LAJMI I FUNDIT:

Shumë përforcime në basketboll

Shumë përforcime në basketboll

Skuadrat e basketbollit të Kosovës kanë bërë disa përforcime dhe ndërrime të lojtarëve të enjten.

E fillojmë me ekipin RTV-21. Skuadra prishtinase ka paraqitur për regjistrim në Federatën e Basketbollit të Kosovës sot dy basketbollistë. Bëhet fjalë për amerikanët Keith Gabriel dhe Trey Hampton.

Gabriel luan në pozitën e fundorit, është 24 vjeç, 194 centimetra i gjatë dhe ka luajtur në ekipin e Norkopingut në Suedi, me një mesatare prej 8.1 pikë, 1.4 asistime dhe 2.4 kërcime për ndeshje.

Kurse, Hampton është 26 vjeçar i cili së fundmi ka luajtur për ekipin Lapuas të Finlandës, me një mesatare prej 14 pikë, 5.7 kërcime dhe 2.1 asistime për ndeshje.


Të dy lojtarët do të kenë të drejt loje që në xhiron e radhës, pasi të kompletohet dokumentacioni dhe obligimet e klubit ndaj FBK-së.

Gjithashtu, para se ta bëjë regjistrimin e këtyre dy basketbollistëve, RTV 21 ka ç’regjistruar basketbollistin turk, Ersan Ozseven dhe atë lituanez, Marius Kasilevicius.

Drita sjell dy amerikanë

Drita po ashtu ka sjell në ekipin e saj dy përforcime të huaja. Skuadra nga Gjilani ka paraqitur për regjistrim në FBK amerikanët Darrick Thomas e Brian Towner.

Për këta të dy, kjo do të jetë përvoja e parë jashtë Amerikës dhe të dy mund të aktivizohen në parket në ndeshje ndaj ekipit RTV-21, në rast të kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm.

Gjilanasit i sollën këta dy lojtarë pasi larguan amerikanët Fabo Wilson dhe Travis Taylor, për shkak të mosdisiplinës.

Besa angazhon amerikanin Funches

Rreth përforcimeve është përkujdesur edhe debutuesi i ETC Superligës, Besa. Skuadra pejane e ka paraqitur për regjistrim në FBK basketbollistin Charles Funches.

Aloja amerikane do të ketë të drejt loje në fundjavë ndaj rivalit Peja, në rast të kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm. Funches së fundmi ka luajtur në ligën daneze, me ekipin Aarhus. /Express/Telegrafi/