LAJMI I FUNDIT:

Shkaktar i protestës, gabimi i Kuvendit!

Protesta e Lëvizjes Vetëvendosje, më datën 14 janar, e cila eskaloi në dhunë, erdhi si rezultat i moszbatimit të mocionit për reciprocitet me Serbinë, nga ana e Qeverisë, mocion i cili u votua në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Mirëpo, se a është në ligjshmëri dhe kushtetutshmëri ky mocion i votuar në Kuvend, do ta shohim tani…

Republika e Kosovës, në lidhje me reciprocitetin, me shtetin serb, ka nënshkruar një marrëveshje në Bruksel, me të cilën palët janë dakorduar, që mallrat nga Kosova të mund të kalojnë në Serbi, si dhe mallrat serbe në Kosovë. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje, ka karakter ndërkombëtar, dhe si i tillë, bënë pjesë në grupin e marrëveshjeve ndërkombëtare bilaterale. Pasi që, kjo marrëveshje ka karakter ndërkombëtar, atëherë duhet të ndalemi dhe të shikojmë kushtetutën e Kosovës, tek neni ku flet për zbatueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare.


Kushtetuta e Kosovës, në nenin 19, paragrafin një të këtij neni thotë se: Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Kosovës, bëhen pjesë e sistemit të brendshëm juridik pasi të botohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Ato zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejtë, me përjashtim të rasteve kur nuk janë të vetëzbatueshme dhe zbatimi i tyre kërkon nxjerrjen e një ligji.

Ndërsa paragrafi dy i këtij neni thotë: Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara dhe normat juridikisht të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës.

Dhe të ndalemi pak, dhe ta sqarojmë këtë paragrafin e fundit, në rrjedha logjike të kontekstit të fjalisë. Mbështetur në kushtetutën e Republikës, por edhe në interpretimet që i bëjnë njohësit e së drejtës kësaj çështje, hierarkia e akteve juridike në Republikën e Kosovës, është kësi soji: Kushtetuta, Marrëveshjet ndërkombëtare, Ligjet, Aktet nënligjore, etj. Nisur nga paragrafi dy i nenit 19, dhe nga kjo hierarki, shihet se të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen ose ratifikohen në Republikën e Kosovës, kanë epërsinë ndaj ligjeve të brendshme, si dhe ndaj çdo akti tjetër më të ulët juridik.

Pranimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kosovë, bëhet përmes nënshkrimit, nga ndonjë dikaster përkatës ndërmjet dy shteteve, ndërmjet kryetarëve të dy ose më shumë shteteve, ose ndërmjet ndonjë grupi diplomatik, të dy vendeve. Si dhe mënyra tjetër është mënyra e ratifikimit të tyre. Me mënyrën e parë të pranimit dhe të zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, ka ndodhur edhe marrëveshja për reciprocitet, ndërmjet delegacionit kosovar dhe atij serb, gjë që automatikisht kemi të bëjmë me një marrëveshje ndërmjet dy shteteve, e cila kualifikohet si marrëveshje ndërkombëtare.

Gabimi i Kuvendit

Nisur në këtë rrjedhë, Kuvendi i Kosovës, me votimin e mocionit për reciprocitet, që t’i bllokoj mallrat serbe, të hedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, shkeli rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, përkatësisht Kushtetutën e saj. Kjo për arsye se, mocioni i votuar i cili herë po merr konotacion të deklaratës, e herë të rezolutës, është në kundërshtim, me nenin 19 paragrafin 2, të Kushtetutës së Kosovës. Shpjegimi është i thjeshtë. Për nga hierarkia e akteve juridike, rezoluta ose deklarata e votuar në Kuvend, është më e ulët sesa aktet nënligjore, dhe ligjet, si dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Andaj, nisur nga ky nen, i cili në mënyrë decidive thekson se marrëveshjet ndërkombëtare, kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës, kjo deklaratë apo mocion bie ndesh me marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel. Ngase ajo marrëveshje, në momentin e nënshkrimit, është bërë pjesë e brendshme e sistemit juridik të Kosovës, dhe ka për obligim të zbatohet, dhe si e tillë, qëndron mbi ligjet dhe aktet e tjera të Republikës.

Andaj, para se të votohet ky mocion, është dashur të konsultohet ky nen i kushtetutës, dhe të mos vjen fare në shprehje kalimi i një mocioni të tillë. Është e vërtet se neni 92, paragrafi katër, i Kushtetutës, kur flet për parimet e përgjithshme të Qeverisë së Kosovës thotë: Qeveria zbaton ligjet dhe aktet e tjera të miratuara nga Kuvendi i Kosovës dhe ushtron veprimtari tjera brenda përgjegjësive të përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj. Dhe, po shihet qartë se Qeveria obligohet, t’i zbatoj vendimet e Kuvendit. Por, a është e arsyeshme që Qeveria të obligohet të zbatoj, vendime të Kuvendit, që bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës! Përgjigjja është e thjeshtë: Ai që mendon logjikisht, duhet ta dijë se nuk është obligim i Qeverisë të zbatoj vendimi kundërthënëse me parimet kushtetuese. Nëse Qeveria, obligohet, qe ta respektoj një vendim të tillë, i cili është ndesh me Kushtetutën, atëherë kjo i bie që, nëse nesër Kuvendi, ta marrim në mënyrë hipotetike, voton që Kosova të kthehet në monarki, Qeveria është e obliguar ta zbatoj një vendim të tillë. Logjika e shëndosh, asnjëherë nuk e lejon një veprim të tillë.

Përfundime

Nga ajo që u tha më lartë, mund të konkludojmë se, po të mos e votonte Kuvendi mocionin e Vetëvendosjes, protesta e 14 janarit do të shmangej. Andaj, Kuvendit iu është dashur që ta shikoj neni 19 të Kushtetutës, ta vërej që votimi i një mocioni të tillë bie ndesh me kushtetutën, dhe fare të mos e hedh në votim këtë çështje. Dhe, për fund, mund të themi se reciprociteti ekziston, ngase vet termi reciprocitet e ka domethënien, “me jep, që të të jap”, andaj, me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel, ndërmjet dy delegacioneve të të dyja vendeve, të ndërmjetësuar nga ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia, qëndrojnë në një reciprocitet për kalimin e mallrave dhe të njerëzve. Si dhe mos harroni, si shtet që jemi, i cili aspiron drejtë integrimit ne BE, nuk kemi të drejtë ta ndalojmë qarkullimin e mallrave dhe të kapitalit, ngase vetë Bashkimi Evropian u ndërtua mbi këtë ide, si parimi i parë i Bashkimit Evropian.

(Autori është student i Fakultetit Juridik në UP)