LAJMI I FUNDIT:

Sipërmarrësja ukrainase: Shqiptarët i kanë hapur dyert për ne

Sipërmarrësja ukrainase: Shqiptarët i kanë hapur dyert për ne

Këshilli i Ministrave ka vendosur që të mbajë dyert hapur edhe për një vit tjetër për shtetasit ukrainas që largohen nga vendi i tyre në luftë. E ftuar në emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu, Oksana Genkina Subashi, sipërmarrëse nga Ukraina e cila jeton në Shqipëri prej më shumë se 11 vjetësh, tregon se si e pritën këtë lajm ukrainasit e larguar nga lufta që jetojnë në Shqipëri.

“Në muajin mars të këtij viti të gjithë ishin në ankth nëse do mund të qëndronin këtu apo do të largoheshin. Tani janë shumë të gëzuar sepse e dinë se situata në Ukrainë vazhdon të jetë e rrezikshme dhe kjo është një mundësi për të qëndruar dhe për të vazhduar jetën pa stres.”


Po sa janë integruar ukrainasit e vendosur në Shqipëri? “Në Shqipëri ka rreth 3500 vetë. Një pjesë punon online ku mund të përballojë jetesën, që është më e lirë se në Europë. Në fillim kanë qenë më shumë ukrainas por kush ka gjetur punë në Europë ose Kanada është larguar. Pjesa më e madhe janë gra me fëmijë. Ka dhe disa bashkëshortë, sepse ligji në Ukrainë lejon që një burrë mund të largohet nga atdheu vetëm nëse ka më shumë se tre fëmijë.”

Oksana shprehet se ata janë shumë të lumtur në Shqipëri.

“Krahasuar me vendet e tjera, shqiptarët janë me shpirt të ngrohtë. Edhe kur nuk e dinë gjuhën mundohen të të ndihmojnë. Shqiptarët kanë hapur dyert e shtëpisë dhe i kanë ushqyer ata në një tavolinë me fëmijët e tyre me aq sa kanë pasur mundësi. Janë vendosur nëpër qytete të ndryshme në Tiranë, Lezhë, Durrës, Shkodër e Sarandë.”

Por më të vështirë duket se e kanë fëmijët dhe adoleshentët.

“Të rriturit mundohen ta përballojnë dhe të mësohen me situatën. Ndërsa fëmijët nuk e kuptojnë që vazhdon lufta. Fëmijët duan të rikthehen por është e vështirë t’u shpjegosh që në Ukrainë është tmerr dhe nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Disa prej tyre kanë humbur shtëpitë dhe s’kanë ku të kthehen. Por në Shqipëri fëmijët kanë mundësi të marrin shërbim mjekësor dhe të shkojnë në shkolla shtetërore. Kam qarë nga lumturia kur nipi im 13 vjeç më ka treguar se në ditën e parë e kanë pritur si Alen Delon-i.”

Oksana tha se në këtë situatë është një këshilluese për bashkëkombasit e saj 24 orë, shtatë ditë në javë.

“Një familje nga qyteti im, Harkivi, është vendosur në Babrru. Kjo familje nuk ka fare mundësi as për të paguar qira e as për t’u ushqyer. Ata janë të lumtur dhe falënderues për Shqipërinë, sepse kanë një vend ku të flenë. Kanë humbur çdo gjë dhe nuk kanë ku të kthehen. Të dhemb shpirti edhe pse mundohem të jem më e fortë.”

E pyetur për prindërit e saj që jetojnë ende në Ukrainë, Oksana rrëfen:

“Situata atje vazhdon të jetë jo e qetë edhe pse në lajme nuk shprehet i gjithë realiteti. Ka stres dhe ankth. Ka bombardime, edhe pse jo çdo ditë, të paktën tre-katër herë në javë ka 50-60 bombardime njëherësh. Prindërit për një vit e gjysmë janë plakur sa për dhjetë vjet. Më shumë nga ana emocionale sepse është shumë e vështirë. Ata nuk kanë dëshirë të largohen. Këtu kemi lindur dhe këtu do të vdesim, thonë ata. Mami thotë: ‘Më dhemb shpirti sepse kam lindur në këtë qytet. Do jem këtu të pres fitoren e Ukrainës’.”/RTSH