LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria e madhe

Shqipëria e madhe

Gjatë gjithë shekullit të kaluar, por edhe në fillimshekullin e ri përmes të gjitha kanaleve diplomatike, Serbia propagandoi idenë e shqiptarëve për Shqipërinë e madhe. Shteti serb që nga viti 1910 e deri në ditët e sotme, botoi mbi 700 tituj, disa nga të cilët i përktheu në gjuhët më të folura të botës, që flasin ekskluzivisht kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë së madhe, edhe në periudha kur shqiptarët këtë projekt as që e kishin në mendje, derisa përballeshin me shfarosje kolektive.

Propaganda serbe edhe pas pavarësisë së Kosovës vazhdon me të njëjtat trende. Jo rrallë fiksioni serb për Shqipërinë e madhe merr përmasa paranojake, madje edhe kur Kushtetuta e Republikës së Kosovës bashkimin me Shqipërinë e ndalon me ligj!


Realisht në qarqet nacionaliste shqiptare ka ekzistuar kjo ide, ndërkohë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe mbetjes së shqiptarëve në kampin komunist, ideja e bashkimit mbeti vetëm në kujtesë, por që një projekt serioz rreth ngritjes së kësaj ngrehine nuk ka ekzistuar kurrë.

Vullneti i bashkimit të shqiptarëve është fuqizuar veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, pra në kohën kur viset shqiptare bashkëjetuan tri vjet nën konfederatën e Italisë fashiste. Me mbetjen e Shqipërisë në kampin komunist dhe të Kosovës nën kthetrat serbe, shumica e nacionalistëve shqiptarë që vepruan për këtë kauzë u vranë dhe u internuan në të dyja anët e kufirit, por disa nga ata që arritën të migronin, sikur e morën me vete edhe ëndrrën për Shqipërinë natyrale. Mbetja e Shqipërisë në kampin komunist ishte fatale për shqiptarët. Regjimi komunist asgjësoi elitën intelektuale e bashkë me ta vrau edhe idenë e bashkimit, edhe të evropeizimit.

Rënia e komunizmit në Shqipëri dhe fillimi i mundimshëm i ndërtimit institucional të Shqipërisë demokratike, i frustroi shqiptarët që jetonin jashtë kufijve administrativë të saj. Këtyre të fundit sikur iu shprish ëndrra e bashkimit, meqë në mendjet e tyre e kishin konstruktuar një Shqipëri ndryshe. Frustrimit dëshpërues i priu Shqipëria komuniste e izoluar për pesëdhjetë vjet dhe zhgënjimi ishte i madh. Dhjetë vjet më vonë Kosova doli nga kthetrat e përgjakura të regjimit serb, por që ndërtimi institucional doli të jetë fatal dhe njësoj si në Shqipërinë gjatë dhe pas rënies së diktaturës.

Edhe Republika e Sllovenisë ishte pjesë e ish-federatës jugosllave. Pas shkëputjes nga ish-Jugosllavia, për model të qeverisjes mori simotrën e saj Austrinë. Modelet qeverisëse të fqinjes së saj ishin të avancuara, prandaj sllovenët nuk e patën të vështirë as ndërtimin institucional, as integrimin në BE. Për dallim nga sllovenët, shqiptarët e Kosovës për model të qeverisjes morën Shqipërinë dhe këtu ndodhi fillimi më fatkeq për të ardhmen e saj. Qeverisjet e këqija të të dyjave vendeve, po i dërgojnë rrëshqanthi shqiptarët drejt errësirës dhe larg integrimeve evropiane.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar në të dyja shtetet funksionojnë njëjtë. Arsimi është nëpërkëmbur njësoj dhe universitetet e të dyja vendeve, sot nuk e gëzojnë as prestigjin e Liceut të Korçës para një shekulli. Njësoj është dergjur shëndetësia dhe njësoj është rrënuar zhvillimi ekonomik. Papunësia dhe mungesa e perspektivës në të dyja shtetet janë dëshpëruese, derisa brishtësia institucionale dhe patetizmi skizofrenik janë të njëjtë dhe sikur u ngjajnë vëllezërve siamezë. A nuk i kemi të ngjashme edhe varfërinë e izolimin dhe këto ngjashmëri “aksidentale” a nuk janë fatale për bashkimin e tyre? Të gjitha këto shenja e parathonë zbehjen, sepse shumica e shqiptarëve ngrehinën e bashkimit ende e shikojnë përmes heronjve epikë, sado që e kanë para vetes modelin e bashkimit gjerman.

Çfarë do të bashkonim atëherë? Korrupsionin dhe krimin e organizuar? Arsimin e nëpërkëmbur dhe ekonominë e rrënuar? Papunësinë dhe varfërinë e masovizuar? Nga të gjitha këto deformitete, të cilat do të na përcjellin edhe shumë vite, rezulton se Shqipëria e madhe mund të jetë konstrukti më imagjinar i kullës prej letre.

Elitat intelektuale të të dyja shteteve vazhdojnë që këtë temë ta konsiderojnë tabu dhe sikur kanë drojë se e lëndojnë Serbinë, edhe në momentet kur Kosova rrezikon të humb mbi pesëmbëdhjetë për qind të territorit të saj. Viteve të fundit disa lëvizje politike me orientime të majta andej e këndej kufirit, vazhdimisht i mëshojnë gongut të bashkimit, por që me ndërtimin e idesë së bashkimit me rekuizitat e së kaluarës, u ngjajnë zërave të vetmuar në shkretëtirë.

Ngjashëm veprojnë dy qeveritë. Organizojnë takime në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve në Prizren, jo për të bashkërenduar punë e projekte dhe për t’i sanuar defektet e mëdha, por për të provokuar sentimentin shqiptar në kohë fushatash, më saktë kur autoriteti i tyre është në zgric të rrënimit.

Më 9 nëntor të vitit 1989, kur bota i kishte drejtuar sytë kah Muri i Berlinit, tre aktivistë të Lëvizjes Popullore të Kosovës po protestonin fuqishëm kundër rrënimit të tij! Një medium gjerman po shprehte habi për protestat e tyre, pasi sipas të njëjtit medium, shqiptarët i priste rrënimi i murit të tyre; ai midis Kosovës dhe Shqipërisë.