LAJMI I FUNDIT:

Shinzo Abe nuk është më, por vazhdon vizioni i tij kontrovers për Japoninë

Shinzo Abe nuk është më, por vazhdon vizioni i tij kontrovers për Japoninë

Nga: Jeff Kingston / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Vrasja e Shinzo Abes ende nuk po kuptohet, por dridhjet po përshkohen në gjithë Japoninë dhe në botë. U qëllua nga pas në një vend ku vrasjet me armë zjarri janë të rralla: në vitin 2021 ishte vetëm një, krahasuar me më shumë se 20 mijë në ShBA. Ishte sulm ndaj demokracisë dhe akt barbarie.

Mbulimi i medias japoneze në përgjithësisht ka qenë i servil, duke riformuluar trashëgiminë e një njeriu që la detyrën në vitin 2020 – nën hijen e skandaleve dhe me mbështetje e vogël publike. Toni i nderimit dhe vetëcensurës ta kujton rënien e lirisë së shtypit gjatë kohës kur Abe ishte në detyrë, kur mediat kritike të lajmeve – si “Asahi” – u nënshtruan dhe korpusi i shtypit ishte i varur nga pushteti. Vlen të përmendet se shumë nga mediat ndërkombëtare gjithashtu kanë qenë tepër të përmbajtura, duke anuar kah hagjiografia.


Pra, cila ishte trashëgimia e vërtetë e Abes dhe a mundet fitorja dërrmuese e partisë së tij – në zgjedhjet e së dielës – të lejojë që vizioni i tij të realizohet tërësisht në vitet në vijim?

Trashëgimia e Abes ndihet më fort në politikën e jashtme dhe në çështjen e diskutueshme të statusit të Japonisë si komb zyrtarisht pacifist. Kryeministri Fumio Kishida shpeshherë konsultohej me mentorin e tij, Abe – për çështjet ndërkombëtare. Abe ishte avokat i fuqishëm i dyfishimit të shpenzimeve të mbrojtjes së Japonisë në dy për qind të PBB-së dhe, i pavarur nga protokollet zyrtare, u bë kritik i hapur i Kinës dhe Rusisë dhe mbështetës i Tajvanit, duke deklaruar me guxim – në dhjetorin e kaluar – se Pekini nuk duhet të ketë dyshime për kundërpërgjigjen e Japonisë nëse Kina do të ndërmerrte veprime ushtarake kundër Tajvanit. Duke e tërhequr këtë vijë të kuqe, Abe sugjeronte se ShBA-ja dhe Japonia do të përgjigjeshin ushtarakisht, e kjo është hera e parë – që nga viti 1945 – që një figurë e rëndësishme japoneze ka kërcënuar se do të ndërmerrte veprime ushtarake.

Abe e transformoi pozicionin e sigurisë së Japonisë si asnjë kryeministër japonez i pasluftës. E krijoi një këshill të sigurisë kombëtare për t’i koordinuar politikat e qeverisë, përqafoi udhëzimet e reja të mbrojtjes me ShBA-në dhe miratoi legjislacionin kryesor të sigurisë më 2015 që zgjeroi shumë atë që Japonia do të mund ta bënte ushtarakisht në mbështetje të ShBA-së. Në mënyrë kritike, ky legjislacion ua mundësoi kryeministrave të Japonisë të anashkalonin kufizimet kushtetuese për forcat e saj ushtarake – të mishëruara me nenin 9 të kushtetutës së paqes të vitit 1947, të shkruar nga forcat pushtuese amerikane.

Publiku ka qenë i kujdesshëm ndaj kësaj politike të sigurisë, megjithëse disponimi mund të ndryshojë për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin dhe të rritjes së kërcënimeve të paraqitura nga Kina, Koreja e Veriut dhe nga Rusia në Azinë Lindore. Patrullat e fundit të përbashkëta ruso-kinez, detare dhe ajrore rreth arkipelagut japonez, kanë nxjerrë në pah rrezikun në mjedis.

