LAJMI I FUNDIT:

Si mund të transformohet Sistemi Shëndetësor në Kosovë dhe Roli i Diplomacisë Mjekësore: Perspektiva e Ish-Ministrit të Shëndetësisë*

Si mund të transformohet Sistemi Shëndetësor në Kosovë dhe Roli i Diplomacisë Mjekësore: Perspektiva e Ish-Ministrit të Shëndetësisë*

Rifat Latifi
Profesor i Kirurgjisë, Universiteti i Arizonës
Kryetar i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës
Kryeredaktor, Kosova Journal of Surgery
Ministër i Shëndetësisë, Republika e Kosovës (16 nëntor 2021 – 6 tetor 2022)
E-mail: latifi@surgery.arizona.edu

Abstrakt

Të jesh Ministër i Shëndetësisë, i cilitdo vend, është nderi dhe privilegji më i madh, por të jesh Ministër i Shëndetësisë në Kosovë, në shtetin më të ri në Evropë dhe në vendin ku u rrita dhe u arsimova para se të largohesha për një jetë më të mirë, është nder shumë më ndryshe, e megjithatë është përgjegjësia më e madhe që do të mund ta kisha. Si kirurg jam përgatitur për çdo rast për ta trajtuar çdo gjendje shëndetësore në fushën time. Por si përgatitesh për të qenë Ministër i Shëndetësisë? Çfarë mjetesh duhen që mund ta ndihmojnë Ministrin ta transformojë sistemin e rrëmujshëm shëndetësor? Sa para ju duhen? Si e luftoni korrupsionin e rrënjosur në çdo shtresë të sistemit shëndetësor? A mund të përdoret diplomacia mjekësore si mjet potencial për t’u marrë me problemet e pabarazisë dhe të dallimeve në shëndetësi? Në këtë artikull, do të diskutoj për mandatin tim të shkurtër si Ministër i Shëndetësisë në Kosovë dhe për atë se si, gjatë asaj kohe, e krijuam një model të transformimit të shëndetësisë në Kosovë, duke e përdorur çdo mjet të mundshëm, duke e përfshirë edhe diplomacinë mjekësore ndërkombëtare. E projektuam një proces dy-krahësh: 1) krijimi i 12 qendrave dhe programeve klinike të ekselencës, 22 sub-specializimeve për trajnime të avancuara klinike për mbi 100 mjekë dhe kirurgë (gjatë viteve 2022-2024) në qendra ndërkombëtare të ekselencës duke filluar njëkohësisht t’i reformojmë programet e trajnimit të specializimeve dhe ndërtimin e kapaciteteve dhe të infrastrukturës për hulumtime shkencore, dhe 2) bashkëpunimi vendor dhe ndërkombëtar për ta ndërtuar dhe modernizuar infrastrukturën spitalore, dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimeve të shëndetësisë dhe i aftësive të menaxhimit. Ky ishte plan ambicioz, duhet të pajtohemi, por këto masa ishin e vetmja mënyrë për ta transformuar sistemin e shëndetësisë dhe për ta zvogëluar fluksin e pacientëve që dalin edhe sot e kësaj dite jashtë shtetit dhe institucioneve publike të shëndetësisë. E dinim se transformimi nuk do të ndodhte shpejt. Do të duhej kohë, por na duhej të fillonim me një plan dhe vizion gjithëpërfshirës dhe madhor.


Transformimi nga Kryeshefi i Kirurgjisë në Ministër të Shëndetësisë

Më 16 nëntor 2021, me ftesë të Kryeministrit të Kosovës, Z. Albin Kurti, e mora detyrën si Ministër i Shëndetësisë në Kosovë, por si ministër jo-politik. Megjithëse kjo nuk ishte diçka që e kisha imagjinuar kurrë ta bëja në karrierën time, nuk isha i befasuar nga gatishmëria ime për ta pranuar këtë post. Mundësi që të vjen një herë në jetë. Mendova, më në fund, mund të ndihmoj në transformimin e shëndetësisë në Kosovë, ashtu siç e kam menduar gjatë tri dekadave. E megjithatë, i kisha disa pyetje për veten: A jam i përgatitur për të qenë ministër? A di mjaft për politikat shëndetësore? Nuk gjeta libër se si të bëhesh ministër i mirë. A do ta kem përkrahjen e nevojshme politike?

