LAJMI I FUNDIT:

Sigal Prishtina më e fortë se kurrë!

Sigal Prishtina më e fortë se kurrë!

Ekipi bardhekaltër nga kryeqyteti, Sigal Prishtina, e ka mposhtur me plot meritë rivalin e përbetuar KB Pejën, në xhiron e tretë të ETC Superligës së Kosovës në basketboll, me rezultat, 73-67.

Palestra e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë ishte mbushur pothuajse e tëra, dhe gjithsesi aty nuk mund të mungonin Plisat, të cilët janë shpirti i ekipit bardhekaltër dhe dhuronin atmosferë të jashtëzakonshme nga tribunat.

Skuadra bardhekaltër e nisi fuqishëm çerekun e parë duke krijuar avantazh prej 9-0, duke shënuar trepikësha të njëpasnjëshëm, mirëpo intensiteti i lojës së tyre në vazhdim ra dhe në përfundim të çerekut Peja e ngushtoi disavantazhin në vetëm tre pikë, 17-14.

Sigal Prishtina arriti ta ruajë avantazhin e saj edhe përgjatë tërë çerekut të dytë, ku treguan lojë të mirë ekipore, edhe pse shpeshherë në mbrojtje ziheshin në gjumë nga kërcimet e George Oduwufa, i cili përmirësonte vazhdimisht gjuajtjet e dobëta të bashkëlojtarëve të tij. Skuadrat shkuan në pushim me 11 diferencë në të mirë të vendasve, 39-28.


Në çerekun e tretë, Peja u këndell dhe aplikoi lojë shumë më të mirë se vendasit të cilët bënin shumë gabime dhe kështu i dhanë mundësi mysafirëve që ta ngushtojnë diferencën në vetëm dy pikë, 49-47.

Peja arriti ta barazojë rezultatin tre herë në çerekun e katërt por asnjëherë nuk arriti të dilte në epërsi, teksa në minutat e fundit basketbollistët e Sigal Prishtinës u treguan më të vëmendshëm dhe arritën ta përfundojnë këtë ndeshje me fitore, 73-67.

Vlen të cekët se gjatë çerekut të katërt Policia e Kosovës i largoi nga tribuna e tyre Plisat për shkak të fyerjeve që i bënë në drejtim të lojtarëve mysafirë, mirëpo ata përsëri qëndruan në sallë deri në përfundim të ndeshjes.

Basketbollisti më i mirë i këtij takimi padyshim se ishte Tay Waller nga radhët e Sigal Prishtinës, i cili shënoi 20 pikë, ndërsa për Pejën më së shumti pikë shënoi Vedran Morovic (11). /Telegrafi/

Koshashënuesit më të mirë të Sigal Prishtinës:
1 Tay Waller 20 pikë
2 Dardan Berisha 14 pikë
3 K’Zell Wesson 11 pikë
4 Aurimas Kieza 7 pikë

Koshashënuesit më të mirë të Pejës:
1 Vedran Morovic 11 pikë
2 George Oduwufa 10 pikë
3 Frederick House 10 pikë
4 Drilon Hajrizi 9 pikë

/Telegrafi/