Sa i përket agjendës së brendshme, Abe ishte më i njohur për “Abenomiksin” (lehtësim masiv monetar, stimuj fiskalë dhe reforma strukturore), programin e tij të guximshëm për të ringjallur ekonominë japoneze – por është dëshmuar se është trashëgimi e varfër. Deri në vitin 2017 referohej më shumë si strategji brendimi për të bërë zhurmë dhe jo si plan për rigjallërimin ekonomik. Në të vërtetë, kur kandidoi për kreun e Partisë konservatore Liberal-Demokratike (LDP), vjeshtën e kaluar, Kishida e quajti Abenomiksin si dështim të tmerrshëm.

Një trashëgimi edhe më pak lajkatare janë akuzat për klientelizëm dhe për mungesë transparence. Dokumentet e rëndësishme dhe potencialisht të turpshme u raportuan se ishin ndryshuar, fshehur dhe nganjëherë copëtuar, duke shmangur kështu përgjegjësinë. Përpjekja e Abes për reformën e tregut të punës ishte ndryshim i lojës, por pasi u zbulua se përdori të dhëna të dyshimta për ta paraqitur rastin e tij në “Diet”, duhej të kënaqej me ndryshimet shumë modeste. Është gjithashtu tema e mohimit dhe nënvlerësimit të keqbërjeve historike të Japonisë, veçanërisht në lidhje me “gratë skllave të seksit” dhe me punën e detyruar, të cilat ndezën ankesat te kombet që kishin vuajtur nga shfrytëzimet e kohës së luftës dhe gjatë kolonializmit të Japonisë, duke e bërë të vështirë pajtimin dhe bashkëpunimin.

Në mënyrë paradoksale, përkundër staturës dhe pushtetit, Abe u largua nga posti pa shënuar shumë përparime në sfidat që i grumbulloheshin Japonisë, veçanërisht me atë bombën demografike me sahat të një shoqërie që po plaket me shpejtësi. Kritikët si Tobias Harris – me biografinë e tij “Ikonoklasti” – akuzojnë Aben për shpenzim të kapitalit politik për rishikimin e Kushtetutës duke e injoruar krizën klimatike.

Pa dyshim që Abe ishte krenar që kryesoi një ndryshim nga djathta drejt gravitetit politik të qendrës në Japoni – dhe ky është ndryshimi që ka përshpejtuar gjatë fundjavës. Zgjedhjet për dhomën e sipërme të Parlamentit japonez, më 10 korrik, i dhanë LDP-së së Abes një fitore dërrmuese – rritja e madhe u bë pas vrasjes tronditëse. Kishida tani i ka votat që i nevojiten për të rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe, ndoshta, për ta çuar para gralin e shenjtë të Abes: rishikimin e Kushtetutës pacifiste të Japonisë.

Votuesit nuk e konsiderojnë rishikimin Kushtetues si prioritet dhe për këtë arsye Kishida bëri fushatë për çështjet se si të ndihmohen familjet të përballen me inflacionin. Por, vdekja e Abes dhe fakti se Kishida nuk do të përballet me zgjedhjet deri në vitin 2025, ia ofrojnë qartë mundësinë për ta realizuar ëndrrën.

Rishikimi ka qenë gjithmonë rreth nenit 9 – klauzola në Kushtetutë që ndalon luftën dhe që pozicionin e forcave vetëmbrojtëse të Japonisë e lë në mënyrë të paqartë. Abe u përpoq të fuste formulime për ta sqaruar statusin e forcave të vetëmbrojtjes dhe, kur u largua nga detyra, deklaroi se keqardhja e tij më e madhe ishte që nuk ishte në gjendje ta kishte mbështetjen e publikut për këtë rishikim. Por, Abe ishte armiku më i keq i kësaj meqë sa më shumë e shtynte para pakësimin e pacifizmit kushtetues, aq më e madhe bëhej rezistenca e publikut si reagim ndaj arrogancës së tij.

Kishida është i moderuar dhe kështu has në shumë më pak reagime kur mbron listën e dëshirave të politikave së Abes. Tani ai mund të jetë në gjendje të nderojë vdekjen e mentorit të vet. Në këtë aspekt, historia e trashëgimisë së Shinzo Abes – në Japoni dhe në një botë të përçarë e të ndarë – mund të jetë larg përfundimit. /Telegrafi/