LAJMI I FUNDIT:

Shteti dhe demokracia qytetare

Një shtet demokratik mbështetet në parimin nga Filozofi Zhan Zhak Ruso, i cili si parim është edhe parim kombëtar dhe ndërkombëtar, se qeveria buron nga populli dhe është për t’i shërbyer popullit. Këtë parim duhet ta inkorporojë çdo shtet i cili pretendon të jetë shtet demokratik, sepse sipas paradigmës – populli nuk është për t’i shërbyer qeverisë, por për të zgjedhur qeverinë. Kjo është një rregull se, njerëzit duhet të jenë subjekt aktive, shtetas të shtetit demokratik, por jo subjekt pasive në shtetin e tyre.

Qytetarët e një shteti demokratik duhet të gëzojnë të drejtat individuale dhe kolektive të cilat të drejta janë të garantuara edhe me konventa ndërkombëtare.
Qytetarët në shtetin demokratik duhet të gëzojnë të drejtat që, sipas dëshirës, së tyre të hyjnë në organizata të pavarura nga qeveria dhe të marrin pjesë lirisht në jetën politike aktive të shoqërisë në të cilën bëjnë pjesë. Por në mënyrë të ndërsjellët, njëkohësisht, shtetasit duhet të marrin parasysh edhe detyrat dhe përgjegjësit që dalin nga kjo pjesëmarrje. Sepse qytetarët duhet të mësohen me mënyrën e trajtimit të problemeve, të tregojnë tolerancë dhe mirëkuptim ndaj atyre që kanë ide të kundërta dhe po ta kërkoj nevoja, edhe të bien në kompromis për të arritur një marrëveshje.


Qytetaria në shtetin demokratik, nënkupton një përkufizim të gjerë të të drejtave dhe detyrave, qytetarë si dy anë të kundërta të së njëjtës medalje. Ushtrimi i të drejtave nga një individ nënkupton edhe përgjegjësinë që ka ai për mbrojtjen dhe fuqizimin e këtyre të drejtave, për veten e tij si dhe për të drejtat e tjetrit. Mirëpo shumë herë, shumë shtete të cilat pretendojnë të jenë demokratike, e në fakt janë autokrate, e kuptojnë demokracinë si diçka si sundimi i shumicës, ndërsa të drejtat i kuptojnë përherë edhe më tepër si pronë personale e individëve dhe në këtë mënyrë, do të thotë të mos kuptosh si duhet, as të drejtat, as demokracinë, por të kesh keqkuptim ndaj demokracisë së mirëfilltë qytetare.

Është më se e qartë se në shtetet demokratike qytetari-individët ushtrojnë të drejta themelore të patjetërsueshme si: liria e fjalës, e grumbullimit dhe e fesë, të cilat përbëjnë kufirin për cilëndo qeveri të ngritur mbi baza demokratike. Thelbi i qytetarisë aktive demokratike qëndron në pjesë-marrjen aktive dhe të lirë të shtetasve në jetën politike shtetërore të vendit të tyre. Pa pasur një pjesëmarrje të gjerë aktive qytetare demokracia fillon të zbehet, të nëpërkëmbet dhe të bëhet vetëm mbrojtëse e një rrethi vicioz grupesh.
Por me angazhimin qytetarë aktiv të të gjithë shoqërisë, brenda shtetit demokratik, demokracia mund t’i bëjë ballë stuhive të pashmangshme grupeve të ndryshme, të cilat pretendimet e tyre i kanë, në nëpërkëmbjen e demokracisë.

Një demokraci aktive qytetare e shëndoshë varet nga pjesëmarrja e vazhdueshme dhe e hapur e të gjitha shtresave të shtetasve, pavarësisht nga niveli i edukimit sepse demokracia është një proces, që evoluon në një mënyrë të jetuarit dhe të punuarit së bashku. Ajo evoluon dhe nuk mbetet në vend, dhe statike demokracia e vërtet qytetare në shtete demokratike kërkon bashkëpunim, bënë lidhjen e idealeve të lirisë të shprehjes së lirë, demokracia nuk kërkon që të gjithë qytetarët të jenë intelektual apo akademik, por kërkon që të jenë të përgjegjshëm ndaj jetës qytetare aktive dhe shtetit ku jetojnë.

(Autori ka diplomuar në Filozofi dhe Juridik, dhe është në përgatitje të temës së masterit në të Drejtën Penale në UP)