LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria dhjetëfishon shitjen e armëve

Shqipëria dhjetëfishon shitjen e armëve

Liberalizimi i tregtisë së armëve në Shqipëri po sjellë efekte të konsiderueshme në zhvillimin e sektorit më të ri. Pas MEICO-s, ndërmarrja shtetërore e import-eksport të armëve dhe municioneve, e cila për vite me radhë kishte monopolin e aktivitetit, tashmë Ministria e Mbrojtjes ka licencuar disa shoqëri private në fushën e armatimeve, që në total janë rreth 6 subjekte.

Në raportin e fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave mbi situatën e tregtisë me jashtë për vitin 2010, jepen të detajuara të dhënat mbi nivelin e eksporteve dhe importeve për armët dhe municionet e tyre. Nga të dhënat duket qartë se ka ‘bum’ eksportesh të armatimeve drejt vendeve të ndryshme, në vlerë dhe sasi, por nuk jepet vendi se ku shkon “malli”, raportoi Top Channel.

Vetëm për vitin e kaluar, Shqipëria ka arritur të shesë 10 herë më shumë armë, të shprehur në vlerë, kurse në sasi diferenca është akoma edhe më e lartë. “Deri në fund të muajit dhjetor 2010 janë regjistruar në total rreth 3.7 milionë dollarë eksporte, ose 10 herë më shumë se në vitin 2009, kurse në sasi janë rreth 1 mijë e 600 ton, ose mbi 20 herë më shumë”, raporton dogana.

Ecuria e tregtisë së armëve në Shqipëri ka qenë me luhatje të shpeshta, ndikuar nga zhvillimet e ndryshme, siç ishte rasti i shpërthimit të fabrikës së municioneve në Gërdec, në mars të vitit 2008. Pas kësaj ngjarjeje, MEICO i pezulloi të gjitha aktivitetet, situatë që vijoi e qetë deri në fund të vitit elektoral 2009. Riaktivizimi i ndërmarrjes ushtarake erdhi në 2010-n, e cila me ndryshime strukturore i hapi rrugë kthimit të aktivitetit. /Telegrafi/