Pas diplomimit në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, imigrova në SHBA më 1985. Që atëherë, jam trajnuar dhe kam punuar në institucione ndër më të njohurat në SHBA (Houston, Texas; Philadelphia, Pennsylvania; Cleveland, Ohio; New Haven, Connecticut; Richmond, Virginia; Tucson, Arizona; Valhalla, Nju Jork) dhe jashtë shtetit (Doha, Katar) dhe e kam drejtuar departamentin e kirurgjisë të një prej spitaleve universitare dhe fakultetit të mjekësisë më të vjetër në SHBA (Valhalla, NY). I kam shkruar dhe redaktuar 20 libra shkencore, përfshirë edhe një që titullohet “Spitali modern”. Përveç kësaj i kam botuar mbi katërqind artikuj dhe kapituj të librave shkencore që janë të recensuara nga profesionistë të pavarur me kompetenca të ngjashme. Mendoja se e njoh sistemin e shëndetësisë në Kosovë të cilin e kam kritikuar se si po menaxhohej gjatë 2-3 dekadave të fundit. Si kryetar themelues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës (KKK), e drejtoja krijimin e aktiviteteve ditore dhe të përmbajtjes, si dhe strategjinë e rritjes së KKK. A duhej tërë kjo të më përgatiste për një punë si ajo e ministrit? Përgjigjja ime ishte ‘po’. Andaj, në mendjen time të entuziazmuar, ishte plotësisht e arsyeshme për mua, atëherë dhe tani, ta lija pozitën time në NYMC dhe WMC në Valhalla, NY (edhe pse vendimi ishte i befasishëm, ose thënë ndryshe, kirurgjik) dhe të kthehesha në Kosovë për të ndihmuar në rindërtimin e sistemit shëndetësor. Më e rëndësishmja, në këtë fazë të karrierës sime mendoja se mund ta ndihmoja Kosovën me gjithë qenien time. Pra, i thashë ‘po’ ftesës së Kryeministrit Kurti dhe befas e lashë punën time si kryeshef dhe drejtor i kirurgjisë në Valhalla, New York, i lashë pacientët, studentët, specializantët, sub-specializantët, miqtë, komunitetin shqiptar dhe familjen time. Normalisht, nga pozita ime, do të duhej të bëhej një njoftim të paktën gjashtë muaj deri një vit më parë, por në vend të kësaj ishte një telefonatë te shefat e mi në WMC, një ditë para se të udhëtoja për Kosovë. Të dytë ishin të befasuar (siç isha edhe unë), por ishin jashtëzakonisht mbështetës dhe e kuptuan peshën e vendimit tim të prerë. Lajmi u bë viral. Shumë njerëz ishin të befasuar, disa ishin mbështetës, por shumë të tjerë mendonin dhe ma thoshin troç: “Ide e keqe. Zoti të ndihmoftë!”

Erdha në mes të pandemisë COVID-19, dhe gjersa isha duke e krijuar kabinetin i mësoja labirintet administrative. U “mirëprita” nga protestat e specializantëve dhe personelit të infermierisë para zyrës sime në Ministrinë e Shëndetësisë (dikur spital i vjetër i tuberkulozit, ku, si student i mjekësisë, e bëra rotacionin në pulmologji). Mediat kishin shumë për të thënë për çizmet e mija të kaubojit dhe për fjongon time. Asnjëra nuk ishte e interesuar për vizionin tim për ta transformuar rrënjësisht sistemin e shëndetësisë. Si ministër i ri, takoja shumë personalitete te ndryshme, ambasadorë të shumë shteteve, shumë përfaqësues të organizatave të ndryshme qeveritare e joqeveritare (OJQ) dhe partnerë të Ministrisë së Shëndetësisë, edhe kombëtarë edhe ndërkombëtarë. Veçanërisht kënaqesha me takimet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ndonëse nuk kisha përdorur gjuhë të njëjtë si disa nga deputetët, që deputetët e Kuvendit të shpreheshin lirshëm, duke i kritikuar ministrat dhe kryeministrin ishte vërtet kënaqësi për mua. Kjo nuk lejohej vetëm 25 vite më parë. Tani, jemi shtet demokratik me Kuvendin tonë. E unë e dua shumë demokracinë. Çka tjetër mund të dëshirojë njeriu?

Kalendari im ishte tmerrësisht i zënë, por kënaqesha. Zgjohesha në 5 të mëngjesit dhe zakonisht u dërgoja emaila ekipit tim para orës 5:15 e tutje. Kishte shumë e-maila të rëndësive të ndryshme, por kur përgjigjesha, administrata më thoshin se isha ministri i vetëm që dërgon emaila. Kishte edhe shumë takime, darka e dreka, por shumë takime ishin të kota. Kurtuazi. ‘Kur mund të punoj?’, pyesja unë. ‘Prej orës pesë në mëngjes deri në tetë [në mëngjes]’ do të përgjigjesha vetë.

Jetoja vetëm në banesën time (në muajt e parë) në rrugën më të famshme, të baltosur, dhe gjithmonë në ndërtim e sipër, “Muharrem Fejza”. Shpesh nuk kisha energji elektrike dhe duhej të ngjitesha në këmbë deri në katin e 8-të për të arritur në banesën time. Ecja nuk më pengonte fare. Banesa ishte e vogël (në krahasim me shtëpinë time në kodër në Katonah), dhe dimri ishte brutal. Edhe banesa ime ishte e ftohtë, dhe mua nuk më pëlqen i ftohti. Jeta mu bë rrëmujë, por më pëlqente misioni im i ri. Ditët kalonin dhe unë isha shumë i zënë, por nuk mund të shihja përparim aq të kënaqshëm sa prisja. Si kirurg, e shihni përparimin menjëherë. Jo si ministër. Arsyet ishin nga më të ndryshmet, por për mua asnjë nga këto nuk ishte arsye.

