LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët në sytë e piktorëve francezë (Video)

Shqiptarët në sytë e piktorëve francezë (Video)

Për shqiptarët, veç epokës së Rilindjes dhe lëvizjeve për liri e pavarësi, shekulli i XIX ishte gjithashtu dhe shekulli i portretizimit të tij në imazhe, pasi pothuaj për herë të parë bota e Perëndimit shikonte portretet e shqiptarëve, veshjet e tyre, dekoret shqiptare… gjithçka e jashtme që lidhej me përjetimet e tyre – valltarët, këngëtarët, personazhet historikë. Në pjesën më të madhe këtu bëhet fjalë për shqiptarët jashtë kufijve aktualë të Shqipërisë.

Perëndimi kishte njohur më parë portretet e famshme të heroit më të madh kombëtar, Skënderbeut, i cili veç Bellinit ishte pikturuar nga piktorë të ndryshëm italianë, francezë, gjermanë, spanjollë etj., si dhe të stratiotëve të famshëm mes të cilëve Mërkur (Mercurio) Bua Shpata, stratiotët Giorgio e Gjon Meneshi dhe të tjerë kalorës që krijuan në Francë atë që quhej “chevalerie albanoise“ (“kalorësia shqiptare“), të cilët morën pjesë në garat kalorsiake të organizuara nga Leonardo Da Vinci para mbretit francez François I.

Po kështu dhe ai i stratiotit të ardhur nga Morea në tokat e Italisë, Marullo Tarcaniota, pikturuar në Firence nga Botiçelli më 1493, i cili në Italinë e republikave dhe principatave, krahas shpatës mbante dhe penën e famshme që e bëri të njohur në artin poetik italian e europian të shekullit XVI. Udhëtarë të tjerë që kaluan nëpër brigjet e Adriatikut shkruan gjithashtu për shqiptarët, duke treguar dhe karakterin e këtij populli, kostumet e tij, të cilat zunë vend në ilustrimet e librave të tyre. Po, ku vallë i pikëtakuan ata shqiptarët, në ç’rrethana historike?


Studiuesi Luan Rama jep përgjigje për diçka të tillë përmes librit të tij “Shqipëria dhe shqiptarët tek piktorët francezë të shekullit XIX”. Rama e ka prezantuar këtë botim si pjesë e një kolane librash, vija lidhëse e të cilëve është piktura dhe Shqipëria.

Krahas “Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e autorëve francezë të shekullit të XIX”, lexuesit mund të gjejnë rikrijojnë jetën e shqiptarëve në trojet e tyre dhe përtej kufijve në rrugëtimet e gjata të histories edhe duke shfletuar “Shqiptarët e Leon Gerome” (Leon Zherom), apo librat për artistët shqiptarë “Dino, shtegtari i portës sublime: piktori i madh me origjinë shqiptare” dhe “Omer Kaleshi-Shtergu nga Ballkani”.

Siç vëren Rama, shqiptarët hynë gjerësisht në tablotë e piktorëve të huaj veçanërisht në vitet e para të shekullit XIX, kur pas Revolucionit francez e sidomos pas fitores së Revolucionit grek, një rradhë e madhe artistësh, shkrimtarësh, historianësh, arkeologësh etj., përshkuan Greqinë që të pikëtakonin jo vetëm heronjtë e kohëve të reja por dhe të shikonin rrënojat e vjetra të një qytetërimi të jashtëzakonshëm. Por në veçanti me artistët anglezë, italianë, gjermanë, zviceranë etj., të cilët trajtuan temën shqiptare, francezët ishin më të shumtët dhe më cilësorët. Shqiptarët u shfaqën në tablotë e tyre me profile e karaktere të ndryshme: herë në pozicione luftarake e herë në pamje të qeta meditimi, apo portrete të lira, ku secili nga piktorët ka shprehur origjinalitetin dhe stilin e tij piktural. Etydet mbi karakteret, tipat dhe kostumet shqiptare janë më të shumta sesa ato tablo që u bëjnë jehonë figurave apo ngjarjeve historike.

Pas fushatës së Napoleonit në Egjipt dhe tablove të pikturuara rreth figurës së Mehmet Ali Pashës, francezët filluan të përshkojnë viset e Shqipërisë dhe Greqisë.

