LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria, armë në Lindjen e Mesme

Shqipëria, armë në Lindjen e Mesme

Shqipëria i ka shitur mbi 54.044.000 plumba e mortaja luftarake Jemenit duke shkelur embargon e pjesshme të vendosur ndaj këtij shtetit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara thuhet në raportin për vitin 2010 të kësaj organizate për import-eksportet e armëve në botë, raportoi të martën e përditshmja Gazeta Shqiptare.

“Lajmi bëhet publik në raportin vjetor të OKB-së (2010) për import-eksportet e armëve në botë. Rezulton se drejt Jemenit, Shqipëria ka eksportuar konkretisht 24 mijë copë mortaja të kalibrit 82mm, 20 mijë copë mortaja të kalibrit 120 mm, 4 milionë predha të kalibrit 12.7×108 mm, si dhe 50 milionë fishekë kallashnikovi
7.62×54 mm”, thuhet në artikullin e publikuar nga kjo e përditshme.

Ndërkaq, sipas këtij artikulli edhe britanikja The Guardian ka ngritur më herët dyshime të forta mbi përfshirjen e Shqipërisë në një trafik të mundshëm armësh nga Serbia drejt Jemenit. Dokumentet sekrete të diplomatëve amerikanë në Ballkan që The Guardian i siguroi nga WikiLeaks, bënin fjalë për një trafik armësh të udhëhequr nga Slobodan Tesic, emri i të cilit ndodhet në “listën e zezë” të SHBA-ve.

“Por emri i tij duket se është i njohur edhe për autoritetet shqiptare, pasi shtetasi serb kishte partneritet me kompaninë MEICO, duke nënshkruar kontrata për eksport-import armësh e municionesh. Agjencia italiane ‘Osservatorio’ publikoi gjithashtu një tjetër shkresë të MEICO-s drejtuar ish-drejtorit të policisë së Tiranës, Albert Dervishi në vitin 2006 ku i kërkohej që të pajiste me vizë serbin Tesic, i cili mbante pasaportën me numër 004812551,” citon artikulli i Gazetës Shqiptare.


Shkresa bënte të ditur se Slobodan Tesic do të vinte në Shqipëri në data 11-12
prill të vitit 2006, si përfaqësues i firmës “Melvale” në vijim të kontakteve që MEICO ka me firmat e huaja. Bazuar në informacionet e shërbimeve sekrete bullgare, diplomatët amerikanë zbuluan se në datat 14 dhjetor 2009 dhe 15 janar 2010 një ngarkesë kontrabandë me armë që kapte vlerën e 95 milionë dollarëve erdhi në Shqipëri nga Serbia dhe përmes portit të Durrësit u nis drejt Jemenit.

Municionet në bazë të marrëveshjes që qeveria shqiptare nënshkroi në tetor të vitit 2009 u eksportuan nga Serbia. “Sipas këtyre të dhënave, Shqipëria ka shërbyer si transit në trafikun e armëve nga Serbia në drejtim të Lindjes së Mesme”, thuhet në artikullin e Gazeta Shqiptare. /Telegrafi/