Gjendja e shëndetësisë në Kosovë

Si kirurg dhe mjek përgjithësisht, unë duhet ta bëj diagnozën e pastaj trajtimin. Ta caktosh diagnozën e gjendjes së shëndetësisë në Kosovë nuk të duhet shumë kohë. Andaj edhe mua nuk m’u deshtë shumë kohë për të konkluduar se sektori i shëndetësisë në Kosovë, veçanërisht pjesa administrative e vetë Ministrisë, ishte organizatë shumë komplekse: labirint apo rrjetë e ngatërrimit në rregulla, rregullore dhe politika të hartuara në mënyrë të pakuptueshme dhe të çoroditura në të cilat shumë aktorë (palë të interesit) kishin aksione, e shumica e të cilëve ishin të padukshëm. Pse shëndetësia në Kosovë ishte injoruar me dekada, për të mos thënë ishte neglizhuar tërësisht, ishte menaxhuar dobët, ishte segmentuar në segmente dhe klinika gati qesharake që kishin më shumë mjekë se shtretër: klinika pa profesorë, por me shumë drejtorë. Pse sistemi i shëndetësisë publike kishte vazhduar të jetë i financuar në mënyrë të pamjaftueshme vit pas viti, qeveri pas qeverie? Pse Kosova e kishte GDP-në (BPV-në) më të ulët për shëndetësi në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe ndër më të ulëtit në botë? Pse, edhe kur është investuar diçka, ishte keq-menaxhuar? Pse kishte kaq shumë spitale të nisura por nuk ishin përfunduar kurrë? Një spital i dhënë donacion nga miqtë tanë ishte inauguruar por nuk kishte pacientë? Infrastruktura e spitaleve është e vjetër, apo e cilësisë së ulët. Në anën tjetër, për shumë vite kanë filluar një numër të ndërtesave spitalore (si ndërtesa e spitalit të urgjencës dhe traumës, objekti i spitalit rajonal të Ferizajt, departamenti i pediatrisë në spitalin e Mitrovicës dhe disa projekte të tjera) që kanë mbetur të papërfunduara apo të pakompletuara për arsye të ndryshme; ato duken si ndërtesa fantazmë që janë shpërbërë vit pas viti. Barnatorja Qendrore e QKUK-së është vendosur në një bodrum kundërmues – dhe me nivel të dobët të sigurisë – të klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës. Pse “spitalet” private, klinikat private dhe barnatoret ishin rritur si kërpudha mu në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës? Kush ishin pronarët e tyre? Në të gjitha këto e shumë pyetje të tjera nuk mund të merrja përgjigje. Përgjigjet për të gjitha këto pyetje nuk ishin të lehta për t’u gjetur. ‘Kështu është këtu në Kosovë’, po më thoshin të gjithë. Fakt i padiskutueshëm. Nuk mund të kuptoja, dhe ishte e pamundur ta justifikoje këtë gjendje të sistemit të shëndetësisë. Si e kupton këtë një mendje e zakonshme? Duke e bërë këtë pyetje, gjeta ngushëllim në të punuarit në një plan të ri kompleks dhe ambicioz të transformimit.

Është vështirë ta kuptosh rrjetën e manipulimit dhe të abuzimit haptas të besimit publik dhe të sistemit të shëndetësisë, pikërisht të të njëjtit sistem të shëndetësisë që do të duhej të kujdesej për të gjithë ne, të pasurit e të varfrit.

Për shkak të pagave të ulëta, shumica e mjekëve, infermierëve, teknikëve të laboratorit dhe punonjësve të tjerë të shëndetësisë janë të detyruar të punojnë në 3-4 vende të punës, shpesh në dëm të spitaleve publike. Të gjithë mjekët punojnë pa mbrojtje me sigurim të punës profesionale (malpractice insurance), sepse askush nuk e ka kërkuar kurrë, përkundër faktit se mjekët e kirurgët burgosen para mediave dhe në mënyrë bombastike, pa u gjykuar, ndërsa çështjet gjyqësore shpesh zvarriten me vite në gjykata, të ushqyera nga mediat me informacion të pa-verifikuar. Stafi i Fakultetit të Mjekësisë ishte i ndarë në ata që u japin mësim studentëve të mjekësisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës dhe ata që “nuk munden”. Për të dy grupet (edhe pse shumë nga ta janë Doktorë të Shkencës ose kanë gradë Master), kontributi shkencor dhe botimet shkencore janë shumë të ulëta.

Çfarë thonë studimet për shëndetësinë e Kosovës?

Studim pas studimi të shumë donatorëve dhe partnerëve vinin në të njëjtat përfundime: Kosova ka tepër shumë shtretër të spitaleve por normë të zënies së shtretërve me vetëm rreth 50%, tepër shumë mjekë (shumica nga ta në Prishtinë), tepër shumë infermierë, pa efikasitet, dhe një keq menaxhim madhor të resurseve. Si munden 15 kirurgë t’i kryejnë vetëm 1500 operacione në vit apo, edhe më keq, 13 kirurgë i kryejnë vetëm 600 operacione në vit dhe, në të dy rastet, shumica e procedurave të mos jenë kirurgji komplekse sipas cilitdo standard? Përgjigjet ishin mungesa e sallave të disponueshme operative, mungesa e anesteziologëve, mungesa e infermierëve të sallave operative dhe çështje të tjera menaxheriale. Qendra Klinike Universitare i ka 37 salla operative që janë salla operative të dedikuara për disiplina të caktuara klinike. Nuk mund të mos e kujtoja se Qendra Mjekësore e Westchester ku isha drejtor i kirurgjisë i ishte vetëm 21 salla operative (7 nga të cilat ishin salla operative ambulantore) ku bënim gjithçka përfshirë transplantet e zemrës dhe të mëlçisë dhe gjithçka ndërmjet, në të gjitha disiplinat klinike. Kur ju duhej një sallë operative, ajo që nuk ishte e zënë bëhej salla juaj operative.

Gjatë harkut prej 23 vitesh që nga përfundimi i luftës, përkundër hises më të ulët të GDP-së (BPV-së), në sistemin e shëndetësisë kanë ardhur shuma të mëdha të financimit nga donatorë ndërkombëtarë dhe OJQ të ndryshme. Disa ministra, qeveri dhe drejtorë të spitaleve e të klinikave kanë ardhur e kanë shkuar, por situata nuk ka ndryshuar. Edhe kur bliheshin pajisje të shtrenjta mjekësore, ato nuk funksiononin, një mister tjetër për mua.

