LAJMI I FUNDIT:

Si e mendojnë poetët dhe personalitet e shquara të letrave, artin e rreptë të përkthimit të poezisë?

Si e mendojnë poetët dhe personalitet e shquara të letrave, artin e rreptë të përkthimit të poezisë?

Vangjush Ziko

Ç’është përkthimi? Teorikisht përkthimi është lloji i veçantë i veprimtarisë njerëzore, i cili synon ndërmjetësimin gjuhësor, për të kapërcyer ekzistencën e barierave të larmisë gjuhësore në shoqërinë njerëzore, për të arritur hermenautikën, kuptimin e ligjërimit të huaj.

Përkthimi është mjeshtëria e rishprehjes së materialit origjinal të një vepre letrare në prozë apo në vargje. Moikom Zeqo pohon se vetë teksti “mbart tendencën për të shpërthyer lëvozhgën linguistike për t’u shumëfishuar, për t’u shpërndarë, jo për t’u fiksuar, por për të lëvizur. Këtë ndërkalim e lejon përkthimi, sepse përkthimi është ndërmjetës” (“Përkthimi si afërsi, apo katastrofë?”, dorëshkrim). Përkthimi si krijimtari letrare njihet që në kohët më të lashta shkrimore. Nga përkthimet e para në Botë janë tekste e shenjta.


Deri në ditët tona vazhdon debati mbi këtë mjeshtëri, mbi saktësinë, vërtetësinë e saj ndaj origjinalit. Tema e përkthimit është një temë komplekse. Për këtë ka shkolla dhe opinione të ndryshme që formulojnë opinionet e tyre, të cilat, shpesh, ndryshojnë, por konvergjojnë në disa çështje thelbësore.

Përkthimi, ashtu si vetë krijimi, duhet ta ruajë frymën kombëtare dhe atë të kohës kur është krijuar origjinali dhe, veçanërisht bukurinë artistike dhe vlerat estetike të tij, të rikrijojë me saktësi sa më të madhe formën dhe përmbajtjen e veprës origjinale poetike.

John Drugen veçon tri lloje të përkthimit: Metafrazën ose ndyshe përkthimin literal, fjalë për fjalë; Memisin ose imitimin, i cili, jo vetëm shmanget nga fjalët dhe kuptimet e tekstit origjinal, por edhe largohet prej tij, si t’i vijë për mbarë përkthyesit. Perifrazimin ose përkthimin e lirë, kur përkthyesi nuk largohet nga origjinali, ndjek fjalët dhe kuptimet, bile duke i zgjeruar këto, por pa i ndryshuar. George Steiner, në veprën e tij “After Babel” (“Pas Babilonisë”) ofron kuptimin e tij të përkthimit në mënyrë analitike, duke e paraqitur përkthimin si një unitet në formë të përfunduar që kalon në katër veprime hermeneutike, të kuptimit të ligjërimit të huaj.

Ai nënvizon katër akte:

“1. I pari është akti i besimit, falë të cilit origjinali për herë të parë në sajë të të cilit fillon të shihet prej përkthyesit si i plotvlershëm, i cili pret zbulimin e botës simbolike.

Ende pa i veçuar detajet marrin jetë dhe mundësi zhvillimi.

2. Akti i dytë fillon me ndërhyrjen agresive të përkthyesit në botën e huaj për të (bota e autorit), duke kapur domethënien specifike të origjinalit.

3. Lëvizja e tretë përfshin proceset e vështira të bashkimit të pasurisë së plotë të origjinalit me strukturën e vendosur të gjuhës amtare.

4. Së fundi, në fazën e katërt përkthyesi është i detyruar të marrë përgjegjësinë për “lokalizimin” e përkthimit të autorit të dhënë, që do të thotë, futja e tij në kulturën e vet në mënyrën e duhur, por jo në mënyrë të ekzagjeruar, siç ndodh shpesh”. Kyçi i suksesit të një përkthimi varet nga nuhatja, ndjeshmëria e lartë gjuhësore dhe estetike, nga leximi intelektual i veprës, si dhe nga përgatitja e lartë profesionale e përkthyesit. Ashtu siç i duhet poetit njohja dhe zotërimi i thellë i gjuhës amëtare, i duhet edhe përkthyesit zotërimi i gramatikës, morfologjisë, sintaksës, semantikës, leksikut, veçorisë tingullore të gjuhës së vet si dhe zotërimi i mirë i gjuhës prej së cilës do të përkthejë. Përkthimi më i sukseshëm do të ishte njohja nga ana e përkthyesit e të dy gjuhëve.

