LAJMI I FUNDIT:

Siguria nëpër rrugët e Maqedonisë, larg mesatares evropiane

Siguria nëpër rrugët e Maqedonisë, larg mesatares evropiane

Maqedonia vite me radhë ka shkallë të lartë të aksidenteve në trafik që përfundojnë me pasoja fatale. Maqedonia në shtatë vitet e kaluara apo përgjatë periudhës 2011-2018 ka një numër të lartë të aksidenteve në trafik që përfundojnë në mënyrë tragjike si shoferë, bashkudhëtarë dhe këmbësorë, shkruan gazeta Koha.

Në vitin 2011 ka pasur 172 viktima , në vitin 2012 ka pasur 132 viktima, në vitin 2013 – 198, në vitin 2014 – 130, në vitin 2015 – 148, në vitin 2016 – 165, në vitin 2017 – 155 dhe në vitin 2018 janë shënuar 129 viktima. Në Maqedoni, vite me radhë ndërmerren aksione të ndryshme parandaluese, fushata për zvogëlimin e kësaj dukurie negative nga organe të ndryshme si MPB, Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin e Rrugëve si organ konsulent e kështu me radhë, por megjithatë – akoma është shumë i lartë numri i viktimave në trafik, bile edhe në raport me mesataren evropiane. Thënë ndryshe, analizat tregojnë se në shtetet e Bashkimit Evropian ka 5.2 viktima në trafik në 100 mijë banorë, ndërsa në Maqedoni ka 7.1 viktima në 100 mijë banorë.

Nga trupi që është organ këshillëdhënës i Parlamentit të Maqedonisë, ndërsa anëtarët e tij i zgjedh organi më i lartë legjislativ në shtet – KRSKRr, thonë se në Maqedoni në vitet e kaluara në vazhdimësi ndërmerren aktivitete të shumta për të zvogëluar numrin e viktimave në trafik dhe për të rritur maksimalisht nivelin e sigurisë në komunikacion, megjithatë nga atje shtojnë se rezultatet e arritura në këtë drejtim lënë akoma për të dëshiruar.


Sipas të dhënave të Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin e Rrugëve, në vitin 2018, në Maqedoni kanë ndodhur 4534 fatkeqësi të trafikut të karakterit më të rëndë, me ç’rast 129 persona kanë humbur jetën në fatkeqësi të trafikut, ndërsa janë lënduar 6378 persona.

“Shikuar nga aspekti i numrit të personave që kanë vdekur në aksidentet e trafikut vitin e kaluar, mund të konstatohet se siguria e komunikacionit në rrugët e Maqedonisë shënon trend të përmirësimit, por njëherazi të dhënat statistikore konfirmojnë se siguria në komunikacionin rrugor nuk është në nivelin e duhur dhe nuk është në pajtueshmëri as me qëllimet dhe dinamikën e definuar në Strategjinë e dytë kombëtare të Republikës së Maqedonisë për avancimin e sigurisë në trafik 2015-2020”, thotë në një prononcim për gazetën KOHA, sekretari i këtij trupi, Risto Mançev.

Sipas tij, pikërisht konform qëllimeve të Strategjisë nacionale, apo sigurisë së trafikut në Republikën e Maqedonisë, deri në vitin 2020 duhet të arrihet niveli dhe mesatarja e shteteve anëtarë të BE-së, ose kjo në shifra absolute nënkupton më pak se 100 persona të vdekur nga aksidentet e trafikut në nivel vjetor.

“Për realizimin e qëllimeve të Strategjisë, apo qëllimeve për më pak se 100 viktima në aksidentet e trafikut në nivel vjetor, është e domosdoshme që në periudhën e ardhshme, të gjitha institucionet kompetente, organet dhe organizatat, dhe të gjithë individët që në çfarëdo mënyre marrin pjesë komunikacion, të kenë sigurinë e trafikut si përgjegjësi e përbashkët dhe prioritet të lartë shoqëror, si dhe qëllim më të lartë të përbashkët”, shton më tej Mançev.

Në praktikë, kjo nënkupton, siç thotë ai, përforcimin e veprimit parandalues në komunikacion për të gjithë pjesëmarrësit në trafik dhe për të gjithë faktorët e rrezikut që rrezikojnë sigurinë në komunikacionin rrugor, përforcimin e edukimit të trafikut në kuadër të procesit arsimor, përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe të komunikacionit, avancimin e procesit të edukimit dhe trajnimit të kandidatëve për vozitës, avancimin e punës së autoshkollave dhe qendrave për provime, përmirësimin e sistemit për intervenime të shpejta dhe efikase pas fatkeqësive të trafik, përforcimin e kontrolleve të policisë së komunikacionit dhe shumë masa të tjera.

Në ndërkohë, nga Ministria e Transportit në vitin e kaluar kanë paralajmëruar se do të formojnë Agjenci të re me buxhet vetanak dhe të punësuar, që për qëllim kryesor do të ketë përmirësimin e sigurisë në trafik. Agjencia që pritet të formohet brenda këtij viti, do të mbajë llogari se sa është e sigurt infrastruktura, kush i kontrollon veturat dhe sa janë ato të sigurta të lëshohen në komunikacion, bile pritet të kërkojë nga policia edhe kontrolle të përforcuara në pikat e zeza të zhvillimit të komunikacionit. Përvojat evropiane tregojnë se shtete që kanë formuar Agjenci të tilla kanë zvogëluar për një të tretën numrin e viktimave në aksidentet e trafikut në një afat prej 15 vitesh. Agjencia e re do të mbulojë të gjithë aspektet e problematikës që tani trajtohet nga më shumë institucione si MPB, Agjencia shtetërore e Rrugëve, Këshilli Republikan i Sigurisë në trafik etj, raporton KOHA.

Ekspertët e komunikacionit ndërkohë thonë se siguria në komunikacionin rrugor shpesh është edhe pasqyrë e sistemit shoqëror në një shtet, por edhe kulturës së mirësjelljes së të gjithë pjesëmarrësve në trafik. Maqedonia, në favor të rritjes së sigurisë në komunikacionin rrugor , nevojitet edhe më tej të rehabilitojë rrjetin ekzistues të rrugëve, të rrisë projektimin e rrugëve në një nivel më të lartë, të angazhohet për rritjen e vetëdijes së vozitësve, por edhe të rrisë kontrollet dhe dënimet nga organet kompetente. Në këtë drejtim, vitin e kaluar është vendosur punkt kontrolli që incizon me kamera një pjesë të autostradës Demir Kapi-Smokvicë, ndërsa sivjet pritet të mbulohen tërësisht me kamera rrugët në Korridorin 10 apo prej Kumanove deri në Gjevgjeli.

Njëherazi, vlerësohet se Maqedonia si shtet humb 230 milionë euro apo 2.3 për qind të vlerës së Prodhimit të Brendshëm Bruto si rrjedhojë e fatkeqësive në rrugë, andaj kërkohet të vendosen masa sistemore , apo do të duhet të dihet se kush është përgjegjës për pikat e zeza ku më shumti kemi aksidente trafiku me pasojë vdekjeprurëse dhe kush është përgjegjës për zgjidhjen e këtij problemi./Koha/