Vizita në departamente dhe klinika të ndryshme m’i kujtonte ditët kur isha student i mjekësisë këtu: katër pacientë në një dhomë. Madje edhe në pjesët e rinovuara të spitaleve që ishin përfunduar në vitet e fundit, janë tre shtretër në një dhomë (në pjesën më të madhe); zyrat e stafit zënë pjesë të mëdha të krahëve të spitalit, me një përjashtim: krahu i ri i kirurgjisë pediatrike.

Si përmbledhje, sistemi publik shëndetësor në Kosovë ka mbetur në rrëmujë dhe, përgjithësisht, mund të karakterizohet realisht si shërbime klinike të pasigurta, të parregulluara, me cilësi të ulët që ka mungesë të zotësive, aftësive dhe shkathtësive klinike, të infrastrukturës moderne spitalore, dhe mbi të gjitha, mungesë të aftësive menaxheriale në të gjitha nivelet. Shumica e pacientëve me diagnoza komplekse dërgohen jashtë shtetit apo në institucione private për trajtim, me kosto astronomike.

Si ta transformojmë shëndetësinë në Kosovë? Një pikëpamje e kirurgut traumatolog

A mund ta transformojmë shëndetësinë në Kosovë? E pyesja veten çdo ditë sa isha Ministër, dhe ende e pyes tash një muaj pasi jam dorëhequr nga posti. Me të drejtë, populli i Kosovës e bënte pyetjen e njëjtë. ‘Po, mundemi’, është përgjigja ime vendosmërisht e qartë, por kërkohet përkrahje për vizionin dhe investimet e reja, vendosmëri dhe kohë. Por, si ta transformoni këtë gjendje të shëndetësisë dhe të merreni me secilën nga këto pjesë dhe segmente të këtij mozaiku shumë kompleks dhe të deformuar, dhe me pabarazinë në shëndetësi? E vërteta e shëmtuar e sistemit shëndetësor është se ata që i kanë mundësitë financiare shkojnë në spitalet dhe klinikat private të vogla si butikë, brenda shtetit apo jashtë tij. Shumica e njerëzve të pasur e përdorin Gjermaninë, Turqinë dhe shtete të tjera për ekzaminime rutinë. Shumica e politikanëve shkojnë në spitale private apo jashtë shtetit madje edhe për procedura rutinë. Ata që nuk i kanë mundësitë financiare apo nuk e kanë askënd nëpër spitale të garantojë për ta ballafaqohen me kohë të gjata të pritjes për ta parë një mjek, me kohë edhe më të gjata të pritjes për një test radiologjik apo procedura apo madje edhe operacion, nëse nuk është urgjencë. Këto lista të pritjes janë shpesh të super-fryra dhe krijohen nga disa mjekë ashtu që t’i bëjnë pacientët të shkojnë në institucione private për t’i parë mjekët e njëjtë. Jo të gjithë mjekët janë të tillë, por një shumicë janë. Nuk do të duhej të ishte kështu. Por është këtu, dhe duhet të merremi me këtë.

Më lejoni të provoj ta thjeshtoj përgjigjen se a mund ta transformojmë shëndetësinë në Kosovë, duke e përdorur analogjinë e një kirurgu të traumave. Si kirurgë të traumave, shpëtojmë shumë jetë duke e ndalur gjakderdhjen, duke i siguruar rrugët e frymëmarrjes (e intubojmë pacientin herët), gjithmonë duke e pritur më të keqen, duke performuar laparotomi apo torakotomi urgjente apo çkado që të duhet, dhe duke e ekzaminuar detajisht sistem pas sistemi, organ pas organi, dhe duke përdorur njëkohësisht shumë gjak dhe prodhime të gjakut. Në rindërtimin e sistemit shëndetësor, duhet ta përdorim qasjen e njëjtë. Ta ndalim gjakderdhjen (ta ndalim fluksin e pacientëve që dalin jashtë shtetit). Kjo mund të bëhet duke krijuar ekspertizë lokale dhe duke e modernizuar infrastrukturën spitalore. T’i sigurojmë rrugët e frymëmarrjes (të sjellim oksigjen për sistemin shëndetësor) duke shtuar resurse për të ofruar shërbime shëndetësore me cilësi të lartë dhe duke e frenuar trajtimin jashtë shtetit, dhe në fund, ta transfuzionojmë gjakun (ta transfuzionojmë dijen dhe trajnimin reformues) për ta rritur aftësinë për ta bërë të mundur ofrimin e shërbimeve me cilësi të lartë.

Mirëpo, si përmbledhje, për ta arritur këtë, janë disa kërkesa (esenciale):

1) Të pranojmë studentë më të mirë në fakultetin e mjekësisë, specializantë më të mirë, infermierë dhe menaxherë të shëndetësisë – të trajnuar mirë dhe të përgatitur;
2) Ta modernizojmë infrastrukturën spitalore, duke e aranzhuar një sistem shëndetësor të avancuar e të akredituar ndërkombëtarisht me sigurim shëndetësor dhe me sistem të informacionit për shëndet, dhe në fund,
3) Ta ngrisim profesionalizmin dhe përkushtimin në të gjitha nivelet nga çdokush dhe secili prej nesh. Populli i Kosovës, shtetit tonë të vogël por të bukur, e meriton këtë. Ata luftuan për këtë; e pritën këtë nga ne, dhe ne i kemi zhgënjyer. Pyetja mbetet: si t’i bëjmë të gjitha këto dhe a ka apetit për ndryshim?

