LAJMI I FUNDIT:

Siria, një “kartëvizitë” e re për Rusinë?

Siria, një “kartëvizitë” e re për Rusinë?

Kanë kaluar mbi dy javë kur rusët përmes aviacionit të tyre ushtarak filluan bombardimet në Siri. Shqetësimi se konflikti pas kësaj mund të marrë përmasa të reja, rritet me të drejtë. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, vazhdon t’i qëndrojë pozicionit të tij të njohur qysh në fillim, për një luftë të vendosur kundër terroristëve, me të cilët ai personifikon çdo kundërshtar të Presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Në këto ndërhyrje të hapura ushtarake, objektivi i vërtetë nuk janë militantët e Shtetit Islamik, edhe pse ndonjë goditje e shkëputur ndaj tyre përdoret thjeshtë për makijazh, por kundërshtarët realë të Assadit. Pra, kush po lufton për një stabilitet të Sirisë dhe kush kundër saj? Rreziqet e një destabilizimi të mëtejshëm të Sirisë, por dhe ato të aleatëve të saj, po konturohen gjithnjë e më dukshëm përballë oshilacioneve të qëndrimeve të aktorëve të ndryshëm të këtij rajoni. Ky dislokim i forcave ushtarake ruse tensionon kështu situatën në Lindjen e Mesme.


Sipas gazetarit të njohur, Jackson Diehl, të “The Washington Post”, ka një model të qartë për fushatën që po përdor Rusia për llogari të diktatorit sirian, një trashëgimi që është krenaria e Putinit: Çeçenia. Liderët rusë e vlerësojnë atë si “shembull unik në historinë e luftës kundër terrorizmit”. Madje, Kryeministri rus, Dmitry Medvedev, e shikon Çeçeninë si “një prej kartë-vizitave të Rusisë”, ndërkohë që Çeçenisë, por dhe vetë Rusisë kjo u kushtoi qindra dhe mijëra të vrarë. Kurse, aktualisht, Siria shihet me sa duket si një “kartë-vizitë” tjetër e Rusisë. Dhe më tej rusët kërkojnë ta shesin këtë ndërhyrje si “tepër normale”, kur dhe dy ditë më parë, Medvedev, në një intervistë për televizionin shtetëror rus, përsëriti se “Rusia nuk dëshiron që Shteti Islamik të udhëheqë Sirinë”. Për ta bërë më bindëse këtë kartë, nxiton të vijë në ndihmë dhe Kisha Ortodokse Ruse, duke e shitur ndërhyrjen ruse si luftë të shenjtë kundër terroristëve, në mbrojtje të ortodoksisë.

Perëndimi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të pajtohen me këto qëndrime të Rusisë. SHBA, nga ana e saj, i ka parë ato si të tilla që i shërbejnë vetëm forcimit të qeverisë së Bashar al- Assadit, se ky i fundit nuk mund të jetë faktor në zgjidhjen e krizës dhe se sulmet e saj duhet të përqendrohen mbi objektivat e ISIS. Është kjo arsyeja që SHBA refuzoi këto ditë propozimin rus për të pritur një delegacion, që do të kryesohej nga vetë Kryeministri, për të biseduar për problemin e Sirisë. Dhe kur? Në një kohë që sapo ishin takuar në Nju Jork, në Asamblenë e OKB-së, Presidenti amerikan Obama dhe Presidenti rus Putin. Bëhet fjalë pra për t’ia shitur këtë vizitë opinionit për llogari të interesave të njohura të tyre.

Bashkimi Evropian vazhdon të mbajë qëndrim të ashpër ndaj mbështetjes ushtarake ruse për Presidentin Assad, duke i tensionuar marrëdhëniet midis tyre. Shkelja e hapësirës turke nga aviacioni ushtarak rus nuk mund të mos e komprometonte gjithashtu Rusinë. Ishte ky një presion i hapur ndaj këtij vendi, anëtar i fuqishëm i NATO-s, kur dihet që Turqia ka pasur qysh në fillim një qëndrim të palëkundur, sipas të cilit, largimi i Assadit ndihmon në zgjidhjen e krizës në Siri. Kjo, nga ana tjetër, nuk mund të mos shkaktojë krisje në marrëdhëniet midis dy vendeve, edhe pse kohët e fundit janë ndërmarrë prej tyre projekte të mëdha të përbashkëta në fushën ekonomike dhe kur Presidenti turk, Erdogan, ditë më parë ishte mysafir në Moskë, por që, çuditërisht, menjëherë pas kësaj do të nisnin sulmet ushtarake ruse në Siri.

NATO, me të drejtë i konsideron këto si provokacion të hapur, që i bëhet Aleancës Atlantike. Rrëzimi i një “drone” të paidentifikuar, para dy ditësh, depërtuar ky tre kilometra në hapësirën ajrore turke, përgjatë kufirit të Turqisë me Sirinë, sinjalizon që ky vend i NATO-s mund të shkojë në konfrontim ushtarak.

Këto qëndrime të Rusisë kanë ngjallë pakënaqësi dhe te vetë njerëzit e saj. Qindra protestues në Moskë dhe gjetkë kanë protestuar me parullat që Vladimir Putin po nxit luftën në Siri, se Assadi është vrasës dhe se tërë kjo është një turp për Rusinë.

Por ambicia ruse vazhdon të shtrihet dhe më gjerë, duke e vështirësuar situatën për një zgjidhje të mundshme paqësore. Tregimi më tej i muskujve, si dhe duke vetushqyer me këtë përmasat e pranisë së faktorit rus, si një forcë që duhet të merret seriozisht në konsideratë, taktikë e njohur kjo e diplomacisë ruse, për të imponuar forcën e vet dhe si qendër e vëmendjes, sikurse duket, do të jetë dhe më tutje prezente. Kjo, në të njëjtën kohë i duhet Putinit për të forcuar pozitat e veta për jetëzgjatje në pushtet, nën moton e rritjes së rolit global të Rusisë si superfuqi dhe si njeri që punon për stabilitetin, jo vetëm të vendit të tij, por dhe të mbarë vendeve të tjera. Ndërkohë, e tërë kjo i shërben atij si pedanë për të kapërcyer apo zbutur sadopak problemet e mëdha ekonomike, me të cilat aktualisht përballet vendi, por dhe për të treguar nga ana tjetër forcën e tij për të mbajtur të gjunjëzuar kundërshtarët e vet në Rusi.