LAJMI I FUNDIT:

Sipas Thaçit

Pas dërgimit të liderit të AAK-së në Hagë (Ramush Haradinaj), pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut nga posti i kreut të shtetit dhe xhunglës në LDK, si dhe pas devijimit të AKR-së dhe LDD-së nga udha politike nëpërmjet mediave, kreu i PDK-së dhe njëherësh kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është në përparësi për të fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare pa asnjë problem. Shumëkush këtë situatë politike në vend, sidomos me dërgimin e Ramushit në Hagë, e cilëson që nuk është e rastësishme. Disa, këtë lojë politike e quajnë edhe zotësi të Thaçit.

Nuk dua të hyjë në vorbullën e deklarimeve nëse këto zgjedhje janë të jashtëzakonshme ose të parakohshme. Qëndrimi im individual ka të bëjë me atë që Kosova nuk ka ligj të mirëfilltë për zgjedhjet. Ligji për Zgjedhjet, nëse do të debatohej dhe reformohej si duhet, njërën nga pikat që do të duhej ta sqaronte është pragu i përqindjes së pjesëmarrësve në zgjedhje, pra numri dhe përqindja e nevojshme e votuesve në zgjedhje, si dhe pastaj numri i deputetëve në Kuvend në momentin e miratimit të ligjeve.

Me ligjin aktual për zgjedhjet, Kosova edhe me 10 për qind të daljes së votuesve në zgjedhje, do të formonte edhe Kuvendin edhe Qeverinë dhe do të zgjedhte edhe Presidentin. Ndërsa e dyta, po e shohim që ligjet në Kuvendin e Kosovës po miratohen edhe me 20 deputetë nga gjithsej 120. Të dyja rastet janë shkelje e të drejtave të njeriut si dhe pamundësi për të instaluar demokracinë si sistem politik dhe institucional në Kosovë. Në mungesë të këtyre, Kosova kalon në regjim politik dhe ekonomik, ashtu siç në fakt edhe është.


Hashim Thaçi është i vëmendshëm për këtë situatë politike dhe ligjore. Ai po mundohet të bëj të njëjtën gjë që ndoshta disa nga pararendësit e tij nuk e bënë – ta shfrytëzojë situatën deri në fund, derisa të mundet. Vetëm në këtë kuadër, PDK i fiton zgjedhjet, kurdo që mbahen ato.

Një atribut tjetër që ai e ka në dorë, që mund të del përcaktues-fitimtar në zgjedhje, është mundësia në qasjen e pakufizuar në buxhetin e Kosovës për fushatë dhe promovime politike të PDK pa kufizim medial dhe debatues-qytetar, bashkë me mundësinë që t’i manipulojë ato. Hashim Thaçi është në pozitë t’i bëjë të gjitha. Ose, edhe nëse nuk e bënë asnjërën, përsëri, do të jetë e vështirë t’i mohojë këto veprime pasi partitë e tjera politike nuk e kanë mundësinë e njëjtë. Në këtë kuadër, as Vetëvendosja dhe as Fryma e Re.

Ashiqare, qëllimi përfundimtar i PDK-së është të fuqizojë edhe më shumë pushtetin, e as të mendojë për humbje. Në këtë rast, do të krijohej një regjim antiqytetar por demokratik duke pasur parasysh që mjetet demokratike (vota, ligji dhe RTK) ia kanë mundësuar një gjë të tillë. Hashim Thaçi, shkurt dhe shqip, do fuqi.
Në këtë pikë, është e vlefshme pyetja: çfarë do të bëj ai pastaj? Do të arrestojë ministra e ish-ministra, do të arrestoj zyrtarë qeveritarë dhe pastaj t’ua konfiskojë pasuritë, ose çka? Me gjasë ankthi i pritjes për ditë më të mira këtejpari gjithashtu do vazhdojë.

Kriza institucionale ekziston vazhdimisht

Këto ditë po sillet shumë shpesh çështja nëse ekziston ose jo krizë institucionale pas (dorë)heqjes së kryetarit të Kosovës, Fatmr Sejdiu. Por, nëse gjërat shikohen shtruar dhe me gjakftohtësi, krizë institucionale në Kosovë ka në vazhdimësi, pa ndërprerë. Dorëheqja e Sejdiut është njëra prej rezultateve të kësaj krize.

Në fakt, pak varet edhe se si perceptohet, kuptohet dhe pastaj ofrohet deklarimi nëse ekziston ose jo krizë institucionale në Kosovë. Varet, kryesisht, nga plotënia e informatave mbi qeverisjen në Kosovë. Dua të them, Fatmir Sejdiu nuk u tërhoq nga kreu i shtetit sepse ishte i sëmurë, i mërzitur nga posti ose sepse ishte i moshuar dhe kishte mungesë të ideve për punën që e bënte. Ai shkoi nga ai post sepse e kishte shkelur ligjin. Pra, ish-kreu i vendit ishte dhe mbetet, praktikisht dhe faktikisht, i korruptuar.

Kështu, institucionet qeverisëse të Kosovës janë nën kaplimin e korrupsionit të secilit lloj: moral, politik, menaxhues dhe financiar. Çdo gjë që ka të bëjë me korrupsionin, e gjen në secilën ministri ose agjenci të institucioneve qeverisëse të shtetit më të ri në botë, Kosovës. Ish-kryetari i saj është ilustrim i shtëpisë së korruptuar institucionale të quajtur Kosovë. Meqë ra fjala, a e di Hashimi?