Diplomacia Mjekësore dhe Strategjia e Drejtuar nga Të Dhënat si Mjete të Transformimit

Shtylla kurrizore e diplomacisë mjekësore apo diplomacisë globale shëndetësore (GHD) është definuar si spektër i gjerë i përcaktuesve shëndetësorë si element vendimtar në politikën e jashtme, të sigurisë dhe të tregtisë, dhe kërkon veprim kolektiv. Përpjekjet në diplomacinë globale shëndetësore janë zbërthyer në shtatë koncepte që përfshijnë: 1) Promovimi i shëndetësisë përballë interesave të tjera; 2) Themelimi i mekanizmave të rinj qeverisës në përkrahje të shëndetit; 3) Krijimi i aleancave në përkrahje të rezultateve të pritura shëndetësore; 4) Ndërtimi dhe menaxhimi i marrëdhënieve me donatorë dhe palë të interesit (aktorë); 5) Përgjigjja ndaj krizave të shëndetit publik në kohë të duhur dhe me vegla e mjete të duhura; 6) Përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet shteteve përmes marrëdhënieve shëndetësore; dhe 7) Kontributi për paqe dhe siguri ndërmjet kombeve e popujve me mjete të ndryshme.

Secili nga këto dimensione mund t’i duket më i përshtatshmi një shteti, rajoni6, grupi të veçantë të shkencëtarëve apo kontinenti është çështje e kreativitetit apo e vullnetit dhe establishmentit politik. Diplomacia mjekësore është treguar të jetë mjet i rëndësishëm për të krijuar ura ndërmjet kombeve e shteteve si dhe institucioneve, dhe për mirëvendosjen e përkrahjes infrastrukturore, administrative dhe rregullatore (diçka që Kosovës i duhet jashtëzakonisht shumë).

Për më tepër, diplomacia mjekësore ka zënë vend qendror si fushë në zhvillim që ndërton ura ndërmjet disiplinave të shëndetit publik, çështjeve ndërkombëtare, menaxhmentit, ligjit dhe ekonomisë10, 11. Pyetja mbetet ende: kush duhet të përfshihet në diplomacinë mjekësore? A duhet të jetë kori diplomatik më i përgatitur për diplomaci shëndetësore dhe për kultivim të veprimit efektiv shëndetësor global që i përputh shëndetin publik dhe rezultatet e pritura të diplomacisë së punëve të jashtme11. Përgjigjja ime është ‘po, duhet’ por diplomacia mjekësore është preokupim i secilit, mirëpo Ministrat e Shëndetësisë duhet ta udhëheqin procesin duke u bazuar në nevojat e shtetit të tyre dhe interesin global duke punuar shumë ngushtë me segmentet e tjera të qeverive (Ministria e Punëve të Jashtme dhe i tërë kori diplomatik).

Duke e pasur gjithë këtë në mendje, i hyra diplomacisë mjekësore, duke filluar me Shqipërinë; i vizitova disa shtete duke e përfshirë SHBA-në, Turqinë, Norvegjinë, Greqinë, Austrinë; dhe isha në procesin e themelimit të marrëdhënieve me një sërë vendesh të tjera duke e përfshirë Luksemburgun, Kroacinë, Slloveninë, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Izraelin, Sllovakinë, Gjermaninë, Australinë, Indinë dhe të tjera për të siguruar që mjekët tanë ta merrnin trajnimin dhe ekspertizën. Të gjithë dhe secili nga këto shtete ishin të lumtur ta ndihmonin transformimin shëndetësor të Kosovës, por mediat mendje-ngushta dhe disa politikanë fatkeqësisht nuk e panë ashtu. Ndërtimi i marrëdhënieve ndërkombëtare për t’i përkrahur nevojat e sistemit shëndetësor në Kosovë është mënyra e vetme për t’ia sjellë shtetit dhe personelit mjekësor resurset, edukimin dhe shanset e trajnimit – që të gjitha shumë të nevojshme. Gjatë tri dekadave të fundit u mbështetëm në mësimdhënien e njëri-tjetrit. Është si i verbëri që e udhëheq të verbrin. Ishim të verbër ndaj shkencës dhe mjekësisë moderne gjatë 30 viteve të fundit. Kapërcimi i këtyre pasojave të ngulitura të tri dekadave do të marrë kohë dhe të dhënat (shënimet), si transformim real nuk mund të ndodhin pa të dhëna. Nuk ka rrugë tjetër!

Metodologjia e Studimit dhe Analiza e Gjendjes Aktuale

Gjatë muajve që kam qenë në zyrë, ekipi im dhe unë e bëmë një analizë të sistemit shëndetësor duke e përdorur metodologjinë vijuese: 1) Intervista me palë të interesit (aktorë) të ndryshëm, dhe një anketë me shkrim për drejtuesit kryesorë klinikë (drejtorët e secilës disiplinë klinike); 2) Një rishikim i të gjithë pacientëve të trajtuar jashtë sistemit shëndetësor publik, duke e përfshirë numrin total, diagnozën, arsyet për trajtimin jashtë shtetit (2019 – gusht 2022); 4) Rishikimi i të gjitha raporteve të konsulentëve të kushtueshëm për infrastrukturën spitalore; dhe opinione e materiale të tjera të disponueshme për Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë për infrastrukturën, normën e zënies së shtretërve spitalorë, kapacitetet njerëzore dhe efikasitetin e shëndetësisë.

