LAJMI I FUNDIT:

Shite atë që blihet!

Shoqërisë kosovare i duhet një gjuhë e komunikimit argumentues, e nxjerrë në baza profesionale, e pandikuar, me një kulturë dhe nivel të komunikimit edukativ. Ngase debatet, përveç anëve të tyre vlerësuese, mbi vete bartin edhe edukim shoqëror.

Debati është formë e komunikimit publik të një shoqërie të lirë dhe demokratike. Debati mund të jetë me agjendë, por edhe mund të jetë i lirë. Debati mund të jetë i organizuar në kushte profesionale, që nënkupton debatin e shtrirë në lami të caktuara të përcjellë me njerëz profesionistë për ato lami, por debati mund të jetë edhe amator.


Debati paraqet themelet e rendit demokratik, ku të menduarit ndryshe është parim i shoqërisë së lirë. Në vetvete debati i shtjerrë gjitha mundësitë e komunikimit publik, qoftë profesional. qoftë amator, për të nxjerrë vlerën e përafërt esenciale të një gjëje thelbësore për një shoqëri. Komunikimi publik në thelb paraqet kulturën e një shoqërie në kohë dhe traditë, ngase nuk d.m.th që bazohet çdoherë në traditën e asaj shoqërie (shoqëria është evolutive dhe mund të ndryshojë në kohë).

Edhe në shoqërinë tonë shqiptare, që synim ka demokratizimin e brendshëm dhe synimin për t’u integruar në mekanizma ndërkombëtar ku ka avancim demokratik, aplikohet komunikimi publik përmes debatit.

Komunikimi publik në shoqërinë shqiptare nuk ka qenë çdoherë transparent, për faktin që shoqëria jonë çdoherë ka qenë pjesë e censurave shoqërore, ku jo çdoherë komunikimi ka qenë i drejt dhe real. Madje, as sot nuk mund të themi plotësisht që nuk kemi censurë.

Shtrohet pyetja se a kemi debat përbrenda shoqërisë kosovare dhe si funksionon ai!? Në shoqërinë kosovare debati i mirëfilltë politik shihet pas luftës së fundit e këndej, duke vlerësuar se para luftës së fundit që përfundoi me çlirimin, shoqëria jetonte në një gjendje të jashtëzakonshme. Debatin në shoqërinë kosovare sot e kemi të shtrirë kudo, duke filluar nga familja, rrethi ku jetojmë, nëpër media të shkruara dhe të shikuara, e deri të institucionet më të larta të shtetit (e më “atraktivi” na duket në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku përfaqësohet besimi i popullit).

Debatin në shoqërinë kosovare jo çdoherë qëndron në vijën argumentuese. Ne jemi dëshmitarë që në shumicën e rasteve debati është edhe i diktuar nga rrethana të ndryshme socio-politike, kolektive dhe individuale. Madje, edhe në shoqërinë kosovare debati paraqet diçka nga tradita jonë kombëtare edhe sot, por që ka edhe nuanca të reja në të menduarit, ku disa janë të reformuara e disa të “blera”. Jemi dëshmitarë që shpeshherë nëpër debate televizive shohim mendime të imponuara dhe të ndikuara nga përditshmëria politike. Kjo ka bazë te shoqëria jonë e cila di më së miri të jetë servile e dikujt, duke filluar nga personat me ndikim në shoqërinë tonë. Pra, këtu ideja shndërrohet në interes personal, por edhe financiar, e jo ne interes shoqëror e kombëtar.

Gjuhën e komunikimit publik në shoqërinë kosovare shpeshherë e shohim me emocione të ngarkuara, që përcillet me fyerje, tallje, shantazhe, madje edhe kërcënime. Nuk mendoj që duhet vënë rregulla të komunikimit publik, ngase kultura dhe gjuha e komunikimit publik duhet të jetë në ndërgjegjen e çdo individi, duke filluar nga bujku e deri tek i pari i shtetit. Ne jemi dëshmitarë, sidomos të udhëheqësve tanë politikë, se çfarë gjuhe komunikuese përdorin nëpër debate, qoftë në Kuvend, apo institucione tjera, apo edhe nëpër media e ndeja private.

Gjuha e komunikimit argumentues mungon, madje ata marrin guximin për të komunikuar me gjuhen e nofkave, etiketimeve nga pamja fizike, kërcënimeve etj. Realisht, kjo tregon edhe nivelin e kulturës shoqërore, ngase edhe ata njerëz janë pjesë e shoqërisë sonë dhe kanë dalë nga shoqëria jonë. Madje një fjalë popullore thotë “politikani shet atë që e blenë populli”.