Padyshim që Janina ishte një ndalesë tepër interesante, pasi takimi dhe miqësia me Ali Pashën e bënte udhëtimin e tyre më të sigurtë. Në vitin 1809 ishte Bajron me mikun e tij Hobhause, si dhe studjues e njerëz politikë si Thomas Hughes apo Edëard Lear, Cockerelle dhe Joseph Cartëright, ishin ndër të paktët piktorë anglezë që sollën imazhet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Duke parë gjithë këto imazhe të sjella nga piktorët francezë të shekullit XIX, ajo që bie në sy në rradhë të parë është një lloj vitaliteti i karaktereve shqiptare të pikturuara nga artistët francezë gjatë këtij shekulli, karaktere që nuk janë krijuar thjesht nga imagjinata, por nga një pikëtakim i drejtpërdrejtë i tyre me këta personazhe të diasporës shqiptare. Gjatë shekullit XIX ishte i njohur imazhi kozmopolit i popujve që formonte perandorinë osmane, siç ishte gjithashtu imazhi i hebrejve në shtetet e Perëndimit, i armenëve, i bullgarëve etj., por imazhi i shqiptarëve ishte më i rrallë dhe padyshim ai jepej me një lloj ekzotizmi. Sidoqoftë, këto vepra janë në vazhdën e shkollës së orientalizmit, aq të përhapur në atë kohë në Europë, e cila solli një prurje të madhe artistike e mjaftë cilësore në pikturën europiane të shekullit XIX.

Sigurisht, këto tablo që shohim në këtë libër, janë një pjesë e asaj krijimtarie të madhe të piktorëve francezë të shekullit XIX, të cilët, krahas ekzotizmit përmes figurave, kompozimeve, ngjyrave dhanë dhe dramacitetin, tragjizmin apo atë lirizëm të pakët që mund të ekzistonte në atmosferën e rëndë të një pushtimi perandorak. Nëse nuk do të ishte zhvilluar shkolla e orientalizmit ne nuk do t’i kishim sot këto tablo të piktorëve me famë botërore. Përveç kësaj, këta piktorë mundësuan që gjeneratat e sotme të mund të shikojnë si figura reale tipin shqiptar gjatë atij shekulli dhe dramën që ngjizte ai në vetvete. Ne s’do të mund ti imagjinonim si duhej figurat e suljotëve pa pikturat e Louis Dupré, i cili i piktakoi ata në vitin 1819; ne s’do të mund të imagjinonim figurat e arnautëve pa pikturat e J. L. Gérôme, mishërimin e luftës së Marko Boçarit pa tablotë e Delacroix, fytyrën e së resë shqiptare pa tablonë e Corot e cila u kthye në një tablo emblematike, ashtu siç u kthye dhe “Valltarët shqiptarë”.

Kur Dupré mbërriti në Korfuz një nga mbresat më të veçanta të tij ishin suljotët me pamjen hijerëndë dhe veshjen e tyre që spikaste në atë mjedis.

Si të gjithë artistët, Dupré kërkoi menjëherë t’i vizatonte ato figura epike dhe dramatike dhe ata nuk kundërshtuan edhe pse qëndrimi i tyre ishte hijerëndë, pasi dukej se kishin mbetur të braktisur nga bota, njerëz pa shtëpitë dhe tokën e tyre

Një nga gjërat e shënuara ato ditë ishte rikthimi i tyre në Butrint, meqë pashai i kishte ftuar të shkonin në gjueti përgjatë liqenit dhe brigjeve të tij, të populluara me lloj-lloj shpezësh të egra. Madje, siç kujton Dupré, Aliu kishte vendosur rreth brigjeve nja 500-600 ushtarë të tij që të ulërinin e të trembnin shpezët në mënyrë që ato të ngriheshin në qiell dhe anglezët e Aliu t’i qëllonin me pushkët e tyre. Një spektakël i habitshëm dhe një zallamahi më vete…