Rezultatet

Shtatë shtyllat e transformimit

Rezultati kryesor i kësaj analize ishte mungesa e ekspertizës klinike, e infrastrukturës spitalore (pajisjet apo teknologjia), mungesa e sistemit në vend (sistemi i traumave dhe urgjencave), apo faktorë të tjerë (mungesa e legjislacionit për transplantim), apo edhe arsye banale që e çojnë atë numër të madh të pacientëve madje edhe me probleme triviale (nevoja për biopsi) të dërgohen jashtë shtetit për trajtim. Kostoja për çdo ndërmarrje të organizuar dhe me strukturim të lartë ishte jashtëzakonisht e madhe, dhe sasia për çdo pacient që Kosova e paguante apo ia kishte borxh shumë shteteve ishte marramendëse dhe e pabesueshme, me shumicën (84%) që i detyrohej spitaleve private turke. Bazuar në këto analiza dhe raporte e projektuam një platformë me shtatë pika (apo shtylla) nga e cila do të nxirret e tërë strategjia e transformimit (Tabela 1), që do t’i përfshijë qendrat e ekselencës (Tabela 2) dhe themelimi i sub specializimeve klinike të reja të avancuara (Tabela 3).

Transformimi i specializimeve dhe shtimi i programeve të trajnimit të specializantëve

Në situata normale, transformimi i sistemit shëndetësor nis me shkollën (fakultetin) e mjekësisë dhe me programet specialistike, e jo me sub specializimet por Kosova nuk ka kohë. Ne duhet t’i mësojmë ata qe na i mësojnë specialistet tanë. Në fakt, për transformimin e sistemit shëndetësor, Kosova ka gjithçka përveç kohës. Asaj i duhet një mekanizëm për t’i përgatitur specializantët dhe të trajnuarit në studime pas-diplomike, ashtu që ata të mund të ndihmojnë në trajnimin e specializantëve të rinj në të ardhmen. Për ta arritur këtë, së bashku me shumë drejtorë klinikash (jo të gjithë) e projektuam një plan për t’i trajnuar mbi 100 mjekë dhe kirurgë gjatë viteve 2022-2024 në qendra ndërkombëtare të ekselencës dhe në 22 disiplina, duke i përfshirë 2-6 specializime në secilën fushë klinike (Tabela 3).

Me fjalë të tjera, programet e trajnimit të specializantëve do të duhet të kalojnë nëpër reformë të rëndësishme. Programet specialistike dhe të specializimit duhet të pranojnë specializantë të rinj në baza vjetore për shumicën e programeve klinike – duke u bazuar në nevojat klinike për shtetin dhe në standardet dhe akreditimin ndërkombëtar. Mirëpo, kurrë nuk ka pasur studim për nevojat afatgjata të shëndetësisë në Kosovë. Do të promovohen programet e trajnimit për anesteziologji dhe kujdes kritik, mjekësi të përgjithshme, kujdes primar, mjekësi familjare, shëndet publik dhe epidemiologji, dhe shërbime të tjera që konsiderohen deficitare në Kosovë. Për më tepër, çdo specializant potencial do të duhet të shërbejë si mjek i përgjithshëm për të paktën dy vite para se të hyjë në specializim, gjersa stazhi do të strukturohet në një specialitet të veçantë dhe do të zgjasë një vit. Programet e trajnimit të specializantëve apo programet e trajnimit të nënspecializimit duhet të strukturohen dhe të akreditohen ndërkombëtarisht, duke i shtuar strukturë dhe përkrahje profesionale administrative programeve rezidente dhe të trajnimit. Specializimet do të jenë të strukturuara mirë dhe do të kenë kurrikulë të projektuar mirë me shtete dhe institucione partnere. Parashikohet se kostoja fillestare arsimore e këtyre specializimeve do të jetë vetëm rreth tre milion euro, por këto shpenzime do të kompensohen duke e frenuar dukshëm fluksin e pacientëve që kërkojnë mjekim jashtë shtetit. Njëkohësisht, infrastruktura spitalore dhe pajisjet mjekësore do të jenë të nevojshme gjatë arsimimit.

Një element tjetër, kritik, i transformimit ka të bëjë me avancimin e aftësive njerëzore dhe modernizimin e programeve të trajnimit, me shtimin e përvojës së hulumtimit për rezidentët dhe të trajnuarit. Kjo duhet të bëhet duke i shtuar 1-2 vite të trajnimit të detyrueshëm hulumtues para apo gjatë programeve të rezidencës; duke i kombinuar programet e hulumtimit me programe të MPH (Master i Shëndetit Publik), Doktor i Shkencës, apo Doktor i Filozofisë (PhD); duke bashkëpunuar me industrinë mjekësore dhe farmaceutike; dhe duke i përfshirë shkencëtarët klinikë në secilën disiplinë klinike si pjesë e stafit hulumtues.

Përmbledhje:

Çka arritëm për më pak se një vit?

Objektivi dhe qëllimet kryesore të transformimit të shëndetësisë së Kosovës janë të avancohet mjekësia dhe kirurgjia klinike, duke i rritur aftësitë dhe ekspertizën njerëzore; duke e zvogëluar në zero numrin e pacientëve që dalin jashtë shtetit apo në sektorin privat të rregulluar dobët; dhe duke i thelluar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe shteteve partnere. Kjo nuk duhet të jetë neokolonializëm mjekësor, siç ka qenë deri tash, në pjesën më të madhe. Duhet të jetë partneritet i vërtetë i ndërtuar përmes diplomacisë dhe miqësisë mjekësore, duke synuar që Kosova të bëhet pjesë e fshatit mjekësor global dhe t’i drejtojë çështjet e veta mjekësore në mënyrë të pavarur. Kjo mund të bëhet gjithsesi, por Kosova duhet ta udhëheqë procesin, e jo ata që përfitojnë shumë nga paaftësia jonë mjekësore. Në fund, udhëheqësit e ardhshëm të shëndetësisë në Kosovë do të duhet ta kenë ekspertizën dhe dijen se si të bëhet kjo por më së shumti t’i kenë duart e lira ta transformojnë dhe ta udhëheqin ndryshimin.