Përkthyesi duhet të njohë prozodinë, duhet të njohë specifikën e organizimit të brendisë së poezisë, mjeshtërinë artistike: vargun, rimën, ritmin, strofën dhe kombinimet pa fund të tyre. I parë me këtë sy, mund të arrihet në përfundimin se përkthimi është një Mjeshtëri. Si çdo mjeshtëri, ai ka në bazë përvetësimin e saj, zotërimin dhe zbulimin i sekreteve dhe teknikave të caktuara të një vepre të shkruar. Mjeshtërinë e përkthyesit do ta përqasja me mjeshtërinë e aktorit, mjeshtërinë e këngëtarit, të instrumetistit, që interpreton një tekst, një karakter, një melodi, një partiturë. Pra, rikrijimin e një diçkaje të krijuar jo prej tij. Dhe kjo, patjetër, kërkon një prirje, një talent, që në thelb ka imitimin. Prandaj lind mundësia dhe domosdoshmëria e shumë përkthimeve të një vepre. Ashtu siç ka shumë interpretime apo venie skenike të një drame, të një kënge, një opere apo të një simfonie. Kjo përqasje midis përkthimit të një vepre letrare dhe të një vepre artistike, sigurisht, është metaforike. Sepse mjetet e realizimit të tyre janë të ndryshme: fjala dhe tingulli. Morfologjia e fjalës dhe ajo e tingullit janë njësi kuptimore krejt të ndryshme. Por, në thelb, kanë një gjë të përbashkët: transmetimin te një lexues apo te një spektator apo dëgjues tjetër të një teksti. Problemet janë të ndryshme dhe specifike. Por edhe midis gjinive të ndryshme të letërsisë, midis poezisë dhe prozës ka diferenca. Poezia është gjinia letrare më e vështirë për t’u përkthyer, për t’u rikrijuar në një gjuhë tjetër.

Nabokovi ngulmon se poezia nuk përkthehet, se kur përkthen poezinë duhet bërë zgjedhja midis “rimës dhe intelektit”. Përkthyesit i duhet t’i përcjellë të dyja. Dhe ky është problemi, që e bën kaq të vështirë përkthimin e poezisë. Kornej Çukovski, përkthyes i shquar rus, hedh një mendim tjetër:“Jambet duhen përkthyer me jambe, horetë me hore, por bukuria duhet përkthyer me bukurinë”. Ai ve kështu në plan të parë anën artistike të përkthimit, estetikën poetike, magjinë e krijimit poetik, që e bën atë të papërsëritshëm, atë që Valter Beniamini e quan “intensitet të krijimtarisë poetike” i cili prek struktura të veçanta të strukturës gjuhësore, figuracionin artistik, jo tërë leksikun.

Në përkthimin e një poezie mund të ndërhyhet në vargun, apo strofën sipas veçorive stilistikore të gjuhës, por jo në sistemin e figuracionit dhe, në asnjë mënyrë në ritmin e vargut apo edhe në sistemin e rimave. Ritmi dhe rima, si pjesë përbërëse e ritmit, përcaktojnë stilin e autorit. Kështu rima, për Majakovskin, ka rëndësi organizuese dhe kuptimore, “i detyron të gjitha vargjet, të formojnë një mendim, të qëndrojnë të bashkuara”. Zbehja e saj e cënon vargun e tij. Ai ka shkruar dhe këto vargje: “Rima është fuçia me barut/ vargu fitili i saj/vargu Tymon/fuçia shpërthen/qyteti fluturon në erë/

bashkë me strofën”. Ndërsa për Lasgushin tonë, për poezinë e tij, është i rëndësishëm çdo tingull i vargut, melodia e tij, çdo fjalë.

Po të jetë se çvendoset sado pak rendi i tyre ose muzikaliteti, humbet fare poezia. Mbase dhe kjo është një nga arsyet, që nuk është përkthyer dhe nuk është bërë e njohur në botë magjia e poezisë së tij.

Është e vështirë të arrihen këto parametra në një gjuhë tjetër.

Disa e quajnë përkthyesin “hija e poetit”. Poeti rus Zhukovski e quan “rival të poetit”. Poeti Navalis e quan përkthyesin “poet të poezisë”.

Për George Steiner, përkthimi është një gjë e dëshirueshme dhe e mundshme, por së bashku është një sipërmarrje misterioze dhe e pafundme. Si çdo aktivitet i interpretimit, ai është i destinuar të ndalojë gjithmonë në gjysmë të rrugës, “Përkthimi i plotë, dmth. pamja e fundit dhe përgjithësimi i plotë i mënyrës se si njeriu korrespondon fjalën me veprën, do të kërkonte një bashkim të përsosur me autorin”.

Umberto Eko shton se përkthimi është i bazuar në një farë marrëveshjeje të heshtur. Pjesëmarrës në këtë akt janë: teksti burimor dhe autori me të drejtat autonome dhe pretendimet bashkë me kulturën e cila e lindi tekstin, nga ana tjetër, kultura në të cilën vjen ky tekst bashkë me lexuesit e vet dhe kërkesat dhe shijet e tyre, të cilat duhet t’i njohë ose nuhatë përkthyesi. Pra, përkthimi është një ndërkallje shijesh dhe mendësish të ndryshme. Një penetrim i tillë në një botë tjetër shpirtërore, edhe nëse është i mundur, në praktikë është i paarritshme për një fiksim racional. Në ditët tona po artikulohet mendimi se përkthimi është një sintezë midis shkencës dhe artit. Bile përkthimi ka filluar të shikohet jo vetëm nga pikëpamja gjuhësore dhe letrare artistike, por të trajtohet edhe si objekt i studimeve të shkencave humanitare si sociologjia, psikologjia, filozofia. Megjithatë, përkthimi nuk është shkencë, është art dhe art “i rreptë”. Gjuha e poezisë është gjuha e gjykimit të figurshëm, gjuha e shpirtit. Strukturat gjuhësore më të thella janë ato të poetit, krijuesit të gjuhës dhe mënyrat vepruese të gjuhës shfaqen edhe gjatë veprimtarisë përkthyese, pohon George Steiner. Filozofi Steiner e quan mjeshtërinë “art i rreptë”, përkthyesi Çukovski e quan mjeshtëri “të bukurisë”. I magjishëm dhe i vështirë arti i përkthimit!