“… Nga mesi i ditës, – shkruante Dupré, – skuadrilja jonë ishte vendosur në një pikë ku na sollën për të ngrënë, madje e shtruan në barkat tona… hanim në mënyrë madhështore me enë të sheshta, por që thuhej se pronari i tyre i parë kishte qenë Joachim Murat… Kjo e ngrënë mbi ujë, në shoqëri të vezirit më të fuqishëm të perandorisë dhe ku merrnin pjesë persona të kombeve, zakoneve e rangjeve të shumta, të ofronte një pamje jo pa interes. Nuk mund të mos admiroje me një kënaqësi të veçantë sigurinë dhe besimin e Ali Pashës në mes të asaj turme, ku duhej të gjendeshin shumë njerëz që kishin vuajtur nga tirania e tij e tmerrshme. Ja në çfarë shkalle nënshtrimi duhej të kishte rënë një popull, saqë një shtypës mizor nuk kishte frikë aspak nga urrejtja apo dëshpërimi i tyre i pashpresë! Meqë barka jonë gati e prekte atë të pashait, unë u vendosa në mënyrë që të mund ta vështroja mirë dhe që ai të mos më shikonte. Që nga takimi ynë i parë me Aliun, kërkoja me etje rastin që të kapja tiparet e tij dhe ai rast mu duk tepër i favorshëm. Ai kishte refuzuar t’i bëja portretin, por megjithatë unë guxova ta bëja. Edhe pse me nxitim, arrita ta vizatoj më mirë sesa shpresoja. Ndoshta duhet t’i them publikut se portreti dhe barka e Aliut janë në tablonë VIII të librit dhe se kopje të këtij vizatimi janë botuar tashmë në Francë e në Angli pa pëlqimin tim…”

Jeta e Abedin Dinos dhe arti i tij janë një tjetër piktor, i cili ka tërhequr vëmendjen e studiuesit Rama. Ai vëren se Dino konsiderohej piktor turk, e njëkohësisht europian, por të paktë ishin ata që dinin se rrënjët e tij shtriheshin thellë në një tokë shqiptare.

Abedin Pashë Dino, apo Abedin Pashë Preveza (1843-1908), i cili fillimthi, pas studimeve në gjimnazin „Zosimea“ të Janinës, ku studiuan shumë nga personalitete të Rilindjes shqiptare, si dhe studimeve në Athinë e Stamboll, ai punoi disa kohë në Izmir, pastaj si prefekt në Varna të Bullgarisë, për tu kthyer në Stamboll dhe drejtuar bursën e kryeqytetit perandorak. Në broshurën e tij Biografia, ku i referohet jetës së tij, ai shkruan se „Ahmeti, babai im, i përkiste një prej familjeve fisnike të Çamërisë”.

Të shkruash për Abedin Dinon, për veprën dhe jetën e tij, padyshim të shkon mendja në imazhin e lumturisë dhe të utopisë, pasi piktori e kërkoi këtë imazh gjithë jetën e tij, nga kalldrëmet e Stambollit dhe rrugët e pluhurosura të Adanasë e Anadollit e gjer në bulevardet dhe lagjet e vjetra pariziane. A nuk i kishte kërkuar një ditë miku i tij dhe poeti Nazim Hikmet: “Abedin, a mund ta vizatosh fytyrën e lumturisë?”

Nazim Hikmeti ishte poet i utopisë dhe sivëllai i tij Abedin, në artin e ngjyrës e të formës, ishte dhe mbeti piktor i utopisë.

Omer Kaleshi është një tjetër figurë ndaj së cilës studiuesi Luan Rama tregon një vëmendje të veçantë. Kaleshi, ky piktor ballkanas, në sytë e të cilit ri gjithnjë ndezur imazhi i fshatit të tij Serbica, në Kërçovë, lindi në një familje e mjedis shqiptar të traditës muslimane, mori mësime në gjuhën serbokroate dhe shqipe, e më pas, në shkollën teknike, në gjuhën maqedonase. Paskëtaj kreu studimet e larta për pikturë në Turqi, ku dhe u formua si piktor.

Krahas librave studimorë të përmendur më lart, Luan Rama do të sjellë shumë shpejt në frëngjisht edhe një libër për Auguste Dozon, një konsull francez në Janinën e 1860-ës, mik i Sharl Bodlerit, që shkruante poezi dhe që hyri në karrierën politike si diplomat.

Dozon jetoi në Beograd, ku njohi epikën serbe, jetoi në Bullgari dhe më pas në Janinë, ku ra në kontakt me Naim Frashërin, Kristoforidhin dhe Apostol Meksin, të cilëve iu kërkoi t’u tregonin përrallat dhe folkorin shqiptar. Ai mblodhi shumë rite, zakone dhe përralla, të cilat më pas i botoi në Francë më 1872 dhe për këtë akademia franceze e vlerësoi me çmim. Ai është një nga të parët që ka bërë të njohur folklorin shqiptar në botë. Libri për Dozon, i botuar në shqip para tre vitesh, tani do të mund të lexohet edhe në frëngjisht pas botimit në Francë. /TemA TV/