Me gjithë vështirësitë e mëdha në secilin hap nga momenti kur e mora detyrën si Ministër i Shëndetësisë në Kosovë, kemi bërë përparim të dukshëm. Kemi pamje të qartë se çka po mungon. Për më tepër, e kemi definuar platformën dhe rrugën drejt transformimit duke i krijuar shtatë shtyllat e transformimit, duke i themeluar 12 qendrat e ekselencës, dhe 22 specializimet klinike të avancuara dhe reformimin e programit të trajnimit rezident. Të gjithë këta hapa do t’i përmirësojnë kapacitetet njerëzore dhe infrastrukturën spitalore dhe kjo do ta ndalë apo do ta zvogëlojë dukshëm trajtimin jashtë shtetit.

Ende besoj se, gjersa odiseja e transformimit është komplekse në çdo rrethanë, dhe përkundër shumë shpërqendrimeve, pengesave gjatë rrugës nga administrata e paaftë dhe e korruptuar (që duhet të ndërrohet) dhe korrupsionit në shumë nivele të sistemit shëndetësor, shëndetësia e Kosovës mund të përparojë dhe të bëhet e pavarur. Le ta kujtojmë se nuk ka pavarësi të vërtetë shtetërore pa pavarësi të shëndetësisë. Vetëm atëherë të rinjtë do ta shohin se mund ta arrijnë potencialin e tyre të plotë dhe do t’i shohin shanset që unë i shoh për ta në të ardhmen, pikërisht këtu në Kosovë. Por, do të duhet kohë dhe përkushtim i vërtetë nga qeveria dhe besim dhe dije për t’i hapur shtigjet për këto ndryshime. Por, hapi i parë është të pranojmë se sistemi shëndetësor i Kosovës është në rrëmujë.

Shënim personal

Si shënim personal, kjo ka qenë një nga segmentet më të jashtëzakonshme dhe ndër përjetimet vërtet begatuese të jetës sime. Ka qenë mundësi e mrekullueshme të përpiqem ta “kthej borxhin” me gjithë atë që e di dhe e kam mësuar në SHBA dhe në mbarë botën, si dhe të përpiqem ta integroj atë përvojë globale në vizionin dhe misionin tonë të transformimit të shëndetësisë në Kosovë. Nuk mund ta realizojmë këtë transformim madhor pa partneritet me shtetet anembanë botës dhe pa e përdorur diplomacinë mjekësore si platformë. Në fund, falënderimet e mija të përzemërta për Kryeministrin Kurti për shansin jetësor për t’i shërbyer popullit të Kosovës, dhe për të gjithë miqtë, kolegët, ministrat kolegë dhe personelin tjetër qeveritar, deputetët e Parlamentit te Kosovës dhe të gjithë ata që më ndihmuan gjatë mandatit tim. Në veçanti dua t’i falënderoj anëtarët e kabinetit tim: Kujtim Salihun, Liridon Iberdemajn, Lumturije Bekajn, Anton Shllakun, Lumnije Kqiku-Biblekajn, Arsim Berishën, Valon Baraliun, Kujtim Shalën dhe familjen time për përkushtimin e tyre të pakusht për ndryshimin e shëndetësisë në Kosovë në kohët e vështira, dhe Kalterina Latifin për komentet e saj të mprehta editoriale gjatë përgatitjes së këtij punimi.

Shtatë shtyllat e transformimit

Tabela 1: Shtatë shtyllat e transformimit

1 Digjitalizimi i shërbimeve shëndetësore, duke e përfshirë sigurimin shëndetësor
2 Kthimi i trurit (brain gain) dhe reduktimi i ikjes së trurit (brain drain), krijimi i politikave për përfshirjen e ekspertëve nga mërgata në pozita klinike, menaxheriale dhe drejtuese nëpër tërë sistemin shëndetësor.
3 Avancimi i programeve klinike dhe i qendrave të ekselencës përmes analizës së krijuar posaçërisht, dhe të bazuar në të dhëna të Fondit të sigurimeve të programeve për trajtim jashtë shtetit dhe në spitale dhe institucioneve private
4 Reformimi i programeve specialistik dhe të trajnimit dhe shtimi i sub-specializimeve dhe të akreditimit ndërkombëtar.
5 Decentralizimi i sistemit spitalor dhe riorganizimi i QKUK, me fuqizimin e sistemeve shëndetësore rajonale dhe lokale.
6 Avancimi i kapaciteteve hulumtuese dhe përfshirja e personelit hulumtues, rezidentëve hulumtues dhe studentëve të mjekësisë në shumicën e disiplinave madhore klinike.
7 Modernizimi i infrastrukturës spitalore dhe institucioneve të tjera shëndetësore dhe rritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore duke e përfshirë akreditimin ndërkombëtar të spitaleve dhe të institucioneve të tjera.

