LAJMI I FUNDIT:

Shpresa e madhe në ditët e vështira: Homazh President Wilson

Shpresa e madhe në ditët e vështira: Homazh President Wilson

U mbushën 100 vite nga Konferenca e Paqes në Paris. Ishte presidenti i 28-të i ShBA-ve, Woodrow Wilson, ai i cili në historinë shqiptare do të njihet si personalitet kryesor në mbrojtjen e Shqipërisë së cunguar, nga pretendimet e fqinjëve për gllabërim deri në zhbërjen tonë. Edhe pse dhuna ndaj shqiptarëve nuk u ndal deri me 1999, triumfoi liria, prapë fal ShBA-ve, duke e kurorëzuar atë me shtetin e Kosovës.

Në pozitën e këshilltarit të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, isha i nderuar të jem pjesë e delegacionit shqiptar i cili, pas 100 vitesh, niset në ShBA në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje ndaj veprës së presidentit Wilson. Pjesë e delegacionit ishin: Skender Asani – drejtor i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup – dhe kolegët e tij Seferi, Sevdaili dhe Adriani. Një falënderim i veçantë shkon për David Hosaflookun, pastor protestant për tri dekada në Shqipëri, i cili me shumë dëshirë iu bashkëngjit rrugëtimit tonë. Po ashtu, më duhet ta falënderoj për pritje zëvendësambasadorin e Republikës së Kosovës në Uashington, Frymëzim Isufaj.


Ishim të entuziazmuar dhe të emocionuar, sepse ky udhëtim ishte më shumë se politik, më shumë se diplomatik, meqë po bartnim falënderimin e brezave.

Në shtetin e Virxhinias është një qytezë e vogël që quhet Saunton. Aty është shtëpia e lindjes së Wilsonit. Babai i tij kishte shërbyer si pastor. Ishte njëri i thjeshtë, por që do të njihet si babai i burrështatasit që shpëtoi miliona njerëz. Në shtëpinë e lindjes së tij, na pritën zyrtarisht senatori i shtetit të Virxhinias, Emmet Hanger dhe kryetarja nga Stauntoni, Carolyne Dull. Edhe në fjalimet e tyre vërehej dashamirësia ndaj nesh. Patëm rastin ta vizitojmë edhe Muzeun e Presidenit Wilson, ndërsa delegacioni u dekorua me mirënjohje nga Këshilli i Qytetit të Stauntonit. Delegacioni ynë, në shenjë mirënjohje dhuroi Pullën Postare me portretin e Wilsonin dhe librin e Kristo Dakos, “Albania”.

Në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Uashington, u hap ekspozita me ngjarje dhe dokumente që shënonin 100 vjetorin e Konferencës së Paqes në Paris, ku u bë edhe përurimi i pullës dhe librit të lartpërmendur.

Media të shumta shfaqën interesim për këtë vizitë, por në veçanti falënderoj Zërin e Amerikës për korrektësinë dhe mbulimin e aktiviteteve tona.

Delegacioni ynë vizitoi Katedralen Qendrore të Uashtingtonit, ku gjendet varri i Wilsonit. Aty bëmë homazhe, e më pas vizituam shtëpinë ku ai kishte kaluar pjesën e fundit të jetës së tij. Po ashtu e vizituam Muzeun e Holokaustit, ku shkëmbyem kujtime dhe histori nga lidhja vëllazërore e popullit shqiptar me atë hebre, si dhe Bibliotekën e Kongresit Amerikan – një bibliotekë me 160 milionë njësi, 38 milionë libra, që mbikëqyreshin nga tremijë punëtorë. Aty na priti Grant Harris – shef i seksionit të botimeve evropiane i cili para nesh shfaqi këto botime shqiptare: “Historia e Skenderbeut” e Marin Barletit, shekulli XVI; “Dhiata e Re” e përkthyer nga Vangjel Meksi, me shkronja greke, 1826; “Dhiata e Re” e përkthyer nga Kristoforidhi, botim i vitit 1920; si dhe letrat e studentëve shqiptarë të Romës, dërguar Wilsonit më 1919. Vizitën në Uashington e përmbyllëm në Institutin e Lirive Religjioze, ku shqiptarët u morën si shembull i bashkëjetesës ndërfetare.

Nga kjo vizitë u ndjeva i entuziazmuar dhe i emocionuar. Kur po kthehesha në Kosovë, ndihesha si i lehtësuar, sepse shekujt e errësirës së pushtimit nga të huajt, tashmë kishin mbaruar.