciprocitetit për të gjitha prodhimet e Serbisë.

Këta janë disa nga faktorët të cilët kanë ndikuar që qeveria e Kosovës me plotë të drejtë ka ndërmarrë aksionin për dërgimin e njësive speciale ROSU në pikat kufitare: Bërnjak dhe Jarinje dhe ka dëshmuar se Republika e Kosovës ka edhe mekanizmin për shtrirjen dhe mbrojtjen e sovranitetit siç është Policia e Kosovës e cila me profesionalizmin e saj tregoi pjekuri dhe maturi në këtë aksion duke e dhënë edhe heroin më të ri të Republikës së Kosovës Enver Zymberi në mbrojtjen dhe ruajtjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës.

– Ushtrimi i sovranitetit në aspektin e brendshëm: nënkupton suprematin (pushtetin) e shtetit si pushtet më të lartë dhe përfshin pushtetin e plotë publik ligjdhënës, ekzekutiv dhe gjyqësor (shih librin “E drejta ndërkombëtare publike”, autor Prof.Dr. Zejnullah Gruda). Nga ky përkufizim nënkuptohet se shteti i Kosovës në aspektin e brendshëm të ushtrimit të sovranitetit ka të drejtë vetë të zgjedhë sistemin e qeverisjes, sistemin kushtetues, ekonomik, politik, shoqëror dhe juridik. Nga këto koncepte bashkëkohore nënkuptohet se shtetet janë autoritetet përfundimtare në zgjidhjen e probleme të tyre dhe se askush nuk mund të ndërhyj në çështjet e brendshme të një shteti (siç është rasti i ndërhyrjes së Serbisë në veriun e Kosovës duke i përkrahur strukturat paralele serbe) përveç në ato raste kur shteti kryen krime lufte, shkakton trazira humanitare, bënë gjenocid mbi popullatën (siç është rasti me krimet e luftës dhe gjenocidin që ka bërë Serbia në Kosovë gjatë luftës 1998-1999 dhe ndërhyrjen humanitare të NATO-s për shpëtimin e popullatës Shqiptare nga ushtria, policia dhe paramilitarët serbë).

Përfundim: Qeveria e Republikës së Kosovës duhet t’i ketë parasysh tri çështje profesionale dhe praktike për përmirësimin e situatës në veri të Kosovës:
– Zhvillimin e negociatave me Serbinë të vazhdojë vetëm për çështjet teknike dhe jo për çështjet e brendshme siç është veriu i Kosovës,
– Zhvillimi i diplomacisë Kosovare të jetë më dinamik duke i informuar kryeqendrat botërore të vendosjes se Serbia po shkel sovranitetin e Republikës Kosovës me mbështetjen që ju jep strukturave paralele në veri të Kosovës dhe
– Qeveria e Kosovës duhet që të investojë më tepër në aspektin ekonomik (Infrastrukturë dhe mirëqenie) për të gjithë qytetarët e pjesës veriore të Republikës së Kosovës.