LAJMI I FUNDIT:

Shumica miraton kufizimin e imunitetit

Shumica miraton kufizimin e imunitetit

Shumica miratoi të hënën në komisionin e ligjeve kufizimin e imunitetit, i cili përbën ndryshime në rregulloren e kuvendit. Mazhoranca dhe opozita kanë pozicione të ndryshme për këtë çështje.

Deputetet socialiste e cilësuan projekt-vendimin për kufizimin e imunitetit demagogji, anti kushtetuese dhe të pavlefshëm për prokurorinë, ndërsa mazhoranca theksoi se kjo është e vetmja rrugë kushtetuese për kufizimin e imunitetit për sa kohë që kryetari socialist Edi Rama po bllokon procesin e kufizimit të imunitetit nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës, raportoi Ora News.

Socialistet kanë kundërshtuar edhe ndryshimin e rregullores në lidhje me spostimin e debatit për çështje jashtë rendit të ditës në fund të seancës plenare. Ndryshimet në rregulloren e Kuvendit të cilat gëzojnë vetëm konsensusin e mazhorancës parashikojnë kufizimin e imunitetit, spostimin e debatit për çështje jashtë rendit të ditës në fund të seancës dhe ashpërsimin e masave disiplinore ndaj deputetëve që thyejnë rregulloren. /Telegrafi/