Tabela 2. Qendrat dhe Programet e Propozuara Klinike të Ekselencës

1. Qendra e Emergjencës, e Traumës dhe e Djegieve
2. Qendra Klinike Onkologjike e Kosovës ose Qendra e Kancerit me dhjetë departamente dhe njëmbëdhjetë programe klinike
3. Instituti Bio-Mjekësor dhe Hulumtues-Shkencor me katër departamente: 1. Hulumtimet shkencore; 2. Simulimi mjekësor dhe Edukimi Teknologjik; 3. Laboratori i Kirurgjisë Minimale Laparoskopike, dhe 4. Departamenti për Udhëzimet dhe Protokollet Klinike
4. Qendra për Fëmijë dhe të Rritur me Aftësi të Kufizuara (Autizëm, Sindromë Down dhe sëmundje të tjera të rralla)
5. Qendra e rehabilitimit të varësisë
6. Qendra Rajonale për Trajnim dhe Menaxhim të Fatkeqësive Urgjente dhe të Menaxhimit të Traumës
7. Zgjerimi i programit të Telemjekësisë nga të gjithë Spitalet Rajonale të Shtetit deri në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare
8. Konsolidimi i Qendrës për Neuroshkenca
9. Konsolidimi i Qendrës së Zemrës
10. Programi i Kirurgjisë Laparoskopike Minimale Invazive në Kirurgji të Përgjithshme, Urologji, Gjinekologji, Pediatri dhe Kirurgji Torakale
11. Programi i Kirurgjisë Endovaskulare
12. Programi i transplantit të veshkave dhe indeve

Tabela 3. Specializimet Klinike të Avancuara

1. Trauma dhe Kujdesi Intensiv Kirurgjik
2. Mjekësia e Kujdesit Intensiv Kritik
3. Kujdesi për Djegiet dhe Plagët Akute
4. Kirurgjia e Gjirit dhe Shëndeti i Gjirit
5. Kirurgjia Onkologjike
6. Kirurgjia Kolorektale
7. Kirurgjia Kardiotorakale Pediatrike dhe të rritur
8. Kirurgjia Minimale Invazive
9. Mjekësia Geriatrike
10. Mjekësia Paliative
11. Transplanti i Organeve Intra-Abdominale
12. Neonatologjia
13. Neurokirurgjia
14. Ortopedia
15. Psikiatria
16. Kirurgjia Endovaskulare
17. Hematologjia
18. Hematologjia-Onkologjia Pediatrike
19. Kirurgjia e Veshit të Brendshëm
20. Obstetrika dhe Gjinekologjia
21. Kirurgjia Torakale
22. Kirurgjia Maksilofaciale

**Përkthyer dhe adaptuar nga botimi në gjuhën angleze (Transformation of the Healthcare System in Kosova and Medical Diplomacy) në Revistën Kosova Journal of Surgery Vol 6 (2) 8-2022, me lejen e autorit dhe të Revistës. Përktheu: Ridvan Bunjaku. Përkthimin e rishikoi: Rifat Latifi.

Referencat

1. Kickbusch, I., & Liu, A. (2022). Global health diplomacyreconstructing power and governance. Lancet, 399(10341), 2156-2166. https://doi.org/10.1016/S0140-6736(22)00583-9.
2. World Health Organization. (2020, August 18). WHO Director-General’s opening remarks at the media briefing on COVID-19—Aug 18, 2020. Retrieved September 10,2022) from https://www.who.int/director-general/speeches/detail/whodirector-general-s-opening-remarks-at-the-media-briefing-on-covid-19—18-august-2020
3. Maurice J. (2015) Expert panel slams WHO’s poor showing against Ebola. Lancet;386(9990):e1. doi: 10.1016/S0140-6736(15)61253-3.
4. Kickbusch I, Nikogosian H, Kazatchkine M, Kökény M. (2021). A guide to global health diplomacy. Better health-improved global solidarity-more equity. Retrieved from: https://www.graduateinstitute.ch/sites/internet/files/2021-02/GHC-Guide.pdf
5. WHO (20220. Available online: https://www.afro.who.int/news/african-island-states-launch-joint-medicines-procurementinitiative) (accessed on September 6, 2022).
6. Bonilla K, Cabrera J, Calles-Minero C, Torres-Atencio I, Aquino K, Renderos D, Alonzo M. (2021 Jul 12) Participation in Communities of Women Scientists in Central America: Implications From the Science Diplomacy Perspective. Front Res Metr Anal.6:661508. doi:10.3389/frma.2021.661508. PMID: 34368614; PMCID: PMC8344979;
7. Soler MG (2021 Jun 17). Science Diplomacy in Latin America and the Caribbean: Current Landscape, Challenges, and Future Perspectives. Front Res Metr Anal.6:670001. doi: 10.3389/frma.2021.670001. PMID: 34222772; PMCID: PMC8247908.
8. Chattu VK, Dave VB, Reddy KS, Singh B, Sahiledengle B, Heyi DZ, Nattey C, Atlaw D, Jackson K, El-Khatib Z, Eltom AA. (2021 Nov 9). Advancing African Medicines Agency through Global Health Diplomacy for an Equitable Pan-African Universal Health Coverage: A Scoping Review. Int J Environ Res Public Health.18(22):11758. doi: 10.3390/ijerph182211758. PMID:3483151
9. Brown MDM, Tim K, Shapiro CN, Kolker J, Novotny TE (2014). Bridging Public Health and Foreign Affairs: The Tradecraft of Global Health Diplomacy and the Role of Health Attachés. Sci Diplomacy. 3:3.;
10. Koplan JP, Bond TC, Merson MH, Reddy KS, Rodriguez MH, Sewankambo NK, Wasserheit JN (2009). Towards a common definition of global health. Lancet. 373(9679):1993–1995. doi: 10.1016/S0140-6736(09)60332-9.
11. Brown MD, Bergmann JN, Novotny TE, Mackey TK(2018 Jan 11). Applied global health diplomacy: profile of health diplomats accredited to the UNITED STATES and foreign governments. Global Health.14(1):2. doi: 10.1186/s12992-017-0316-7. (https://ysph.yale.edu/news-article/neocolonialism-andglobal-health-outcomes-a-troubled-history/) (accessed 09-05-2022).

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Shëndetësi Lajme
Kalo në kategori